Sekseromania milionëshe kalb drejtësinë

  • 10 December 2017 - 07:49
Sekseromania milionëshe kalb drejtësinë

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se fenomeni i funksionimit të drejtësisë kosovare përmes sekseromanisë e ndërmjetësimit, ku dyshohet se merren paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes sekserëve, e që shpërndahen më pastaj tek bartësit e funksioneve të drejtësisë, kjo skemë mafioze mbase e rrënoi përtokë drejtësinë kosovare, derisa në anën tjetër Prokuroria Speciale nuk po vepron në masën e duhur, por mbase vetëm soditë kot së koti, ose mbyll sytë para korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet e shtetit. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se çka po pret dhe pse nuk po vepron Prokuroria Speciale për çka edhe është formuar dhe financohet nga taksat e qytetarëve përmes buxhetit të shtetit? Këshilli Prokurorial i Kosovës në një përgjigje për gazetën "Kosova Sot' ka bërë me dije se Këshilli Prokurorial i Kosovës çdoherë nëse ka parë ndonjë element të veprave penale në fjalë ka vepruar sipas detyrës zyrtare dhe kompetencave të tij dhe do të veprojë edhe në të ardhmen, derisa sipas këtij Këshilli kushdo që ka ndonjë fakt lidhur me pretendimet e tilla mund t'i paraqesë në organet kompetente. Analisti Naim Miftari ka thënë se problemi i organeve të drejtësisë ekziston qysh moti dhe është shumë e vështirë për ta çrrënjosur krimin e organizuar nga aty, pasi siç tha pas luftës u sistematizuan njerëzit e ish-sistemit komunist jugosllav apo serb, pastaj erdhën nga Kombet e Bashkuara njerëz që Kosovën e shfrytëzonin për çështje private më shumë pse për çështje zyrtare, që nuk ishin kualitet dhe sot është shumë vështirë për shkak se tërë problemi qëndron se edhe politikën, partitë politike, duke filluar prej Parlamenti, kryeministrisë, kryetarit të shtetit, deputetit, ministrit, zëvendësministrat e deri tek ata zyrtarët më të vegjël, në të gjitha poret krimi i organizuar ka depërtuar aq thellë që është e pamundur për ta çrrënjosur pa e pastruar politikën nga krimi i organizuar.

Image

Ndarja e pazarit

Sipas Miftarit, për ta pastruar politikën nga krimi duhet një luftë shumë e fortë dhe e gjatë, pasi gjithmonë do të mbesin duart e zgjatuara apo rrënjët e krimit të organizuar në organizatë të ndryshme shtetërore apo të drejtësisë."Mënyra se si i bëjnë të hollat këta dhe si korruptohen është ajo se këta kanë njerëz të caktuar dhe zakonisht kur është çështja tek ndarja e pazarit, d.m.th. ryshfetit këta të hollat i marrin nëpër shtetet e tjera, dalin nëpër Maqedoni, Greqi, Shqipëri dhe shtetet përreth dhe shumica e atyre të hollave shkojnë jashtë Kosovës dhe me një kësi kapaciteti që kemi sot për sot sipas meje është e pamundur që të ndalet kjo", theksoi ai."Ndërkaq, KGJK-ja apo KPK-ja mendoj se vetë ata këshilla janë të korruptuar, pasi ata njerëz dikush i ka pranuar nga politika dhe zakonisht për pa e marrë dikush një pozitë ekzekutive, sidomos në organet e drejtësisë, pa e marrë ndonjë pozitë gjithqysh se kontaktohesh nga njerëzit e para-sistemeve politike, që të ofrojnë kushte, bëjnë benificione, i eliminojnë gjithë konkurrentët tu që ti të punësohesh në atë vend të punës, mirëpo qëllimi i tyre është normalisht se ata nuk do të pranonin kurrë të merrnin ty në punë nëse nuk punon ti për interesa të tyre, prandaj edhe kemi gjendjen siç e kemi, ku Kosova fle mbi 400 mijë dosje", potencoi Miftari. "Ndërsa sa u përket sekserëve, këta të fundit zakonisht i gjejnë avokatët, gjyqtarët, prokurorët ku kemi raste të njohura si Franqesko Flori etj, mirëpo ne i dimë vetëm ato që janë bërë publike, por sa e sa miliona kanë përfunduar në duar të gjyqtarëve vendorë e ndërkombëtarë atë nuk e dimë dhe aty veç mund të hamendësojmë, mirëpo duke parë rezultatet, dosjet, zhdukjet e dosjeve të 'peshqve të mëdhenj', duke parë se organet e drejtësisë dhe sigurisë deri më sot nuk kanë pasur asnjë sukses në luftimin e krimit të organizuar kjo vetëm tregon se sistemi i drejtësisë ka dështuar tërësisht", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari.

Banditët po amnistohen

 Analisti Naim Kelmendi thotë se fenomeni i funksionimit të drejtësisë kosovare përmes sekseromanisë e ndërmjetësimit, ku dyshohet se merren paratë e korrupsionit dhe krimit të organizuar përmes sekserëve, e që shpërndahen më pastaj tek bartësit e funksioneve të drejtësisë, kjo skemë mafioze mbase e rrënoi përtokë drejtësinë kosovare, derisa në anën tjetër Prokuroria Speciale nuk po vepron në masën e duhur, por mbase vetëm sodit kot së koti, ose mbyll sytë para korrupsionit dhe krimit të organizuar në institucionet e shtetit. Andaj, sipas tij, drejtësisë i duhet reformë rrënjësore për të pasur kësisoj një sistem të shëndoshë, të pavarur në rend të parë nga të gjitha ndikimet, qofshin ato politike apo edhe të tjera. Kelmendi thekson se drejtësia kosovare është e kapur dhe e inkriminuar dhe assesi nuk mund të thuhet se ka zhvillime të theksuara pozitive në drejtimin e duhur derisa kjo drejtësi, siç tha është e kapur dhe nga mafio-politika e nga oligarkia kosovare, gjersa kështu po vuan nga ndikimet tejet të dëmshme politike, klanore, grupeve të interesit e kriminale. "Por mbase jemi dëshmitarë të shumë e shumë rasteve të gjyqtarëve të korruptuar që abuzuan me drejtësinë, e në vend që të dënoheshin për veprat e tyre sikur janë marrje ryshfeti apo forma të tjera korruptive, ata kolegët e tyre i nxjerrin këta të pafajshëm. Andaj kjo është forma më e ulët e keqpërdorimit të drejtësisë nga vetë njerëzit që ndajnë drejtësinë në këtë vend dhe mbase kështu kjo pasqyrë aspak e mirë është tregues se ku gjendet sot drejtësia kosovare, mbase te tri nivelet e saj", potencoi për "Kosova Sot" Naim Kelmendi.

Image

Të forcohen mekanizmat e kontrollit

Profesori i së drejtës, Riza Smaka, ka veçuar se me të madhe shushurihet se sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial nuk funksionojnë as përafërsisht si do të duhej të funksionin, që d.m.th. ka defekte të mëdha për faktin e padiskutueshëm siç tha se ekziston një numër i madh i lëndëve të pakryera."Tjetra është se jo rrallëherë lëndët merren jo sipas radhës kronologjike kohore, por sipas ndërmjetësimeve, ndërsa tash ndërmjetësimet mund të jenë të kryqëzuara qoftë nga instancat më të larta të pushtetit publik, administrativ, apo gjyqësor apo prorkurorial, ku mund të jenë edhe horizontale nga linjat e kooperimeve, po e zëmë avokatigjykatësi, avokati- prokurori, pala që e angazhon personin e caktuar, ndërsa u mor vesh se ato ndërmjetësime nuk bëhen teknikisht dhe mekanikisht, por ato janë të mbështetura me benifite dhe me privilegje që janë format korruptive të ndryshme, pra këto janë që supozohet se ekzistojnë dhe gjendja është e këtillë", spikati për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës, Riza Smaka. Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka nënvizuar se për ta ndryshuar dhe reformuar në tërësi gjendjen në sistemin e drejtësisë është e nevojshme që të forcohen dhe avancohen mekanizmat dhe instrumentet e brendshme të kontrollit dhe të përgjegjësisë ndaj bartësve të funksioneve përkatëse të drejtësisë. "Prandaj në çoftë se do të ngadhënjente dhe fillonte kjo për rrjedhojë do të kishim edhe shtim të përgjegjësisë, por edhe luftim të dukurive negative në drejtësi, siç është drejtësia selektive, ndikimet nga jashtë etj.", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Mazllum Baraliu. Sipas tij, KGJK dhe KPK, pastaj inspektoratet, menaxhmentet e gjykatave dhe administrata, duhet të rrisin intensitetin e angazhimit dhe përgjegjësisë së tyre, si dhe ngritjen e efikasitetit në kryerjen e punëve dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

(Kosova Sot)