Njeriu më i moshuar në botë mbush 113 vjet

  • 15 December 2017 - 20:10
Njeriu më i moshuar në botë mbush 113 vjet

JETËN E GJATË E KA SI REZULTAT I DIETËS SË PASUR ME PERIME

Francisco Nunez Olivera, i cili ka katër fëmijë, nëntë nipa e mbesa dhe 15 stërnipa e stërmbesa, e filloi mëngjesin me një tortë tradicionale dhe me një gotë qumësht për kafjall, para se t'i hapte letrat me urime që i kishin ardhur nga e tërë bota

Njeriu më i moshuar në botë ka festuar ditëlindjen e tij të 113-të në Spanjë, pasi që ka thënë se jetën e gjatë e ka si rezultat i dietës së pasur me perime, të kultivuara në kopshtin e vet dhe një gote verë të kuqe në ditë. Francisco Nunez Olivera, i cili ka katër fëmijë, nëntë nipa e mbesa dhe 15 stërnipa e stërmbesa, e filloi mëngjesin me një tortë tradicionale dhe me një gotë qumësht për kafjall, para se t'i hapte letrat me urime që i kishin ardhur nga e tërë bota.

Bujku i pensionuar

Në mesin e të pranishmëve në këtë festë të mbajtur në shtëpinë e plakut, në fshatin Bienvenida në jugperëndim të Spanjës, ishte edhe e bija e tij, Maria Antonia, 82 vjeçe. Francisco, i cili ka dy vëllezër të moshës 97 dhe 93 vjeçe, u bë njeriu më i moshuar në botë, pas vdekjes së izraelitit të lindur në Poloni, Yisrael Kristal, më 11 gusht të këtij viti. Bujku i pensionuar thotë se, derisa kishte mbushur 107 vjet, kishte bërë shëtitje të rregullta rrugëve të fshatit të tij.

Ka ditë kur plaku flet tërë ditën

Pasi i operoi sytë, në moshën 98 vjeçe (që ishte hera e dytë e tij që kishte shkuar ndonjëherë në spital), plaku filloi përsëri që të lexonte gazetat. Francisco, i njohur me nofkën Marchena, për shkak të ngjashmërisë me një këngëtar spanjoll të flamengos, është njëri nga 30 njerëzit me moshë më shumë se 90 vjet, nga gjithsej 2,300 banorët e fshatit Bienvenida. E bija e saj tregon se, ka ditë kur plaku flet tërë ditën, por ka edhe raste kur tërë ditën e kalon në gjumë. "Në një rast dikush ia përmendi mundësinë që ta dërgonin në shtëpi të pleqve, por atij nuk i pëlqeu kjo ide, bile edhe u sëmur nga shqetësimi", përfundon ajo. 

(Kosova Sot)