Gjyqtarë, prokurorë dhe hetues janë marioneta të politikanëve të korruptuar

  • 11 December 2017 - 07:49
Gjyqtarë, prokurorë dhe hetues janë marioneta të politikanëve të korruptuar

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë konsiderojnë se politika kosovare po tenton të mbulojë dështimet e saj në sistemin e drejtësisë duke kritikuar kështu EULEX- in për dështim, e që në fakt pjesë e këtij misioni të " korruptuar" në njëfarë mënyre kanë qenë edhe vetë prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë. Sipas tyre, më pozitive dhe e arsyeshme do të ishte që vetë drejtësia kosovare të jetë në gjendje të marrë guximin për të trajtuar vetë çfarëdo rasti të rëndë apo profili të lartë, pa marrë parasysh se për cilët zyrtarë të lartë të shtetit apo mafiooligarkë bëhet fjalë. Ndaj ata kanë shtruar edhe çështjen se përse Prokuroria Speciale nuk e merr as edhe një hap për t'i hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e rënda të krimit të organizuar, sikur në anën tjetër as gjykata për t'i gjykuar dhe dënuar ato raste kriminale dhe kryesisht për krim të organizuar dhe kërcënim të sigurisë kombëtare e shtetërore!. Profesori universitar, Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën "Kosova Sot" se ne kemi dështim total të sistemit të drejtësisë dhe përveç tij kanë dështuar Policia e Kosovës, Prokuroria dhe i tërë sistemi gjyqësor në vend."Natyrisht se kurrë nuk mund të shërohen këta mekanizma pa shërimin e politikës, përkatësisht të pushtetit shtetëror. Për të arritur te shërimi dhe ndërtimi i sistemit të së drejtës dhe ligjor janë disa çështje që duhet të rregullohen. 1. Për Policinë e Kosovës kërkohet të nxirret një ligj mbi pastërtinë e figurave policore, duke shkuar në rrugën e përzgjedhjes së kuadrit. 2. Në ndërrimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, sepse ky këshill është i paaftë dhe nën ndikimin e politikës dhe të grupeve oligarkike ekonomike të krijuara në Kosovë. Dhe, ky mekanizëm nuk e bën spastrimin e gjyqësorit pa spastrimin e vet dhe 3. Në spastrimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe të përzgjedhjes së prokurorit të Shtetit mbi bazën e kualitetit dhe të profesionalizmit, duke pasur për bazë edhe të kaluarën. Me masat e tilla spastrohet sistemi i së drejtës dhe arrijmë te një sistem ligjor", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Muhamet Kelmendi.

Image

Miftari: Kuçi e Thaçi ia dhanë të mbrapshtën drejtësisë

Analisti Naim Miftari thotë se dështimi i UNMIK-ut dhe i EULEX-it janë të lidhur me politikën vendore, e cila shpeshherë e lidhur direkt me krimin e organizuar i ka korruptuar zyrtarët ndërkombëtarë të drejtësisë, të cilët kanë shfrytëzuar rastin të pasurohen sa më shpejt që kanë pasur mundësi, pasi atyre pas një kohe u mbaronte misioni në Kosovë. Por, sipas tij, dështimi më i madh u bë në drejtësinë e Kosovës, pasi u shpall pavarësia, ngase kishte ministra të drejtësisë, por edhe gjyqtarë, prokurorë, hetues që ishin marioneta të politikanëve të korruptuar dhe kriminelë që njërën dorë e kishin në pushtet, kurse tjetrën e kishin në krimin e organizuar e në mafi."Ndërsa shumicën e fajit për dështimin e drejtësisë së Kosovës e mban PDK-ja me Hajredin Kuçin si ish-ministër i Drejtësisë, por një pjesë më të vogël e ka edhe LDK-ja, e cila ishte edhe vetë në pushtet. Sot kritikat ndaj dhe kundër misionit të ligjit të Bashkimit Evropian, EULEXit, janë të arsyeshme, por e kuptoj kur për shembull ligjin ndërkombë- tar dhe defektet e tyre i kritikojnë familjarët e ndonjë rasti që u janë dënuar të afërmit e tyre, që janë dëmtuar rëndë e padrejtësisht nga ky mision Evropian, por nuk mundem ta justifikoj kurrsesi kritikën ndaj EULEX-it kur kjo kritikë vjen nga presidenti Hashim Thaçi, i cili vetë personalisht mban fajin kryesor dhe barrën kryesore për dështim të drejtësisë në Kosovë. EULEX-i është instaluar sikurse tani Gjykata Ndërkombëtare, pikërisht pasi ne si shtet dështuam të bëjmë drejtësi ligjore, por bënim drejtësi politike dhe krahinore, pra nuk bënim fare drejtësi ligjore", është shprehur analisti Naim Miftari për gazetën "Kosova Sot". Tutje ai ka shtuar: "Edhe EULEX-i dhe tani Gjykata Speciale është formuar dhe është aprovuar nga politikanët tanë, nga shumica, dhe prapë instalimi i këtyre institucioneve ndërkombëtare te ne ka pasur ndihmën kryesore nga vetë Hashim Thaçi. Sot ky për ta mbuluar dështimin e vet së pari kritikon dështimin e EULEX-it, mision që e kishte sjellë pikërisht presidenti ynë, në atë kohë kryeministër, prandaj nuk ka të drejtë të kritikojë të dështuarit e tjerë që i kishte sjellë vetë për ta amnistuar vetveten".

Image

Duhet një ringjallje e përgjithshme e sistemit të drejtësisë

 Analisti Naim Kelmendi konsideron se politika kosovare po tenton të mbulojë dështimet e saj në sistemin e drejtë- sisë, duke kritikuar kështu EULEX-in për dështim, e që në fakt pjesë e këtij misioni të "korruptuar" në një farë mënyre kanë qenë edhe vetë prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë. Po sipas tij, më pozitive dhe e arsyeshme do të ishte që vetë drejtësia kosovare të jetë në gjendje që të marrë guximin për të trajtuar vetë çfarëdo rasti të rëndë apo profili të lartë, pa marrë parasysh se për cilin zyrtar të lartë të shtetit apo mafio- oligarkë bëhet fjalë."Por, siç po shihet, Prokuroria Speciale nuk e merr as edhe një hap për t'i hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e tilla të rënda të krimit të organizuar, sikur në anën tjetër as gjykata për t'i gjykuar dhe dënuar ato raste kriminale dhe kryesisht për krim të organizuar dhe kërcënim të sigurisë kombëtare e shtetërore. Por, si duket, sistemi i drejtësisë sikur ka rënë në komë të thellë, pasi as që është në nivelin e detyrës së krijimit të funksionimit të shtetit të së drejtës, derisa këtë ndjenjë e këtë besim nuk e ka qytetari i Kosovës në këto institucione të drejtësisë, ngase ky sistem nuk mund të quhet sistem drejtësie me këtë gjendje ku është katandisur", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Shton se duhet një ringjallje e përgjithshme me njerëz të përgjegjshëm, me gjyqtarë e prokurorë me integritet, me bazë në etikën e profesionit dhe njerëzore, ashtu sikur është çdo kund në Evropë."Vërtet jemi larg standardeve evropiane të funksionimit të sistemit gjyqësor dhe prokurorial për të qenë në nivelin e duhur sikur e kërkon vetë standardi evropian", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Hasan Preteni, nga Qendra për etikë, transparencë dhe integritet, ka thënë shkurt se për detyrat tuaja nuk mund të ngarkoni askënd."Kosova i ka institucionet e veta, legjislacionin, buxhetin e mjaftueshëm, paga të dinjitetshme dhe infrastrukturën në nivel. Ata kanë privilegje, por sjellje hipokrite. Detyrimi për llogaridhënie do ta ndërrojë këtë qasje dhe këtë situatë", deklaroi për gazetën "Kosova Sot" Hasan Preteni.

(Kosova Sot)