Sahitaj: Hajna më të mëdhenj se klani "Pronto"

  • 18 December 2017 - 12:37
Sahitaj: Hajna më të mëdhenj se klani

Analisti Reshat Sahitaj pohon se ai kaherë në shkrimet e tij kishte theksuar e paralajmëruar se VV është një parti e ndërtuar nga rëra dhe do të shkatërrohet herët e vonë, por nuk e ka imagjinuar se fundi i kësaj partie do të vjen kaq shpejt."Madje askush nuk e ka imagjinuar se fundi i VV-së do të vije pas fitores në Prishtinë, Prizren dhe Dardanë, mirëpo, siç kam shkruar edhe më herët në analizat e mia, se ndarja e pushtetit ndikon në ndarjen e partisë, ashtu edhe është duke ndodhur aktualisht në VV, ku të gjithë liderët e VV-së vrapojnë të ngjiten në pushtet e për të gjithë nuk ka vend. Liderët e VV-së kanë arsye të kërkojnë pushtet, sepse ata bazohen në disa të tjerë, të cilët dikur ishin të panjohur e brenda katër vitesh, sa e okupuan komunën e Prishtinës, u shndërruan në multimilionerë. Vetëm me leje ndërtimi në Prishtinë VV-ja dhe liderët e tyre përfituan miliona euro ilegale, ndërsa disa të tjerë përmes VV-së i ruajtën bizneset e tyre dhe e shtuan fitimin e tyre. Disa liderë të VV-së, të cilët kanë biznese të mëdha, filluan që të nxisnin militantët të rrotullonin kamionët me mallra nga Serbia, të cilët nuk i paguanin haraç VV-së dhe në këtë mënyrë biznesmenët e VV-së e evitonin konkurrencën për të qenë jo vetëm liderë të VV-së, por edhe në treg", është shprehur analisti Reshat Sahitaj. Mirëpo, sipas tij, në pasurim të shpejtë nuk ka mbetur vetëm Shpendi, por edhe pjesa tjetër e "suitës" së tij në qeverinë komunale. "Jo larg Shpend Ahmetit qëndron edhe Xhelal Sveçla, i cili para se të merrte pushtetin ishte një individ i shtresës së mesme dhe më kujtohet rasti i tij kur posa e mori postin si shef i kadastrës së Prishtinës do të shkonte në Durrës për pushime me një biznesmen të anës se tij, i cili ia kishte dhënë 20 mijë euro dhe do të voziste nëpër Shqipëri me xhipin e tij e me shpenzime të "shokut" që si kundërshpërblim t'ia jepte lejen për ndërtimin e një ndërtese jo larg Restorantit "Rugova", por që Xhelali nuk do kënaqej vetëm me një pushim njëmujor në bregdetin shqiptar e më 20 mijë euro, sepse të merrej leja e ndërtimit duheshin ende shuma më të mëdha t'i fuste në xhepin e tij Xhelali, e që biznesmeni nuk dëshironte t'i jepte më tepër dhe lejen nuk e mori kurrë. Është për t'u habitur se si liderët e VV-së flasin kundër korrupsionit e vetë janë të zhytur deri në fyt në korrupsion. Është e çuditshme se si liderët e VV-së tjerët i quajnë hajna e vetë janë hajna më të mëdhenj se klani "Pronto", sepse edhe VV është pjesë e përbashkët e po atij klani kriminal, pa të cilët nuk mund të ekzistojnë", ka pohuar për gazetën "Kosova Sot" analisti Reshat Sahitaj. 

(Kosova Sot)