Dy Dardanët & Shpendi kundër Albinit, krimi i organizuar edhe në VV

  • 12 December 2017 - 07:50
Dy Dardanët & Shpendi kundër Albinit, krimi i organizuar edhe në VV

Jetëgjatësia e partive politike në institucione dhe mungesa e një shteti ligjor në Kosovën e pasluftës, si një shoqëri në tranzicion e formësim pluralist, sipas analistëve, ka bërë që të gjitha subjektet të mbeten fundamentalisht të pareformuara, thellësisht të inkriminuara, pa dallim në pozitë apo në opozitë, sepse këtë e ka mundësuar lidhja e tyre me mafio-oligarkinë e krimit të organizuar dhe bizneseve të pista, që duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin në të dyja nivelet e tij i kanë përhapur korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe i kanë degraduar të gjitha subjektet politike, duke e infektuar kështu secilin institucion shtetëror apo komunal. Në këtë rrafsh nuk mbeti pa u infektuar as Lëvizja VETËVENDOSJE, e cila me këto zhvillimet e fundit u dëshmua se ka rrëshqitur në degradim të thellë, gjë për të cilën gazeta "Kosova Sot", gati si e vetme ka raportuar tanimë rreth dy vite me radhë. Analistët politikë konsiderojnë se këtij procesi të devijimit nga kauza e drejtë e paraqitur në lindjen e këtij subjekti politik i kanë prirë në prapaskenë lidhjet kriminale, që i kanë kontribuar fragmentimit dhe kriminalizimit të VVsë, kryesisht nga treshja e organizuar: Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj, si grup që shkelin mbi çdo gjë që u del përpara, vetëm e vetëm për përfitime të mëdha materiale në bashkëpunim me krimin e organizuar. Sipas analistëve ky grup edhe po i luan lojërat e ndyta të stilit të tipit të Hysamedin Azemit, që dikur hiqeshin të majtë, por realisht ishin kapitalistët e lukseve mbi fukarallëkun e njerëzve të mashtruar e të nëpërkëmbur nga politika. Prandaj, tani edhe qëllimi kryesor i mandatit të ri të Shpend Ahmetit , i cili në mandatin e parë dështoi tërësisht, përveç që shijoi shëtitjet me jahtet e të inkriminuarve dhe bëri keqpërdorime të detyrës zyrtare deri në inkriminim të thellë me krimin e organizuar, duket që do të jetë vetëm që t'i 'kurorëzojnë' marrëveshjet e jahteve, me vjedhjen e mashtrimin që kanë planifikuar ta bëjnë përmes plaçkitjes e shitjes së disa hapësirave e tokave të shtetit prej disa dhjetëra hektarëve të tokave të shtrenjta në qendër e zemër të Prishtinës, kinse përmes partneritetit "PPP" publiko-privat, por në fakt "pa lekë" dhe vetëm për "hesap", llogari e interes të mafiooligarkisë së inkriminuar, të nëntokës e të klanit e klientelës "Pronto", të cilit në fakt qëmoti i përkasin realisht! Edhe përkundër pyetjeve të dërguara kryetarit të Prishtinës,Shpend Ahmeti, ai sërish ka zgjedhur, si zakonisht,që të mos përgjigjet në pyetjet e gazetës "KOSOVA SOT". As Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj nuk janë përgjigjur.

Image

Matrapazët e nxorën kokën Analisti Reshat Badallaj pohon se krimi i organizuar nga rrjeti kriminal në Kosovë e ka origjinën që nga majat e larta shtetërore dhe nga mafio-oligarkët, duke zhvilluar biznese, që ai i quan rrjet kriminal, sepse biznese ka edhe në botën e qytetëruar, por kjo që po ndodh në Kosovë, sipas Badallajt, është tamam rrjet kriminal i organizuar mirë nga bandat e nëntokës. Edhe Badallaj thotë se thellësisht në këtë rrjet është futur VV-ja, që në testin e parë të qeverisjes me Prishtinën, dhe do të futet akoma më shumë pas marrjes së mandatit të dytë."Ka kohë që kemi vërë në pah se ne këtë rrjet kriminal jo vetëm që ka hise, por janë të kapur gisht për gisht në këtë valle krimi edhe klubi i 'Vetëvendosjes' që këtyre ditëve jo vetëm që u zbardh, por doli ashiqare në pazar. Dhe doli ajo që kemi thënë pandërprerë se pjella e titistit Shpend Ahmeti, ky bisht dredhur, bashkë me sejmenët tjerë: Dardan Sejdiun, Dardan Molliqajn dhe ndonjë këlysh aty rrotull, janë vetëm mashtrues, dilenxhinj dhe matrapazë. Sepse këta nuk njihnin dhe respektonin as shtet, as ligj, as Kushtetutë të vendit, vetëm shikonin se ku ka përfitime të mëdha materiale, të ardhura nga krimi i organizuar i kanaleve të nëntokës kriminale pa më të voglin dyshim", u shpreh ai. "Ky grup mafiozësh ndryshe flisnin dhe ndryshe vepronin, flisnin vetëm sa për të hedhur pluhur syve popullit dhe kurse natën ishin në gjahun e shtrigave dhe mbushjen e xhepave të tyre dhe punë e madhe që popullin e ka prekur fukarallëku deri në palcë", tha Badallaj për "Kosova Sot". Sipas tij, këta ishin dhe vazhdojnë të jenë lojëra të ndyra të këtyre matrapazëve dhe mashtruesve.

Image

Politika kosovare, thellë e inkriminuar

 Analisti tjetër, Jeton Kelmendi, thekson se është pak sa e vështirë të nxirret konstatimi nëse mafio-oligarkët kanë ndikuar në inkriminimin e partive politike apo vetë partitë politike janë struktura mafioze dhe këta njerëz, mafio-oligarkët po përdoren pastaj nga mafia. Sidoqoftë edhe ai pajtohet se politika kosovare është thellë e inkriminuar, e për fat të keq edhe subjekti më i ri politik, VV-ja, që u testua me Prishtinën. "Mendoj se Shpend Ahmeti ka qenë një kopje e keqe e Isa Mustafës, sidomos në dy vitet e vendit, pra Prishtina duke shpresuar se po ndryshon pak a shumë në të vërtetë ka ndryshuar pak vetëm në dy vitet e para, ndërsa në dy vitet e fundit ka qenë edhe më keq sesa që ka qenë nga Isa Mustafa. Por, në fakt dallimi mes tyre ka qenë se Shpend Ahmeti ka qenë më i pamençur se Isa Mustafa dhe kriminaliteti ka vërshuar me ndërtime dhe me lidhjet e dyshimta që ka vazhduar", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot".

Politika e inkriminuar deri në fyt

Profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi, konsideron se inkriminimi i politikës në paligjshmëri, nëpërmes ligjeve kriminale me rrjetet e oligarkëve, është një sëmundje kronike e të gjitha vendeve në tranzicion, e të cilën tani po e vuan edhe Kosova. "Këta mafiozë e forcuan pushtetin e vet ekonomik me kapjen e pushtetit politik. Tash kemi kapje në nivel qendror dhe lokal. Kapje të pushtetit gjyqësor dhe prokurorial; kapje të këshillave gjyqësorë dhe prokurorialë. Kemi ndikim në polici dhe kudo në pushtet. E tillë u bë gjendja edhe nëpër komuna. Nuk ka vend që nuk ka lidhje të tilla. Kemi kapje të pushtetit në Prishtinë nga Devolli në Pejë, nga ETC-ja në Llap dhe në Mitrovicë. Kështu është edhe në Ferizaj dhe në Gjilan. Kudo u kap pushteti. Në qendër kemi lidhje të forta midis pushtetit politik dhe atij ekonomik. Vetëm penalet nga kontrata me 'Bektel Enkën' shkojnë deri në 63 milionë euro. Këto janë humbje të buxhetit. Dikush duhet të përgjigjet penalisht, sepse kjo është mjerim", tha profesor Kelmendi për "Kosova Sot". Ndërsa analisti Mustafë Kadrijaj konsideron se kjo lidhje e politikës më krimin dhe anasjelltas krimit me politikën, është një kancer i shoqërisë së re të Kosovës, i ndikuar nga një tradicionalizëm i mbrapshtë i përvojës ballkanike. "Mendoj që në realitetin ballkanik tanimë është normale zhvatja dhe oligarkia edhe tek spektri politik. Edhe në Kosovë që nga paslufta kjo e keqe është rritur në vazhdim, pa u penguar nga askush. E dhimbshme është kjo gjendje, sepse mekanizmat kompetentë nuk po i kanë duart e lira që ta kryejnë detyrën e tyre për qytetarin, e që është vetëm zbatimi i ligjit", theksoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, këto zhvillime që ndodhën këto ditë janë shembulli më i mirë që flet se edhe 'Vetëvendosja' është si tjerat, si për nivelin e komunikimit dhe për njerëzit profiterë, që e shfrytëzojnë partinë për përfitime personale dhe të grupit të caktuar brenda subjektit.

Image

GURAZIU: PLANET KRIMINALE TË GRUPIT TË SHPEND AHMETIT, DARDAN SEJDIUT, DARDAN MOLLIQAJT NË PRISHTINË

Se ky pushtet në këtë mandat ka një qëllim kriminal e pohon analisti Ragip Guraziu. "Grupi i Shpend Ahmetit, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, është si ai do herë i Hysamedin Azemit, që hiqeshin të majtë, por realisht ishin kapitalistët e lukseve mbi fukarallëkun e njerëzve të mashtruar e të nëpërkëmbur nga politika. Konsideroj se mafio-oligarkia e krimit të organizuar dhe biznesit të pistë është ajo që ka inkriminuar të gjitha partitë pa dallim, që duke shfrytëzuar lidhjet me pushtetin në të dyja nivelet e tij, që 18 vjet edhe pas pavarësimit të Kosovës e ka përhapur korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe i ka degraduar të gjitha subjektet politike, duke e infektuar kështu secilin institucion shtetëror apo komunal", u shpreh ai."Zbardhja së fundi edhe degradimi i thellë në VV është një fakt të cilin gazeta 'Kosova Sot', si gati e vetme, e ka raportuar tanimë rreth 2 vjet me radhë, derisa është i pamohueshëm fakti se këtij degradimi dhe fragmentimi i kanë prirë në prapaskenë, madje dhe kriminalizimit të VV-së, kryesisht treshja e organizuar: Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu dhe Dardan Molliqaj, si grup që shkelin mbi çdo gjë që u del përpara, vetëm e vetëm për përfitime të mëdha materiale në bashkëpunim me krimin e organizuar", vijoi më tutje Guraziu. "Shpend Ahmeti, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj dhe klika e tyre realisht janë një pjesë e rrjetit të krimit të organizuar dhe deri më tani kanë luajtur rol para opinionit publik, duke u shitur si diçka që nuk janë, i cili rezultoi të jetë qëllimi kryesor i mandatit të ri të Shpend Jahtit, që në mandatin e parë dështoi tërësisht, përveçqë shijoi shëtitjet me jahtet e të inkriminuarve dhe bëri keqpërdorime të detyrës zyrtare deri në inkriminim të thellë me krimin e organizuar, që t'i 'kurorëzojnë' marrëveshjet e jahteve, me vjedhjen e mashtrimin që kanë planifikuar ta bëjnë përmes plaçkitjes e shitjes së disa hapësirave e tokave të shtetit prej disa dhjetëra hektarëve të tokave të shtrenjta në qendër e zemër të Prishtinës, kinse përmes partneritetit "PPP" publiko-privat, por në fakt "pa lekë" dhe vetëm për "hesap", llogari e interes të mafio-oligarkisë së inkriminuar të nëntokës e të klanit e klientelës "Pronto", të cilit në fakt që moti i përkasin", tha Guraziu për "Kosova Sot". Ragip Guraziu

Image

MEHMETI: DY DARDANËT DHE SHPENDI JANË ORKESTRUESIT SE SI TA RRËZOJNË ALBININ , E PASTAJ PËRMES FINANCIMIT NGA DEVOLLËT TË SHTRIJNË NDIKIMIN EDHE MË GJERË

 Ndërsa analisti Faton Mehmeti thotë se, sidomos tani, dalja në publik e mesazheve të anëtarëve të VV-së, ku fyhej simboli i kësaj partie, Albin Kurti, kryesisht nga Aida Dërguti, nuk ka qenë fyerje momentale, por vetëm sa ka nxjerrë në shesh të palarat e grumbulluara në këtë parti politike."Kjo në fakt ka nxjerrë në shesh një të vërtetë, që disa e kanë ditur e disa jo, se brenda VV-së janë dy rryma. Njëra rrymë që kryesohet nga Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu, që kanë me vete edhe Shpendin, ndërsa në anën tjetër Albin Kurti me disa të tjerë. Rryma e parë, që kryesohet nga Dardanët, është me ekstremiste dhe me radikale. Kjo rrymë përflitet që është e zhytur në afera korruptive, të mbështetur nga Devollët, përmes të cilave kanë marrë para të majme për të marrë tenderë në komunën e Prishtinës. Pikërisht te Devollët dolën në pah ndasitë e thella, kryesisht në jahtin e famshëm, kur Albini i cilësoi Devollët kriminelë, ndërsa Shpendi jo. Këtu u pa se brenda VV-së s'po shkojnë gjërat siç duhet, andaj mesazhi i Aidës i pasqyron më së miri ndasitë brenda kësaj partie", theksoi ai. "Kjo treshe, dy Dardanët dhe Shpendi, janë orkestruesit se si ta rrëzojnë Albinin nga pushteti, për të marrë drejtimin e VV-së e pastaj përmes financimit nga Devollët të shtrijnë ndikimin edhe më gjerë, jo vetëm në Prishtinë", ka vlerësuar Mehmeti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)