Qeveria synon që t’ia garantojë Devollëve monopolin milionësh

  • 15 December 2017 - 15:19
Qeveria synon që t’ia garantojë Devollëve monopolin milionësh

Qeveria po tenton që me një udhëzim t’ia garantojë edhe për një mandat Monopolin me homologim veturash për Devollët. Kështu thonë nga instituti GAP, ndërsa kundërshtojnë që homoligimi i veturave të jetë edhe më tej monopol i biznesmenëve Devolli.

Instituti GAP kërkon nga Qeveria e Kosovës që të mos e miratojë udhëzimin e ri administrativ, i cili synon që kompanisë aktuale të autorizuar për homologim t'ia vazhdojë monopolin.

“Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore, i nxjerrë për konsultim publik më 23.11.2017, përmban elemente që kufizojnë konkurrencën e lirë dhe futjen në treg të subjekteve tjera. Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 119, Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara.", thuhet në një komunikatë të GAP’it dërguar mediave.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka monopol në homologimin e automjeteve. Në fund të vitit 2008, Ministria e Transportit dhe PostTelekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) pat nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë “Eurolab” për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë. Pas kontratës, Ministria i ka lëshuar kompanisë një autorizim për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare, 2009-2019. Para nënshkrimit të kontratës dhe dhënies së autorizimit, Ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit, duke shmangur në këtë formë konkurrencën, duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie.

Nga instituti GAP thonë se në vend se të ndërmerren hapa për largimin e monopolit, Udhëzimi i ri Administrativ  i jep të drejtën kompanisë ekzistuese të vendos mbi subjektet konkurrues.

Sipas nenit 7 "Ministria autorizon subjektin për homologim si rezultat i kapaciteteve të pamjaftueshme aktuale të subjekteve ofruese të shërbimit që influencojnë nevojën e arsyeshme të rezultuar nga vlerësimi i kapaciteteve dhe studimi i fizibilitetit për vlerësimin e nevojës për autorizim të subjektit të ri mbi bazën e parimit të barabarësisë së kushteve për subjektin pretendues...".  Neni 7.4 thotë se Ministria mund të lejojë autorizimin e një subjekti të ri nëse rezulton se shfrytëzimi mesatar i kapaciteteve (të subjektit ekzistues) është mbi 85% në tri vitet e fundit dhe nëse studimi i fizibilitetit është i pranueshëm për subjektin ekzistues dhe pretenduesin potencial.

Në versionin aktual, ky Udhëzues Administrativ, e bën gati të pamundur futjen në treg të një subjekti të dytë, kurse nuk parasheh aspak mundësinë që të ketë edhe subjekt të tretë apo të katërt. Përderisa qeveritë e rajonit e kanë hapur tregun duke autorizuar deri në shtatë kompani për homologim, Kosova synon të mbajë monopol në këtë fushë.

(Kosova Sot)