Dhomës së Posaçme të Supremes i mbesin 21.597 lëndë të pazgjidhura

  • 18 December 2017 - 11:53
Dhomës së Posaçme të Supremes i mbesin 21.597 lëndë të pazgjidhura

Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme të Kosovës në Prishtinë, përmes një konference ka shpalosur punën 1 vjeçare të saj, sukseset, vështirësitë dhe rrethanat e tjera lidhur me punën e kësaj dhome.

Kryetar i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, Sahit Sylejmani, tha se dhoma e posaçme është përballur me një ngarkesë të madhe të lëndëve që ka vështirësuar punën e saj.

Ai tha se nga fillimi i vitit 2017 kanë mbetur pa u kryer nga vitet paraprake 20828 lëndë në shkallën e parë dhe 769 në shkallën e dytë, gjithsej 21597 lëndë të gjitha natyrave.

“Prej 3 janar 2017 e deri me 15 dhjetor 2017, janë pranuar 1161 në shkallën e parë dhe 719 në shkallën e dytë lëndë të reja, gjithsej 1880 lëndë. Gjatë kësaj periudhe janë zgjidhur 2070 lëndë në shkallën e parë dhe 395 në shkallën e dytë, gjithsej 2465 lëndë. Më datën 15 dhjetor 2017 kanë mbetur të pakryera edhe 19921 në shkallën e parë dhe 1091 në shkallën e dytë, gjithsej 21012 lëndë në të dy shkallët”, tha ai.

Sylejmani bëri të ditur se në këto dy vitet e fundit e kanë pasur numrin e gjyqtarëve të kompletuar me 20 gjymëtar, por që ky numër nuk është i mjaftueshëm për ta përballuar ngarkesën me lëndë.

“Kemi pasur kufizim edhe me këshilltar ligjorë ka munguar, krahas kësaj mungese ne kemi mungesën edhe të hapësirës, kemi nga dy gjymëtar të vendosur në një zyre. Dhoma ka nevojë që vitin që po hyjmë të rritet numri i stafit. Nëse bëhet dyfishimi i numrit të gjyqtarëve do të lehtësonte shumë punën”, tha ai.

(Kosova Sot)