Kryemadhi: Të rrëzojmë banditët nga pushteti. Fundi i Ramës do të vijë nga protestat

  • 16 December 2017 - 21:46
Kryemadhi: Të rrëzojmë banditët nga pushteti. Fundi i Ramës do të vijë nga protestat

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim u ka bërë thirrje qytetarëve që të ngrihen në protesta për të rrëzuar atë që ajo e cilëson “qeveria e krimit dhe bandave”.
Në një reagim pas vendimeve të PS për zgjedhjen e njëanshme të kryeprokurorit, Kryemadhi thotë se me këtë vendim nuk ka më drejtësi në vend.

Duke akuzuar Kryeministrin Edi Rama për uzurpim të gjithë institucioneve, Kryetarja e LSI-së deklaron se asnjëherë më parë gjatë periudhës së demokracisë, pushteti nuk ka qenë nën kontrollin e një njeri të vetëm. Ajo thotë se marrja e Prokurorisë së Përgjithshme është pjesë e skemës së Edi Ramës për t’i shpëtuar drejtësisë për kanabizimin dhe krimet në vend.

[Smiley face]

“Kurrë më parë pushtetet nuk kanë qenë në duart e një njeriu të vetëm, të një pushteti bandit që drejtohet nga kryetrafikanti i drogës, shefi i drejtpërdrejtë i Saimir Tahirit dhe policëve të inkriminuar, që me përpjekjen e fundit po dëshmon frikën për t’i shpëtuar drejtësisë”,- shprehet Monika Kryemadhi.

Kryetarja e LSI shprehet se sot është dita që njerëzit të protestojnë kundër qeverisë dhe krimit që ka kapur vendin.

“Të protestojmë për të larguar banditët nga pushteti. Revolta e protestës qytetare është arma që mund të rrëzojë nga karriget banditët e veshur me pushtet.

Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë këtë revoltë. As paratë e krimit, as pazaret dhe kulisat nuk e shpëtojnë dot më Edi Ramën nga fundi i paralajmëruar që do ti vijë nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi”,- shprehet Monika Kryemadhi.

Ditën e diel, Lëvizja Socialiste për Integrim do të mbledhë Komitetin Drejtues Kombëtar (KDK) i cili do të diskutojë për organizmin e protestave në vend. Ndërkohë sot, Partia Demokratike në orën 18:00 do të zhvillojë mbledhje të jashtëzakonshme të grupit parlamentar, me temë kryesore organizimin e protestave.

Deklarata e plotë e Monika Kryemadhit: 

“Në këtë vend nuk ka më drejtësi! Edi Rama vendosi duart e tij të përgjakura me krim, edhe tek i vetmi institucion që nuk e kishte nën kontroll. Kapja e prokurorise nga krimi dhe banditët e pushtetit shënon fundin e shtetit dhe demokracisë.

Kjo është dita më e errët në historinë e demokracisë shqiptare!

Kurrë më parë pushtetet nuk kanë qenë në duart e një njeriu të vetëm, të një pushteti bandit që drejtohet nga kryetrafikanti i drogës, shefi i drejtpërdrejtë i Saimir Tahirit dhe policëve të inkriminuar, që me përpjekjen e fundit po dëshmon frikën për t’i shpëtuar drejtësisë.

Sot më shumë se kurrë është detyrë e jona, e politikës së papërlyer me krimin, e qytetarëve që ende besojnë te vlerat e demokracisë të rrëzojmë nga pushteti këtë klikë kriminale.

Të protestojmë për të larguar banditët nga pushteti. Revolta e protestës qytetare është arma që mund të rrëzojë nga karriget banditët e veshur me pushtet.

Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë këtë revoltë. As paratë e krimit, as pazaret dhe kulisat nuk e shpëtojnë dot më Edi Ramën nga fundi i paralajmëruar që do ti vijë nga qytetarët e ndershëm të këtij vendi”.

(Kosova Sot)