Zgjidhet kryeprokurori i ri në Shqipëri mes tymit e protestës

  • 18 December 2017 - 11:58
Zgjidhet kryeprokurori i ri në Shqipëri mes tymit e protestës

Mes tymit dhe revoltës së deputetëve të opozitës, Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës, prokurorin e ri të përgjithshëm, në një post të përkohshëm.

Arta Marku do të mbajë këtë post për një afat të pacaktuar, duke zëvendësuar kështu kryeprokurorin Adriatik Llalla.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi ka kërkuar prezencën e zonjës Marku për të bërë votimin, duke dhënë 20 minuta pushim të seancës.

Kryeprokurorja e re u zgjodh me 69 vota pro, dy kundër dhe dy abstenim, ndërsa gjatë votimit të prezencës, në sallë shtypën butonin 74 deputetë.

Duke qenë se në votim mori pjesë vetëm mazhoranca, kuptohet qartë se edhe brenda shumicës parlamentare 4 persona nuk janë dakord me këtë proces. Votimi për zgjedhjen e prokurorit të ri të përgjithshëm ishte i fshehtë. Një prej deputetëve të mazhorancës nuk ka votuar fare.

Ndërkohë në ambientet e jashtme të Parlamentit, mijëra protestues kanë dalë për të kundërshtuar këtë proces. 

(Kosova Sot)