Shkoi për të mbushur ujë në lumë, zhduket pa lënë gjurmë

  • 16 December 2017 - 21:50
Shkoi për të mbushur ujë në lumë, zhduket pa lënë gjurmë

Një 35-vjeçar në Tropojë rezulton i zhdukur prej mesditës së sotme dhe dyshimet e para të policisë janë se mund ta ketë marrë rrjedha e lumit.

Gentian Zalli, punëtor i firmës së mirëmbajtjes së rrugës, shkoi për të mbushur ujë në lumë gjatë pushimit por nuk u kthye më.

“Më datë 16.12.2017, rreth orës 12.50, në  Sallën operative të Komisariatit të Policisë  Tropojë ka ardhur një telefonatë se në fshatin Valbonë afër ish-turizmit të Valbonës dyshohet të jetë mbytur në lumë shtetasi Gentian Zalli,” shkruhet në njoftimin e policisë.

Në vendgjarje ka shkuar  grupi hetimor, ku nga hetimet paraprake rezulton se shtetasi Gentian Zalli, 35 vjeç, banues në Tropojë, punëtor i firmës së mirëmbajtjes së rrugës, duke punuar në breg të lumit Valbonë, gjatë pushimit të  drekës, ka shkuar për të mbushur ujë në afërsi të lumit dhe nuk është kthyer më.

Në afërsi të burimit,  është gjetur jeleku i punës që mbante veshur 35-vjeçari dyshohet të ketë rënë në lumë.

Nga forcat e Policës në bashkëpunim me banorët e fshatit,  kanë vijuar kërkimet për gjetjen e tij, nga ora 13:30 deri në orën 17:30, ku për shkak të errësirës,  janë ndërprerë kërkimet për t’i rifilluar  në orët e para të mëngjesit.

(Kosova Sot)