Vetëm uragani "Vetting" shkëput drejtësinë nga politika

  • 18 December 2017 - 08:18
Vetëm uragani

GJYQËSORI E PROKURORIA, NËN KTHETRAT E NËNTOKËS

"Kjo politikë nuk është për të besuar se ka vullnet për ta shkëputur këtë ta quajmë 'martesë' me drejtësinë dhe të kërkojë një 'Vetting' për vetëpastrimin e gjyqësorit e prokurorisë dhe për ta vënë në binarë të shëndoshë njëherë e përfundimisht shtetin e së drejtës, përveç ndoshta duke pritur ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, sikurse ndodhi në Shqipëri, për ta krijuar me domosdo shtetin ligjor me sundim të rendit dhe ligjit", është shprehur analisti Naim Kelmendi për gazetën "Kosova Sot"
Kelmendi: Pushteti shtetëror i korruptuar ndikon që edhe prokuroria dhe gjyqësori të jenë të deformuar

Analistët dhe njohësit e fushës së drejtësisë kanë vlerësuar se faktikisht ndërlidhja dhe inkriminimi i politikës me drejtësinë ka bërë që të trafikohet drejtësia, dhe se është vështirë të besohet se mund të shkëputet "martesa" e politikës dhe ndërhyrja apo ndikimi i saj me njerëzit e sistemit të drejtësisë, derisa, sipas tyre, kjo ngase gjithmonë këto ndërlidhje të politikës me drejtësinë, fatkeqësisht, kanë ekzistuar për ta mbrojtur njëra- tjetrën në rrugën e paligjshmërisë dhe trafikimit të drejtësisë. Ndaj, ata kanë shtruar edhe çështjen se pse aty ku ka interferime politike, drejtësia heziton të prekë gjithmonë dhe deri kur drejtësia në Kosovë do të punojë nën urdhrat e politikës dhe mafio- oligarkëve të inkriminuar. 

Kelmendi: Në politikë duhet të kemi njerëz të përgatitur dhe të aftë në ndërtimin e shtetit

Profesori universitar Muhamet Kelmendi ka thënë se çështja e drejtësisë në Kosovë nuk është një problem në vete, pasi ajo varet shumë nga zhvillimet e tjera në fusha të ndryshme dhe se tërësisht këto zhvillohen bashkërisht. Por, sipas tij, që drejtësia të marrë detyrën e vet legjitime dhe të mbështetet në ligj, duke ndërtuar shtet të së drejtës, kërkohen kryesisht të merren masa në fushën politike në vend. " Me këtë duhet thënë se vetë subjektet politike duhet të ndërtohen mbi baza programore dhe t'i nënshtrohen ligjeve të vendit. Këndej mendohet edhe në ndërtimin e tyre politik, kuptohet me njerëz moralisht të pastër dhe me një etikë shtetërore. Në politikë duhet të kemi njerëz të përgatitur dhe të aftë në ndërtimin e shtetit. Nëse politika e ka këtë bazë, kemi edhe pushtet shtetëror të shëndoshë dhe të ligjshëm, të ndërtuar mbi parimet e së drejtës. Kjo e pastron edhe sistemin e drejtësisë dhe ndikon që edhe këtu të kemi barazi dhe të luftohet krimi dhe korrupsioni. Pra, këto dy çështje shkojnë së bashku", është shprehur për gazetën "Kosova Sot" profesori i së drejtës, Muhamet Kelmendi. Ai ka shtuar se kurrë nuk do të ketë drejtësi ligjore, nëse nuk kemi pushtet shtetëror të drejtë dhe të pastër. "Njëra varet nga tjetra. Pushteti shtetëror i korruptuar dhe kriminal ndikon që edhe prokuroria dhe gjyqësori të jenë të tillë dhe të deformuar. Kjo është tash kështu", u shpreh për gazetën "Kosova Sot" profesori universitar Muhamet Kelmendi. 

Miftari: Njerëzit e drejtësisë zgjidhen me preferenca politike

Analisti Naim Miftari thotë se problemi qëndron se njerëzit e drejtësisë zgjidhen me preferenca politike dhe klanore dhe me kushtëzime. Ndryshe, sipas tij, organet e drejtë- sisë nuk kanë as guxim, e as vullnet që të merren me politikanët e korruptuar. "Thuhet se organet janë vetëm mbulesë ligjore e politikanëve të korruptuar dhe e krimit të organizuar. Kjo gjendje do të vazhdojë gjersa nuk ndryshohet gjendja në politikë, pra në të kundërtën politikanët do të mbesin të paprekshëm nga ligji dhe kjo gjendje do të ndryshojë kur gjyqtari, prokurori, hetuesi nuk do të shikojnë kënd guxojnë dhe kënd nuk guxojnë ta hetojnë apo ta dënojnë, por do të ndryshojë për të mirë kur vijnë njerëz në drejtësi dhe pushtet që iu intereson vetëm zbatimi i ligjit dhe asgjë tjetër", është shprehur analisti Miftari për gazetën "Kosova Sot". Ai ka thënë se një uragan, një "Vetting" i drejtë, i përgjithshëm dhe shumë serioz do t'i sillte dalëngadalë gjërat në vendin e duhur. "Por, çelësi i drejtësisë, por edhe i krejt shtetësisë tonë, varet nga pastërtia e partive politike, nga njerëzit e korruptuar nga krimi i organizuar dhe nga klanet e ndryshme, që e shikojnë vetëm interesin material dhe s'u intereson fare se a e thyejnë ligjin apo jo. Pra, pa u larguar krimi i organizuar politik nga skena nuk do të ketë kurrë drejtësi", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Miftari. 

Kelmendi: Politika e drejtësia mbrojnë njëra-tjetrën në rrugët e paligjshmërisë

Analisti Naim Kelmendi ka veçuar se faktikisht ndërlidhja dhe inkriminimi i politikës me drejtësinë ka bërë që të trafikohet drejtësia, dhe se është vështirë të besohet se mund të shkëputet "martesa" e politikës dhe ndërhyrja apo ndikimi i saj me njerëzit e sistemit të drejtësisë, derisa, siç tha, kjo ngase gjithmonë këto ndërlidhje të politikës me drejtësinë, fatkeqësisht, kanë ekzistuar për ta mbrojtur njëratjetrën në rrugën e paligjshmërisë dhe trafikimit të drejtësisë. "Zaten, kjo politikë nuk është për të besuar se ka vullnet për ta shkëputur këtë ta quajmë 'martesë' me drejtësinë dhe të kërkojë një 'Vetting' për vetë- pastrimin e gjyqësorit e prokurorisë dhe për ta vënë në binarë të shëndoshë njëherë e përfundimisht shtetin e së drejtës, përveç ndoshta duke pritur ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, sikurse ndodhi në Shqipëri, për ta krijuar me domosdo shtetin ligjor me sundim të rendit dhe ligjit. Përndryshe, gjyqësori dhe prokuroria kosovare janë të kapura nga politika e papërgjegjshme dhe e ndikuar politikisht deri më sot nga pushtetet po ashtu të papërgjegjshme ndaj drejtë- sisë dhe kjo do të duhej me çdo mënyrë të ndryshojë, ngase është në interes të qytetarit dhe të zhvillimeve të vendit, për të pasur me çdo kusht shtetin e së drejtës ku sundon ligji dhe rendi juridik ashtu sikundër çdo kund në Evropë, ky shtet i së drejtës, i pavarur dhe larg ndikimit dhe ndërhyrjes politike e të grupeve të interesit", spikati për gazetën "Kosova Sot" analisti Naim Kelmendi. Profesori universitar Mazllum Baraliu ka nënvizuar se derisa gjithë bartësit e funksioneve publike në sistemin e drejtësisë kryesisht gjatë viteve të tëra të qeverisjeve të fundit janë propozuar dhe emëruar kryesisht nga çarqe të ndryshme dhe eksponentë të partive politike në pushtet ose me ndikim atëherë, sipas tij, gjithsesi se ndikimi i po këtyre eksponentëve politikë, subjekteve politike, pra të grupeve joformale jashtë institucioneve dhe institucionet e tjera është e qartë se ka pasur ndikim edhe në punën të institucioneve të drejtësisë dhe gjyqësisë. " Prandaj, ky korrelacioni i ndikimit ka ndikuar dhe ndikon edhe në rezultatet e punës, edhe në pavarësinë profesionale dhe ligjore të eksponentëve të ndryshëm të drejtë- sisë, në radhë të parë të prokurorëve dhe të gjyqtarëve dhe natyrisht në bilancin e tyre, performancën e tyre, rezultatet e tyre konkrete. Prandaj, ka nevojë që thjesht njëherë e mirë të eliminohet ndikimi dhe interferimi politik në segmentet të caktuara të gjyqësorit dhe të drejtësisë për arsye se ato institucione duhet të jenë ashtu siç janë me Kushtetutë absolutisht të pavarura, të pandikuara dhe të paanshme, dhe duhet ta kryejnë punën dhe përgjegjësitë e tyre në mënyrë që të kemi drejtësi për të gjithë dhe jo drejtësi selektive dhe performancë të caktuar e cila lë shumë për të dëshiruar", deklaroi për gazetën "Kosova Sot", profesori universitar Mazllum Baraliu.

(Kosova Sot)