Partitë mashtruese po tallen me sovranin

  • 15 December 2017 - 08:15
Partitë mashtruese po tallen me sovranin

Humbja e besimit te qytetarëve në politikën e Kosovës, që po reflektohet nga zgjedhjet në zgjedhje, mandat pas mandati, si në nivelin lokal edhe në atë qendror, sipas analistëve politikë, është pasojë e sjelljes injorante të partive pas marrjes së pushtetit nga ana e tyre. Analistët vlerësojnë se në fakt të gjitha subjektet, pas marrjes së votave nga qytetari, vetëm po tallen me popullin, pasi në momentin kur po e marrin pushtetin, po vrapojnë ekskluzivisht për interesat klienteliste dhe zhvatjes së milionave, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, korrupsionit e deri te inkriminimi i thellë në krimin e organizuar. Sipas analistëve, një zbardhje e fytyrave të tilla injorante dhe mospërfillëse të partive politike, pa dallim, u vërejt edhe pas zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale, duke e përfshirë edhe VV-në, që në momentin kur po e marrin pushtetin, e që do thotë se në momentin kur po nuhasin paranë, privilegjet, përparësitë, po e harrojnë çdo gjë tjetër që i takon popullit e sovranit, për t'iu përkushtuar vetëm zhvatjes, hajnisë dhe krimit. Analisti politik Gani Qarri tha për "Kosova Sot" se nga zhvillimet e deritanishme është dëshmuar se të gjitha partitë politike në Kosovë, qysh në ditët e para të fushatave parazgjedhore, premtojnë kushte dhe investime marramendëse, të cilat shkojnë në vlera milionëshe dhe tingëllojnë joshëse për fshatra dhe qytete. Por, sipas tij, ato ofrojnë në mënyrë të pambuluar e paushall edhe punësim më të madh, shkollim cilësor, furnizim të pandërprerë me energji elektrike dhe ujë të pijshëm, heqje vizash, lëvizje të lirë si dhe të mira të pambarim-materiale për të gjithë, gjëra këto, për të cilat vërtet qytetarët e Kosovës kanë shumë nevojë, megjithatë nuk realizohen kurrë.

Image

Fytyra e vërtetë duket pas zgjedhjeve

Sipas Qarrit, me të përfunduar zgjedhjet dhe ngjitur në pushtet, shihet se krejt ato ishin mashtrime për qytetarin, pas të cilave del në pah e vërteta e hidhur, se pothuajse të gjitha partitë politike pa dallim, pozitë dhe opozitë, gjatë gjithë kohës vetëm sa janë tallur me popullin, ngase asnjëra prej tyre nuk e ka mendjen te mbajtja dhe përmbushja e premtimeve të dhëna, por te marrja e pushtetit, përfitimet politike, zhvatja e sa më shumë milionave, keqpërdorimet e vazhdueshme të detyrave zyrtare, zhvillimit të interesave klienteliste, e deri te inkriminimi i thellë në korrupsion dhe krim të organizuar. "Fytyra e vërtetë e partive tona politike shfaqet menjëherë pas zgjedhjeve parlamentare si dhe atyre lokale në vend, pa përjashtuar edhe VV-në, e cila shkaku i interesave kontroverse korruptive dhe inkriminuese të dy grupeve më të mëdha, përbrenda saj, po kalon ditët më turbulente që nga krijimi i vet si subjekt politik", u shpreh ai. "Parti të inkriminuara politike, të cilat që në momentin kur e marrin pushtetin, harrojnë premtimet e bëra gjatë fushatës parazgjedhore, dhe koncentrohen tërësisht në nuhatjen e përfitimeve, parasë, privilegjeve dhe përparësive profitabile, duke mos përmbushur asgjë të premtuar dhe që ka të bëjë me nevojat e popullit", vijoi më tutje Qarri. "Gjithë përvoja e deritanishme ka dëshmuar se ato i përkushtohen vetëm zhvatjes, hajnisë e krimit të organizuar, pa të cilat nuk mund të mbijetojnë si parti as dirigjojnë emërimin e personaliteteve të preferuara në pozitat kryesore të shtetit, përmes të cilëve sidomos klani "Pronto", siguron mosndjekjen penale dhe mbetjen e përhershme në pushtet, gjë që po e shihet e vërtetohet katërçipërisht edhe nga përgjimet e fundit të shfaqura në medie",ka theksuar Qarri për "Kosova Sot".

Radhës së mashtruesve iu bashkua edhe VV-ja

 Gjykim negativ për sjelljet e partive politike gjatë dhe pas fushatave zgjedhore, kur ato marrin pushtet dhe rehatojnë klientelat e tyre, ka edhe Ali Hertica. Ai thotë se për fat të keq një traditë të tillë të mbrapshtë kryesisht e gjen te subjektet politike në gjithë trojet shqiptare, ku demokracia akoma është e nivelit të brishtë. "Nuk thuhet më kot, se e keqja më e madhe shqiptarëve u vjen nga vetë shqiptarët, si dhe përçarja më e madhe e shqiptarëve po ashtu u vjen nga vetë shqiptarët", theksoi ai. "Le të japim goditjen përfundimtare në rrënjët e së keqes së atyre milionerëve dhe oligarkëve që e zhvatën pasurinë e qytetarit vetëm duke u tallur, e ku në këtë tallje kanë hise të gjitha subjektet politike", apelon Hertica. Sipas tij, për fat të keq, në vorbullën e partive mashtrimtare e të inkriminuara u fut shpejt edhe Lëvizja "VETËVENDOSJE", sidomos pas zgjedhjeve të fundit në kupolën e saj drejtuese. "Me ardhjen në shprehje, në krye të saj, të Visar Ymerit si lider i ri de jure, por asnjëherë faktik, po ashtu edhe me aderimin e partisë FER me në krye Shpend Ahmetin, tezak i Visar Ymerit, Lëvizja 'Vetëvendosje', përkundër rritjes, filloi të degradohet në parimet që i kishte në fillim. Ndryshimet në këtë subjekt politik përfundimisht duhet të sjellin frymë të re dhe të pastruar nga hipoteka e së kaluarës së afërt kriminale", potencoi për "Kosova Sot", Hertica. Ndërsa prof. Muhamet Kelmendi thotë për "Kosova Sot" se në fakt të gjitha partitë politike janë futur thellë në dukuritë antishtetërore. Ato, sipas Kelmendit, për interesa të ngushta, qoftë politike, qoftë grupore, qoftë të pasurimit individual, janë shndërruar në asete të krimit ekonomik dhe të grupeve mafioze ekonomike. "Nuk ka aktualisht asnjë subjekt që në një mënyrë a tjetër nuk janë lidhur me ato veprimtari kriminale. Të vjen shumë rëndë kur shikon të tërë pasurinë e Kosovës që është privatizuar dhe është shndërruar në asete të krimit. Kosova si shtet ka humbur tokën e vet. Kudo është privatizuar më mënyra më kriminale dhe tash atje ndërtohen dhe shiten ato toka si parcela. Asnjë privatizim i tokës nuk iu ka përmbajtur fushës së përcaktuar", tha Kelmendi për "Kosova Sot".

Image

Klanet zhvatëse uzurpuan partitë

Analisti Faton Mehmeti thekson se, për fat të keq, në Kosovë është keqkuptuar skajshmërisht besimi dhe mirësia e qytetarëve ndaj partive politike, dhe ajo ka shkuar deri në keqpërdorimin e këtij besimi nga këto të fundit, të cilat pa fije turpi kanë vazhduar me gënjeshtra dhe mashtrime, të gjitha pa asnjë përjashtim. "Derisa janë në opozitë partitë politike shtiren si engjëj, ndërsa kur vijnë në pushtet zbardhin fytyrën e tyre djallëzore. Edhe VV-ja po shihet se është e përfshirë në këtë nivel të ulët të të bërit politikë, pasi klani i Dardanit ka përfshirë këtë parti. Kjo po del në pah çdo ditë dhe si e tillë duhet të injorohet nga qytetarët, të cilët s'duhet të mbështesin njerëz me dy fytyra", tha Mehmeti në bisedë me "Kosova Sot". Sipas tij, Kosova vuan nga të bërit politikë, me ndihmën e së cilës ajo mund të bëhet shtet i së drejtës, por këtu s'ka politikë, veç vjedhje dhe zhvatje. Mehmeti po ashtu theksoi se Kosova është shtet i të gjithëve dhe jo vetëm partive politike, ajo s'duhet të lejojë që të vuajë edhe më shumë nga politika e inkriminuar, por qytetarët duhet t'i ndëshkojnë ata që Kosovën e shohin vetëm si "bankomat" për mbushjen e xhepave të tyre , e jo si atdhe për të jetuar aty dhe për ta zhvilluar atë. Ndërsa, analisti Ragip Guraziu thotë se është tepruar me këtë sjellje të papërgjegjshme të partive politike, veçmas për një dekadë të plotë që nga shpallja e pavarësisë së vendit. Ai potencon se është koha e ndëshkimit të pamëshirshëm të kësaj kaste politike nga votuesi i mashtruar. " Tallja që po bëhet me qytetarin ,pothuaj nga të gjitha partitë politike me popullin, pasi kur po e marrin pushtetin, po vrapojnë ekskluzivisht pas pushtetit për interesat klienteliste dhe zhvatjes së milionave, keqpërdorimit të detyrës zyrtare, korrupsionit e deri te inkriminimi i thellë në krimin e organizuar, duhet të ndëshkohet me votë, sepse kjo ua zbardhi mjaftueshëm fytyrat e vërteta të të gjitha partive politike, pa dallim, edhe pas zgjedhjeve parlamentare dhe atyre lokale, duke e përfshirë edhe VV-në, që në momentin kur po e marrin pushtetin", u shpreh Guraziu për "Kosova Sot".

Mungoi politikëbërja serioze

Analisti Dardan Grapci konsideron se politikëbërje serioze në Kosovë nuk ka pasur që nga vdekja e presidentit historik Ibrahim Rugova e këndej. "Politika në Kosovë nuk është serioze, politika në Kosovë më shumë i ngjan një grupi mafioz sesa një Kuvendi ku mund të flasin për problemet e qytetarëve. E them këtë për shkak se në Kuvend del ligji për luftimin e kontrabandës, kurse vetë politikanët pas seancave në Kuvend bëjnë marrëveshje ilegale se si të kontrabandojnë në rrugët dytësore, për të fituar miliona euro brenda natës", u shpreh ai. "Sa i përket VV-së, për mendimin tim, këta duhet të shuhen si parti, por edhe si Lëvizje, sepse që nga krijimi asgjë pozitive nuk kanë sjellë në Kosovë, por vetëm sa e kanë thelluar krizën politike në Kosovë, si dhe me sjelljet e tyre i kanë bërë dëme Kosovës, duke treguar haptas që ata nuk e duan shtetin dhe simbolet e tij, flamurin e Kosovës, e as liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës", tha Grapci për "Kosova Sot". Ndërsa, analisti Skënder Mulliqi pohon se praktikat e vjetra të mashtrimit dhe të manipulimeve nga ana e partive politike karshi sovranit, i pamë gjatë krejt kohës së pasluftës dhe nuk u ndalën në asnjë fazë të zhvillimit të shtetit. "U keqpërdor me të madhe vota, nuk u realizuan premtimet reale, patëm edhe premtime megalomane dhe vështirë për t'u përmbushur, kurrë nuk u bënë transparente sa duhet shpenzimet e parasë publike, as burimet e tjera financiare për fushatat zgjedhore. U shpenzuan paratë edhe për destinime përfituese e zhvatëse. Këtë shtet e ka mbuluar korrupsioni, hajnitë dhe keqpërdorimet e pronës shoqërore. Dukuritë negative nuk po luftohen nga pushtetet e pasluftës, se shumëkush nga njerëzit e politikës, parapolitikës dhe të biznesit janë implikuar në forma të ndryshme në krim dhe korrupsion", theksoi ai. "Edhe pse lufta kundër korrupsionit është kusht për liberalizim të vizave, siç e përmendi këtë sërish ambasadori amerikan në Kosovës Greg Delavi, kjo gjë ende nuk po merret sa duhet seriozisht nga organet e shtetit. Të gjitha raportet ndërkombëtare flasin se jemi ende larg demokratizimit si shoqëri dhe si shtet", vijoi më tutje Mulliqi për "Kosova Sot". Sipas tij, prezenca e korrupsionit, krimit të organizuar, jofunksionimi i përmasave të duhura i drejtë- sisë, mungesa e llogaridhënies dhe ndëshkimit janë disa nga faktorët, të cilët e kanë degraduar shtetin e Kosovës.

(Kosova Sot)