Vazhdimi i monopolit në homologim PËR DEVOLLIN, MASAKËR E RE PËR EKONOMINË

  • 18 December 2017 - 08:25
Vazhdimi i monopolit  në homologim PËR DEVOLLIN, MASAKËR E RE PËR EKONOMINË

ANALISTËT DHE PËRFAQËSUES TË BIZNESEVE ALARMOJNË PËR UDHËZIMIN E RI ADMINISTRATIV QË ËSHTË ANTIKUSHTETUES

Kadrijaj:"Monopolet në ekonomi, në vendet me orientim diktatorial ose mbretëri klasike

"Nuk duhet lejuar asnjë lloj monopoli dhe për këtë qëllim ka qenë dashur që të intervenojë BE-ja, për ta hequr një monopol që ka arritur edhe në vesh të zyrtarëve të Parlamentit Evropian dhe është turp për Kosovën. 8 vjet monopol në homologimin e automjeteve ka vetëm një kompani dhe atë me çmime marramendëse, më të larta se në Londër, Stamboll e Paris, thuajse e kemi standardin e tyre, e kjo bëhet me bekimin e të gjitha qeverive që nga paslufta e këndej. Një mbështetje e tillë e cenon konkurrencën e lirë, jep mesazh negativ për investitorët e huaj", është shprehur analisti Lulzim Beqiri për gazetën "Kosova Sot" 

Ka shumë mundësi që Qeveria 'Haradinaj' përmes një Udhëzimi të ri Administrativ do t'i vazhdojë monopolin kriminal dhe antikushtetues për homologim të makinave oligarkut Shkëlqim Devolli, edhe nuk dihet se për cilat motive po ndodh kjo. Sepse Udhëzimi Administrativ i Ministrisë së Infrastrukturës për Përcaktimin e Kushteve dhe Procedurave për Homologim të Mjeteve Rrugore, i nxjerrë për konsultim publik më 23.11.2017, përmban elemente që kufizojnë konkurrencën e lirë dhe futjen në treg të subjekteve të tjera. Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 119, "Veprimet që kufizojnë konkurrencën e lirë përmes vendosjes ose abuzimit të pozitës dominuese, ose praktikave që e kufizojnë konkurrencën, janë të ndaluara". Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka monopol në homologimin e automjeteve. Në fund të vitit 2008, Ministria e Transportit dhe Postëtelekomunikacionit (tash Ministria e Infrastrukturës) pat nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë "Eurolab", pronë e Shkëlqim Devollit, për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë. Pas kontratës, Ministria i ka lëshuar kompanisë një autorizim për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare, 2009-2019. Para nënshkrimit të kontratës dhe dhënies së autorizimit, Ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit, duke shmangur në këtë formë konkurrencën, duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie. Pse Qeveria e Haradinajt, në vend se të ndërmarrë hapa për largimin e monopolit, me Udhëzimin e ri Administrativ i jep të drejtën kompanisë së Shkëlqim Devollit të vendosë mbi subjektet konkurrues? Sipas nenit 7, "Ministria autorizon subjektin për homologim si rezultat i kapaciteteve të pamjaftueshme aktuale të subjekteve ofruese të shërbimit që influencojnë nevojën e arsyeshme të rezultuar nga vlerësimi i kapaciteteve dhe studimi i fizibilitetit për vlerësimin e nevojës për autorizim të subjektit të ri mbi bazën e parimit të barabarësisë së kushteve për subjektin pretendues…". Neni 7.4 thotë se Ministria mund të lejojë autorizimin e një subjekti të ri nëse rezulton se shfrytëzimi mesatar i kapaciteteve (të subjektit ekzistues) është mbi 85 për qind në tri vitet e fundit dhe nëse studimi i fizibilitetit është i pranueshëm për subjektin ekzistues dhe pretenduesin potencial. Në versionin aktual, ky Udhëzues Administrativ e bën gati të pamundur futjen në treg të një subjekti të dytë, i cili subjekt dyshohet se shumë lehtë sërish do të jetë pronë e Shkëlqim Devollit, e regjistruar në emër të dikujt tjetër, siç ka vepruar me shumë terminale doganore, siç e ka specialitet Shkëlqim Devolli edhe me kompanitë që i kanë parajsa fiskale. Analistët shtrojnë pyetjen pse po heshtin Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, Prokuroria Speciale kur për afro 10 vite pandërprerë ndodh krimi ekonomik që i zhvat qytetarët. Ata pyesin se a e kanë kapur vëllezërit Devolli plotësisht edhe këtë garniturë të re qeveritare, pra a i kanë futur të gjitha partitë nën kontroll vëllezërit Devolli. Me gjithë pyetjet e dërguara dhe synimin e gazetës që të marrë opinionin e ministrit Pal Lekaj, nga Prokuroria e Kosovës dhe Shkëlqim Devolli, që ka monopolin në homologim të veturave, nuk ka marrë përgjigje. Deputeti aktual i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën), i kontaktuar nga gazeta, ka thënë se nuk është në dijeni për një Urdhëresë të tillë Administrative që e ka marrë Qeveria Haradinaj apo ministria përkatëse."Por, me t'u bërë publike të këtij vendimi unë do ta jap qëndrimin tim", është shprehur ai. 

Krasniqi: Ky Udhëzim Administrativ do të ishte kundër ekonomisë së lirë të tregut

Lidhur me çështjen e vazhdimit të monopoleve në homologim të makinave, për gazetën "Kosova Sot" ka folur nënkryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Ahmet Krasniqi". Ne si Autoritet kompetent për këtë fushë nuk jemi në dijeni për një vendim të tillë apo për këtë Urdhëresë Administrative. Por, ju siguroj se në momentin që diçka e tillë do të bëhet publike dhe do të dalë në opinion nga ana e Qeverisë apo Ministria e Infrastrukturës ne si Agjenci kompetent dhe si Autoritet i Konkurrencës menjëherë do të dalim me qëndrimin tonë, që do të jetë një rekomandim për Qeverinë e Kosovës apo ministrisë, duke u sugjeruar atyre se mos të miratojnë një Udhëzim të tillë Administrativ që është kundër konkurrencës së lirë në treg", është shprehur ai. Sipas Krasniqit, i mbetet Qeverisë apo ministrisë që të vendosin se a do të miratojnë një Urdhëresë të tillë Administrative apo jo. "Por, qëndrimi ynë mbetet i palëkundur dhe do të reagojmë se është se kjo Urdhëresë Administrative do të jetë kundër ekonomisë së lirë të tregut. Kundër miratimit të kësaj Urdhërese Administrative nga ana e Qeverisë "Haradinaj" apo Ministria e Infrastrukturës janë shprehur edhe drejtuesit e Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës. Ramadan Maloku, afarist, është shprehur për gazetën "Kosova Sot" se e tërë lufta e tyre si biznes, por edhe si Shoqatë e derivateve të naftës që kanë pasur për ta thyer monopolin në shitjen e arkave fiskale ia arritën qëllimit tonë."Edhe në këtë rast shteti dhe kjo qeveri nuk duhet që të bëjë këso gabimesh fillestare sikurse që bënë qeveritë e kaluara. Andaj Qeveria Haradinaj në asnjë mënyrë nuk guxon që të lejojnë monopole në një fushë të ekonomisë", është shprehur ai. Maloku theksoi se si Shoqatë e Naftëtarëve janë kundër miratimit të një Urdhërese të tillë Administrative."Jemi kundër çdo monopoli që i sjell ekonomisë sonë vetëm pasoja negative dhe fitime marramendëse për dikë që është në pushtet ose dikush që asaj kompanie i qëndron mbrapa nga pushtetarët apo përfiton para nga ajo kompani", është shprehur Maloku për gazetën "Kosova Sot".

Shahini: AKB-ja gjithmonë është përcaktuar për një treg të hapur e liberal

Kreu i AKB-së, Agim Shahini, theksoi për gazetën "Kosova Sot" se AKB-ja do të jetë gjithmonë e përcaktuar që ekonomia e tregut të jetë e hapur për të gjithë, pavarësisht se për çfarë sektori bëhet fjalë. Sipas Shahinit, janë institucionet e shtetit, por edhe Agjencia kompetente e Autoritetit të Konkurrencës që e mat vlefshmërinë e tregut të hapur apo të mbyllur."Andaj Qeveria e Kosovës, me në krye zotin Ramush Haradinaj, në këtë drejtim duhet që të jetë e vëmendshme që të krijojë një barazi në treg për të gjitha bizneset e regjistruara dhe që kanë kapacitete për të ushtruar veprimtaritë e njëjta, duke përshirë këtu edhe bizneset më specifike, sepse këto biznese kërkojnë ekspertë specifikë", është shprehur ai. Analisti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, theksoi për "Kosova Sot" se, sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, monopoli është i ndaluar dhe sanksionohet me ligje, mirëpo në realitet në Kosovë ekziston një monopol i egër."Në një kohë monopol ishte telefonia mobile " Vala" dhe konsumatorët përjetuan çmime marramendëse, kurse me ardhjen e operatorit të dytë këto çmime filluan të normalizoheshin, sepse në pyetje ishte konkurrenca, pra konkurrenca e lirë që rrit cilësinë dhe ul çmimet. Në rastin tjetër ende vazhdon të ketë monopol edhe sektori i energjisë elektrike, ngase vetëm një kompani ka të drejtë aktualisht t'i furnizojë me energji elektrike qytetarët, ndonëse edhe kjo kompani ka probleme serioze me furnizim", është shprehur analisti Beqiri. Ai shton se pa dyshim tash e 8 vite monopolin e homologimit të automjeteve e ka vetëm një kompani dhe atë me çmime marramendëse, më të larta se në Londër, Stamboll, e Paris, thuajse e kemi standardin e tyre, e kjo bëhet me bekimin e të gjitha qeverive, që nga paslufta e këndej."Një mbështetje e tillë e cenon konkurrencën e lirë, jep mesazh negativ për investitorët e huaja dhe nuk ka mesazh të mirë për barazi. Thjesht një veprim i tillë është për çdo kritikë, sepse në Kosovë nuk ka të drejtë që askush të jetë mbi ligjin, nuk e ka askush atë të drejtë që të jep leje për monopol", ka theksuar ai. Beqiri thotë se e tëra kjo po ndodh ngase nuk ka qytetari aktive se në vendet e zhvilluara nuk guxon që të ndodhë një gjë e tillë, sepse menjëherë do të shkonte edhe kryeministri edhe do të binte qeveria e atij vendi."Pra, thjesht nuk duhet lejuar asnjë lloj monopoli dhe për këtë qëllim ka qenë dashur që të intervenojë BE-ja, për ta hequr një monopol që ka arritur edhe në vesh të zyrtarëve të Parlamentit Evropian dhe është turp për Kosovën", është shprehur ai. Tutje ai ka shtuar: "Në anën tjetër i kemi në media çdo ditë protagonistët kryesorë, duke thënë se shteti i Kosovës ka ecur përpara dhe se ka krijuar ambient të favorshëm për biznes, ka kushte të mira për investitorët, ndërkohë që mu para këtyre pushtetarëve që po trumbetojnë monopoli dhe kontrabanda po lulëzojnë dhe thënë troç diçka nuk është në rregull me këtë garniturë politikanësh që qëllim primar të tyre e kanë paranë në xhepat e tyre, e vetëm pastaj shtetin", është shprehur Beqiri. Ai shton se është e habitshme se si Udhëzimi i ri Administrativ përsëri ka elemente që e favorizon kompaninë e homologimit."Pra, prapë kam frikën se do të ketë monopol edhe në këtë fushë, ndaj nuk e di se çka duhet ndërmarrë për ta ndaluar këtë masakër ekonomike", është shprehur ai. Analisti Mustafë Kadrijaj thotë për gazetën "Kosova Sot" se praktikat monopoliste në ekonomi kryesisht janë në vendet me orientim majtist, diktatoriale, ose mbretëri klasike, ku fjala e fundit është fjala e mbretit ose diktatorit. Edhe pse këto praktika kryesisht i takojnë shekullit të kaluar, por, për fat jo të mirë, elita politike përkundër ligjeve, të cilat stimulojnë ekonominë e tregut, elita politike duke gjetur vrima në ligje mundohet që përmes Udhëzimeve Administrative të favorizojnë sponzorizuesit e tyre, sepse duke i dhënë mundësinë një kompanie e kanë më të lehtë të zhvatin buxhetin e shtetit. Ai thotë se në Kosovë që nga paslufta ka pasur praktika monopoliste edhe me rastin e furnizimit me energji elektrike, por rasti i homologimit të automjeteve është rasti i pastër i monopolit."Është për të ardhur keq që në një ekonomi të tregut praktikat monopoliste do të duhej që t'i takonin së kaluarës, por qeveritë e Kosovës, e në këtë rast edhe qeveria 'Haradinaj', vetë po e vazhdojnë, duke e lejuar një praktikë që bie ndesh me parimet e ekonomisë së tregut dhe marrëveshjen e MSA-së, si dhe parimet Kushtetuese", është shprehur ai. 

"Nuk mundem ta kuptoj Autoritetin Kosovar të Konkurrencës si nuk gjeti forcën një herë të dalë dhe të kundërshtojë këtë monopol, zaten edhe për këtë janë të obliguar, për këtë paguajmë taksa dhe ata marrin paga të majme. Ky autoritet duhet ta mbrojë nderin e qytetarit, funksionimin e ligjit, barazinë qytetare. O sot o kurrë, na duhet drejtësi në të gjitha sferat, por më së shumti në ekonomi. Unë personalisht nuk shoh një disponim të Qeverisë "Haradinaj" në luftimin e këtij fenomeni, që nuk e luftuan as qeveritë e kaluara dhe as kjo qeveri, sepse nuk po e shoh interesim të ministrit të ri, Pal Lekaj, se ai e ka vullnetin ta shkëpusë zinxhirin e dominimit ekonomik të një kompanie fatkeqe, e cila e ka rrjepur qytetarin e Kosovës", është shprehur analisti Lulzim Beqiri

Badallaj: Kosova është shitur dhe është e kapur nga mafio-oligarkët

Analisti Reshat Badallaj theksoi për gazetën "Kosova Sot" se shteti i Kosovës ka kohë që është shitur dhe kapur nga mafio-oligarkët e nëntokës kriminale."Ky pazar antishtetëror bile edhe antikombëtar mafio-oligarkët e nëntokës kriminale të bandës 'Devolli' është bërë me majat më të larta të shtetit dhe me kryebanditë e banditë të bandave politike dhe se ky rrjet kriminal është shtrirë në çdo dikaster, si në Dogana dhe në sistemin e kalbur gjyqësor", është shprehur ai."E dinë mirë dhe për këtë arsye heshtin, se janë të gjithë në vallen e krimit. Kjo është parë me ditën me diell. Dhe, që tani po ju them se Qeveria e Ramush Haradinajt nuk mund të bëjë asnjë hap. Këta e kanë të lidhur bishtin me derë. Ramushi jo vetëm me bandën Devolli, por është i shitur edhe me ETC-në e Ramiz Kelmendit dhe me Pacollin. Prandaj, vetëm gaboni që dikush mendon se Ramush Haradinaj me ata 67 turistë do të bëjë diçka në këtë drejtim", është shprehur ai. Zhuriani pyet se cili shtet përpos Kosovës ka monopol në tërë Ballkanin."Kjo flet qartazi se janë të drejtuara të gjitha subjektet nga mafio-oligarkët. Ndërkohë që Prokuroria, për të cilën ka dhënë betimin për të mbrojtur interesat shtetërore, Kushtetutën, hesht kinse nuk po ndodh asgjë në këtë vend. Ngase në cilin vend të botës ndodh kjo marrëzi përpos në Kosovë", është shprehur ai. Shtron pyetjen se pse po hesht Autoriteti i Konkurrencës në Kosovë."Dua të them se shumë fakte flasin se këta marrin rrogat kot dhe aspak nuk punojnë për interesat e vendit dhe qytetarëve të saj, por janë në shërbim të bandave dhe mafiooligarkëve të kanaleve të krimit. E tëra kjo po ndodh ngase vëllezërit Devolli e kanë kapur shtetin, i kanë blerë të gjitha bandat politike", është shprehur Zhuriani. 

"Banda Devolli po veprojnë dhe po e shkatërrojnë buxhetin e shtetit. Ata po pasurohen jashtëligjshëm, po i trashin xhepat e tyre, po fusin mallra të dyshimta dhe askush nuk po i trazon, përkundrazi u japin paratë me thasë, në thellësi të detit, nëpër jahtet luksoze, disa milionëshe. Kjo qeveri si dhe qeveritë e mëparshme nuk kanë dëshirë të kenë konkurrencë të lirë në biznes, sepse ushqehen nga grazhdi i bandës Devolli. Andaj mashtrohen të gjithë në qoftë se të paktën mendon dikush se kjo qeveri e Ramushit, me 67 turistë, do të bëjë diçka", është shprehur analisti Reshat Badallaj për gazetën "Kosova Sot" 

(Kosova Sot)