Skandali i kamerave hesht Doganat dhe Prokurorinë

  • 09 December 2017 - 08:05
Skandali i kamerave hesht Doganat dhe Prokurorinë

KONTRABANDA E ORGANIZUAR ZHVAT BUXHETIN E QYTETARËVE TË KOSOVËS

Denoncimi publik i Xhavit Halitit nxit reagime të shumta

"Në Dogana lulëzon krimi i organizuar nga grupet kriminale të mafio-oligarkëve që veprojnë bashkërisht dhe në mënyrën më të organizuar të mundshme dhe Prokuroria mafioze hesht, bëhet e shurdhër", potencoi për "Kosova Sot" Reshat Badallaj
Askush nga institucionet më të larta të shtetit deri më sot nuk ka folur se kush po i fik kamerat e Doganave të Kosovës për të lejuar kontrabandën shumëmilionëshe. Ndaj, ky veprim edhe e ngjall dyshimin e njohësve të kësaj fushe se a qëndrojnë prapa këtij veprimi vetë oligarkët e pushtetit që po fshihen pas këtij krimi perfid të denoncuar nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës. Gazeta "Kosova Sot" në vazhdimësi ka ngritur zërin për ekonominë e madhe informale, kontrabandën alarmante dhe abuzimet që po bëhen përmes shpërdorimit të pozitave shtetërore dhe rrjeteve kriminale që kanë lidhje me zyrtarët kosovarë. Të enjten, ishte vetë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, që foli hapur për kontrabandën evidente që po bëhet ndër vite dhe pandalshëm, duke kërkuar forcim serioz të kontrollit të Doganave, meqë, sipas tij, po bëhet kontrabanda më e madhe me mallra që kanë akcizë, si me cigare, naftë,alkool etj. " Z. Kryeministër, t'u kisha lutu me i kontrollue Doganat e Kosovës, jo me kamera, po me mekanizma më seriozë e të besueshëm, që të kontrollohen për mallrat që hyjnë në kufi, e që kur ato hyjnë ilegalisht nëpër kufi, po ndalen kamerat, duke e ngritur trarin e kalimit të kontrabandës. Cigaret, alkooli e sidomos nafta janë kontrabanda më e madhe që po e gërryejnë përtokë buxhetin e Kosovës", tha deputeti Haliti në Kuvend. Shi për këtë, nga ana e analistëve edhe është shtruar pyetja se përse Prokuroria Speciale nuk denjon të hapë hetimet për të provuar këto deklarime se çka realisht po ndodh në Dogana. Ata pyesin se përse Prokuroria po hesht dhe nuk po vepron, edhe pse Doganat po lejojnë kontrabandë të madhe qindramilionëshe, por edhe që janë përgjegjës edhe penalisht për krim të rëndë ekonomik, duke fikur kamerat që kontrollohen nga zyrtarë shteti, për të lejuar kamionët e autobotet të hyjnë ilegalisht edhe ditën me diell, edhe natën. Analistët, ndërkaq, shfaqin frikën se si po i shkatërrojnë themelet e shtetit zyrtarët e lartë në Dogana të Kosovës, duke u bërë pjesë e krimit ekonomik, kontrabandës. Ata pyesin se a është kapur edhe Prokuroria Speciale (PSRK) dhe policia nga mafio-oligarkët e pushtetit dhe biznesit të pistë, duke mos lejuar që të hapet as edhe një rast i vetëm për këto krime të rënda ekonomike.

Bizneset, të alarmuara

Lideri i AKB-së, Agim Shahini, tha për "Kosova Sot ", se deklarimet e zyrtarëve të lartë shtetërorë sigurisht se janë më të sakta se deklaratat e çdokujt tjetër. "Prandaj, ne vlerësojmë se kontrabanda në Kosovës është prezente dhe e dukshme, por e heshtur nga ata që duhet ta ndjekin kontrabandën. Në Kosovë ekziston informaliteti në shkallën mbi 35 për qind. Kjo bëhet në produktet që kanë akcizë të lartë e jo në produkte të lira dhe taksa, prandaj gjithmonë flitet për produktet e shtrenjta", u shpreh ai. I pyetur se përse ka heshtur deri më tash Xhavit Haliti, lideri i AKB-së, Shahini tha se nuk e di se përse po heshtin, por vlerëson se kontrabanda është një dukuri që po e shkatërron ekonominë e vendit. Ndërsa, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, ka thënë për " Kosova Sot" se e mirëpresin intencën e Xhavit Halitit që nga Qeveria "Haradinaj" ka kërkuar për ta ndarë kontrabandën që eventualisht mund të bëhet nëpër pikat kufitare të Kosovës ku si thuhet se po bëhet kontrabanda më e madhe me mallrat që kanë akcizë, si janë cigaret, nafta, alkooli. "Neve si Shoqatë e Naftëtarëve nuk i komentojmë deklaratat e askujt, pra as të z. Haliti, ngase nuk jemi në dijeni se po ndodhin gjëra të tilla", u shpreh ai. "Nga përbërja e re e Kuvendit të Kosovës kërkojmë që ata sa më parë ta miratojnë Projektligjin për Importimin dhe Shitjen e Derivateve të Naftës, që ka mbetur në gjysmë të rrugës së miratimit", vlerësoi më tutje Berjani. Ai është shumë i bindur se sa më parë që të miratohet ligji që e kanë propozuar Shoqata e Naftëtarëve, aq më mirë do të jetë për tregun.

Kritikohet heshtja e Halitit

Pronari i kompanisë, " Racional - Komerc", afaristi Ramadan Maloku, duke e komentuar deklaratën e Xhavit Halitit, tha për gazetën "Kosova Sot" se nëse Haliti ka qenë në dijeni se po bëhet një kontrabandë me derivate të naftës dhe artikuj të tjerë në kufijtë e Kosovës është për t'u brengosur heshtja e tij e deritashme. "Një heshtje e tillë lë vend për dyshime se edhe ai ka mundur që të përfitojë nga kjo kontrabandë…Heshtja e Halitit mund të interpretohet edhe në bazë të anekdotës popullore, që thotë kësisoj: 'Mos e vet se të kallxon vetë'", theksoi ai. Ndërsa, analisti Reshat Badallaj-Zhurjani, për "Kosova Sot' tha se shteti është kapur nga banditët që nga majat e shtetit, kryebanditët dhe banditët e bandave politike dhe se është blerë nga mafiooligarkët e nëntokës kriminale dhe në këtë thes hyjnë edhe sistemi i kalbur gjyqësor. "Në Dogana lulëzon krimi i organizuar nga grupet kriminale të mafio-oligarkëve që veprojnë bashkërisht dhe në mënyrën më të organizuar të mundshme dhe Prokuroria mafioze hesht, bëhet e shurdhër", potencoi ai. "Merreni me mend vetëm një gjë, tani kur thuhet vetë nga goja e tyre, si Xhaviti Haliti, dhe mendoni ju se çka mund të fshihet dhe nuk di populli. Këtu ka lindur konkurrenca brenda këtyre bandave dhe banditëve mafiooligarkë se si të ndajnë pjesën e hajnisë që vrapojnë si zagarët pas kockave dhe për të mashtruar popullin para kamerave televizive lehin si qentë pas hënës dhe si qentë e regjur. Dhe, dikush mashtrohet se vërtet në Kosovë po vepruaka ligji", u shpreh më tej Badallaj. "Nëse nuk vepron Qeveria 'Haradinaj' dhe njëfarë prokurorie menjëherë si tërmet kundër këtyre banditëve për Kosovën po vijnë ditë të vështira", ka theksuar ai.

Skandali me përmasa të mëdha

Analisti Florim Rudhani tha për "Kosova Sot' se kontrabanda që po ndodh nëpër Doganat që e lidhin Kosovën me Serbinë, është skandaloze. "Ndaj, kryeministri Haradinaj duhet të fillojë të merret me këtë skandal qindra-milionësh sa më shpejt dhe me seriozitet maksimal, ngase tashmë ka pajisje shumë të sofistikuara", theksoi ai. "Prokuroria e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, duhet të aplikojnë një ligj që doganierët e korruptuar të arrestohen, kurse te doganierët që janë viktima të dëmshpërblehen", u shpreh Rudhani. Ndërsa ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot' se evazioni dhe informaliteti në ekonominë e Republikës së Kosovës është evident dhe këtë nuk mund ta bëjë çdo njeri apo biznes po këtë e bëjnë njerëzit e fuqishëm ekonomikisht që sot po flasin dhe po lavdërohen se po punësojnë njerëz dhe po e mbushim buxhetin e vendit dhe nuk e shohin se bukur shumë biznese më shumë janë duke i shkaktuar dëme dhe po vjedhin buxhetin e vendit sesa që janë duke i ndihmuar vendit. "Pasuria dhe monopolet që kanë krijuar disa biznese në vend, këto të gjitha i kanë bërë duke i shkelur ligjet dhe duke bërë kontrabandë dhe krim të organizuar në ekonomi, sepse nuk mund të pasurohen bizneset aq shpejt, siç janë pasuruar disa biznese dhe individë me punë të ndershme dhe në përputhje me ligjin. Të gjitha produktet, të cilat kanë akcizë në vendin tonë, mbi 50 për qind e tyre kontrabandohet dhe gjenden dhe shiten në vendin tonë. Ngase, edhe pas dhjetë vjetëve pavarësi, ka shumë pompa derivatesh që janë të pafiskalizuara, ka tonelata cigare që kalojnë pa paguar doganë dhe shumë gjëra të tjera këto i dinë të gjithë", theksoi Neziraj. Sipas tij, është koha e fundit që Qeveria e re duhet të veprojë në institucione, që duhet të luftojnë këtë dukuri, e sidomos Doganat, Administrata Tatimore, Policia, në veçanti ajo e krimeve ekonomike, me qëllim që të ndalet shkalla e lartë e kontrabandës, e cila është duke i shkaktuar dëme të mëdha buxhetit të vendit dhe po pasurohen individët e caktuar.

Zvarritja e një memorandumi

Neziraj tha se është momenti i fundit që të gjithë ata që e duan këtë vend t'i shpallin luftë kësaj të keqeje, që e ka kapluar vendin, ngase sot nuk ka patriotizëm më të madh sesa që t'i kontribuosh buxhetit të vendit, sepse me këtë do të kemi më shumë zhvillim ekonomik, arsim më cilësor, shëndetësi më të mirë, por edhe të jetohet më mirë dhe me dinjitet. " Qeveria e re duhet të ketë një kontroll më të madh në institucionet që janë përgjegjëse për të luftuar këtë dukuri që është duke e falimentuar shtetin dhe unë besoje se në këtë drejtim shumë shpejt do të shihen rezultatet e para nga Qeveria 'Haradinaj'", vijoi më tutje ai. Ndërsa, Selatin Kaçaniku ("Konsumatori") tha për "Kosova Sot", se procesi i kontrabandës " legale" nuk ka nisur sot, por ka nisur shumë më herët dhe të gjithë e kemi ditur dhe e kemi pasur për detyrë t'i denoncojmë rastet që nga fillimi. " Neve si OJQ, dhe unë kemi reaguar shumë kohë më parë për disa trajta të kontrabandës 'legale'. Deri më tani askush nuk na dha të paktën një përgjigje me gojë ose me shkrim, e nuk po flas për veprime konkrete", u shpreh ai. " Qe dy vjet e më shumë jemi duke biseduar dhe, si fryt i këtyre bisedimeve e kemi të gatshëm edhe konceptin e Memorandumit të bashkëpunimit. Se Dogana është mekanizëm i shtetit, që i shërben ekonomisë, buxhetit, tregut dhe qytetarit konsumator taksapagues. Ne, edhe nëpërmes Doganës ia ndajmë buxhetit të shtetit taksat, akcizat, kontributet tona. Pse akoma ka hamendje, pse po zvarritet procesi i nënshkrimit dhe miratimit reciprok të Memorandumit, pse akoma 'ndoshta' nuk e kemi krijuar besimin reciprok...ndoshta përgjigjja është te MF-ja, te Qeveria dhe te Kuvendi i Kosovës...te kamerat, laurat e kriminalizuara", ka theksuar Kaçaniku. Sipas tij, i kemi edhe disa dhjetëra "vendkalime" ilegale kufitare për kontrabandë mallrash me akcizë të kontrolluara ose nën interesimin e drejtpërdrejtë nga personalitetet e larta politike, të atillë që qëndrojnë ulur në Kuvendin e Kosovës ose mbajnë poste të larta politike, ministrore e qeveritare. Kaçaniku vlerëson se nga mungesa e hetimeve " ex officio ", mungesa e reagimit etik- profesional, juridiko-ligjor e mandator dhe të politikës, korrupsionit, klientelizmit e familjarizimit në administratën e ndërmarrjet publike, barra e kriminalizimit i kushton buxhetit të Kosovës rreth 600 milionë euro në vit.

(Kosova Sot)