Deputetët hajdutë e nxjerrin Kuvendin jashtë funksioni

  • 15 December 2017 - 13:39
Deputetët hajdutë e nxjerrin Kuvendin jashtë funksioni

Bazuar në volumin e punës legjislative të Kuvendit të Kosovës në këtë sesion vjeshtor, i cili deri në seancën e fundit pati shënuar vetëm dy ligje të miratuara, analistët politikë e vlerësojnë atë si një  instrument krejt jofunksional. Që nga konstituimi i tij në shtator të këtij viti e deri më tash, nga 18 ligjet e parapara në agjendë i ka realizuar vetëm dy të tillë. Përveç procesit ligjvënës, pikë e dobët  vazhdon të mbetet edhe anashkalimi i debatit dhe diskutimeve për temat me rëndësi që i shqetësojnë qytetarët. Kjo sipas analistëve dëshmon për faktin se kjo legjislaturë do të mbetet tërësisht e dështuar, sepse ka në përbërje edhe protagonistë të inkriminuar që kanë marrë e blerë votat edhe në zgjedhjet e fundit të qershorit 2017 dhe nuk e kanë besimin e pastër të qytetarit. Sipas analistit Florim Zeqa, institucioni më i lartë ligjvënës në vend, përveçse jo funksional dhe i dështuar, është bërë edhe instrument i Qeverisë dhe grupeve tjera të interesit. “Mosmarrja e Kuvendit me temat kruciale për vendin dhe me temat që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve, dëshmon më së miri faktin e dështimit të kësaj legjislature që në fillimin e punës së saj”, u shpreh ai.“Po ndodh pikërisht kështu për faktin se protagonistët kryesorë të kësaj legjislature në Kuvendin e Kosovës kanë ardhur me vota të vjedhura nga zgjedhjet e 11 qershorit të këtij viti, andaj nuk e qajnë hallet e popullit”, tha Zeqa për “Kosova Sot”.

Përfaqësim zhgënjyes

Analisti Blerim Burjani thotë se Kuvendi është gati tërësisht i  bllokuar. “Kuvendi edhe në vijim të sesionit të ardhshëm do të jetë  një organ formal, jofunksional, si rezultat i një koalicioni të dobët dhe të përkohshëm. Puna e këtij Kuvendi është më shumë një lloj improvizimi. Realisht edhe kjo legjislaturë e Kuvendit, sikurse shumica e legjislaturave të kaluara, është në përbërje me deputetë shumë të dobët dhe pa iniciativa të trajtimit të çështjeve për diskutim në interesin publik”, u shpreh ai. “Në fakt duket që këta deputetë nuk janë të aftë dhe as që mund të përgatiten për të bërë diç të mirë në interesin e përgjithshëm publik, por ata po shkojnë aty vetëm për paga”, tha Burjani për “Kosova Sot”. Ndërsa analisti Hidajet Ahmeti pohon se në historinë politike të pasluftës Parlamenti  i Republikës nuk ka përfaqësuar vlera morale e intelektuale që është dashur të përfaqësojë. “Gjykoj se nuk kemi një përfaqësim real të vullnetit qytetar, pasi që një pjesë e deputetëve kanë siguruar mandatin e tyre falë bizneseve të tyre, duke blerë vota, shantazhuar e kërcënuar punëtorët. Kurse një pjesë tjetër ka përdorur mekanizmat e pushtetit për të keqpërdorur vullnetin qytetar, duke punësuar njerëz, duke shantazhuar me vendin e punës që kanë, e duke keqpërdorur paranë publike përmes tenderomanisë. Gjykoj se interesi i çdo partie politike ka qenë afrimi i biznesmenëve të fuqishëm brenda partive politike, jo për të përfaqësuar vlera morale e intelektuale, por për të rritur votën e partisë përmes mekanizmit të pushtetit biznesor”, tha Ahmeti për “Kosova Sot”. Sipas tij, ky dështim i kësaj legjislature duhet të jetë reflektim për qytetarët e lodhur nga ky mjerim socio-ekonomik, duke ndëshkuar partitë politike dhe deputetët e heshtur.

Image

 Zgjimi i Kuvendit, vitin tjetër

Politologu Ridvan Emini dëshiron të besojë që zgjimi i Kuvendit megjithatë do të ndodhë me fillimin e vitit të ri kalendarik, me sesionin pranveror të vitit 2018. Plogështinë e këtij sesioni vjeshtor ai e lidh me zgjedhjet lokale.

“Ritmi për kryerjen e detyrave mund të jetë më i vogël, kjo mund të jetë edhe si rezultat i daljes së afërt nga seria e zgjedhjeve dhe balotazheve në vend, zgjedhjet lokale dhe ato nacionale të pasuara me balotazh, por edhe një  arsye tjetër mund të jetë mosdërgimi i shpejtë i projektligjeve në Kuvend nga Qeveria e re”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. Sipas tij, është ende herët të flasim për dështim apo inkriminim të kësaj legjislature të re, duhet lënë hapësirë kohore në mënyrë që të shohim edhe rezultatet apo mosrezultatet. Optimist për një kthjellje dhe dinamizëm më të madh të punës së Kuvendit në vitin vijues është edhe analisti Ilir Fetahu. “Sipas mendimit tim, numri shumë i vogël i ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës është një defekt shumë serioz, i cili duhet të evitohet sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse Kuvendi duhet medoemos të shtojë dinamikën e punës së vet, sikurse që edhe Qeveria duhet të jetë më efikase në procedimin e ligjeve me prioritet për shqyrtim dhe miratim nga Kuvendi”, theksoi ai për “Kosova Sot”. “Kuvendi duhet që gjithsesi të përshpejtojë dinamikën me seanca më të shpeshta, të cilat do të mbahen dhe do të marrin për bazë nevojën e kalimit të ligjeve sipas prioritetit të përcaktuar nga kabineti qeveritar”, u shpreh më tej Fetahu. Sipas tij, të gjithë duhet ta kuptojmë që baza e zhvillimit ekonomik, por edhe te stabilitetit, duke përfshirë edhe nivelin e sigurisë në vend, janë ligjet që duhet të miratohen dhe zbatohen në praktikë. 

Image

 

(Kosova Sot)