Shitja e certifikatave të veteranëve TË LUFTËS NUK E ALARMON PROKURORINË

  • 18 December 2017 - 08:30
Shitja e certifikatave të veteranëve TË LUFTËS NUK E ALARMON PROKURORINË

AKUZAT PËR FRYRJE TË LISTAVE PËR ISH-USHTARËT E LUFTËS SË UÇK-së

Preteni: Janë blerë pozita e veteranit dhe invalidit vetëm e vetëm të sigurohen votat

"Prokuroria nuk po merret as me 50-60 milionë, të cilat kryeministri i fal në mënyrë arbitrare për kategorinë më të pandershme dhe natyrisht që nuk do të merret as me këta, sepse unë e kam bindjen që pas fryrjes së listave qëndron vetë trinomi VeseliHaradinaj-Limaj, prandaj këta janë njerëz që edhe përmes klanit 'Pronto' e kontrollojnë drejtësinë", theksoi analisti Jeton Kelmendi për gazetën "Kosova Sot"

Prokuroria e Shtetit akoma nuk po jep informata se çfarë po ndodh me hetimet për shitjen e certifikatave të veteranëve të luftës, ku veteranët kanë deklaruar se OVL i ka shitur për një çmim prej 3000 euro. Veteranët kanë akuzuar kreun e OVL-së, Hysni Gucatin, për shitjen e certifikatave të veteranëve në vlerë prej 3 mijë eurosh. Analistët politikë nuk presin që prokuroria të ndërmarrë ndonjë veprim që përgjegjësit e këtyre listave të fryra dhe të pavërteta të dalin para drejtësisë, qoftë për të parë se si u frynë listat e as se si u lejua që edhe certifikatat e veteraneve të shiten e të blihen, duke e degraduar kështu skajshmërisht imazhin e luftërat të UÇK-së. Hasan Preteni, në cilësinë e isheprorit të UÇK-së dhe ish- anëtarit të komisionit për veteranët, u shpreh për gazetën "Kosova Sot" se ishte vetëm mashtrimi i radhës se prokuroritë do të hetojnë listat, e kjo, sipas tij, është e pamundur. Për këtë ai thotë se personalisht edhe e ka një mirëkuptim, sepse faji kryesor është te zinxhiri komandues ku edhe janë bërë devijimet dhe ato është e pamundur të korrigjohen."Faji është kryekëput i komandantëve. Nuk ka pasur fare nevojë që t'i hyhet kësaj pune, listat e veteranëve, invalidëve të luftës dhe dëshmorëve të kombit janë punuar dhe sistemuar disa herë. Jam dëshmitar i këtyre angazhimeve që nga fillimi. Ishin Departamentet e G-5 të TMK-së ato njësi që i kanë përpiluar këto lista, listat i kanë edhe organizatat e dala nga lufta, të gjitha këto janë përmbyllur në vitin 2005. Përpjekjet e reja nuk janë reale, janë tendencioze, janë politike dhe patriotikodenigruese. Të përpilohen lista gjithë këto vjet pas luftës kjo nuk ndodh askund në botë. Lufta e UÇK-së është përmbyllur më 10 qershor 1999. "Komandantët" këtë veprim e kanë keqpërdorur skajshmërisht vetëm edhe vetëm për t'i mbrojtur kauzat e tyre të mbrapshta për të fituar pushtet, për të mbyllur keqpërdorimet materiale, për të fituar vota dhe për të krijuar favore tjera, duke i mbrojtur të mirat e krijuara në mënyrë të paligjshme. Fryrja e listave është kryekëput vepër jomorale, johumane dhe denigruese. Në mënyrë të paqartë janë paguar edhe bartësit e aktiviteteve rreth përpilimit të listave, komisionet nuk kanë qenë fare ligjore dhe logjike", është shprehur Preteni për gazetën "Kosova Sot". Ai shton se nuk është respektuar fare hierarkia."Nëpër komisione kanë qenë të përfshirë të gjithë ata që kanë pasur interesa materialë. Është blerë pozita e veteranit dhe invalidit vetëm e vetëm të sigurohen votat dhe benifitet materiale dhe jetësore. Kjo është goditja më e madhe që ka mundur t'ju ndodhë prestarëve reale të luftës. Të hyjnë në liste ata persona që gjatë luftës nuk i kanë pasur as 10 vjet, të hynë në listë ata që fare nuk kanë qenë në Kosovë, të hynë në listë personat që i vetmi kontribut i luftës ka qenë dhurimi i 10 kg. patateve, të hynë në listë ata persona që janë bërë milioner pas luftës dhe që u kanë ndihmuar ishkomandantëve që edhe ata të krijojnë mirëqenie, të bëhen invalidë ata persona që vuajnë nga reuma, që kanë pasur probleme shëndetësore pas luftës, që kontaktin e parë me mjekun i kanë pasur dy muaj para punës së komisionit është e papranueshme dhe e turpshme", theksoi analisti Hasan Preteni për gazetën "Kosova Sot".

"Numri i veteranëve duhet të verifikohet"

Derisa gjithandej flitet për dallavere dhe manipulime, Preteni thotë se është krenar që batalionin e tij nuk kanë lejuar të ndodhin gjëra të tilla."Personalisht jam shumë krenar që kam qenë pjesë e luftës, që në njësitin tim janë 13 dëshmorë dhe më shumë se 15 invalidë, që listat e veteranëve të luftës, invalidëve e dëshmorëve nuk ka ndërruar që nga 10 qershori i vitit 1999. Në listën e Batalionit të tretë të Brigadës 141 nuk ka pasur asnjë ndryshim, që nuk është futur asnjë emër nga kjo datë. Jam krenar me të gjithë ata që kemi vepruar dhe që nuk e kemi materializuar luftën. Kontributin për lirimin e vendit e kemi pasur obligim dhe këtë po e përfundoj me fjalitë e të madhit gjeneralin amerikan Paton: "Nëse keni derdhur gjak për çlirimin e vendit dhe pas lirimit keni kërkuar vazhdimisht që t'ju paguhet për këtë, shkoni në dreq të mallkuar, tregoni sa kushton ky kontribut dhe shkoni në vendin kur kontributi për atdhe paguhet me lekë", ka përfunduar analisti Hasan Preteni. Pavarësisht që deri tani nuk po dalin të dhëna nga Prokuroria e shtetit rreth kësaj çështje, hetimit dhe verifikimit, analisti Blerim Burjani thotë se ky proces duhet të rishikohet. "Numri i veteranëve duhet të verifikohet dhe duhet saktë të dihet se kush duhet të hyjë në këtë skemë sociale të përkrahjes, pra nuk duhet nxituar derisa të ketë hetime valide, të cilat do t'i nxjerrin organet e drejtësisë, që të gjithë ata që janë marrë me veprime të paligjshme të përgjigjen. Tash më duhet në radhë të parë të ketë hetime valide në këtë teme, të nxirret saktë numri atyre që e meritojnë të jenë pjesë e kësaj skeme, sepse ka shumë njerëz që nuk dihet sa kanë qëndruar as ku janë kanë gjatë luftës. Për këtë arsye kanë dyshuar edhe vetë veteranët", është shprehur Burjani. 

Kelmendi: Fryrja e listave bëhet nga njerëzit e klanit "Pronto"

Analisti Jeton Kelmendi po ashtu thotë se një prokurori dhe gjyqësor i kapur thellë nga politika asnjëherë nuk do të marrë guximin të bëjë as përpjekjen më të vogël në hetimin e këtyre aferave, sepse ata të cilët qëndrojnë mbrapa e kontrollojnë edhe sistemin e drejtësisë. "Mendoj se çështja e fryrjes së listave të veteranëve është njëra në vazhdën e të gjitha çështjeve të shkeljes së ligjit në Kosovë dhe thjesht nuk do të hetohet nga prokuroria as kjo çështje, sepse në Kosovë edhe vetë prokuroria, por edhe organet e drejtësisë si tërësi janë të kapura nga politika, nuk bëjnë drejtësi, por bëjnë politikë. Tek e fundit edhe fryrja e listave bëhet nga njerëzit e klanit 'Pronto' dhe aleatët e klanit 'Pronto', prandaj nuk pres ndonjë marrje serioze me hetimin e këtyre listave, sikurse as për çështjet e tjera. Prokuroria nuk po merret as me 50-60 milionë, të cilat kryeministri i fal në mënyrë arbitrare për kategorinë më të pandershme dhe natyrisht që nuk do të merret as me këta, sepse unë e kam bindjen që pas fryrjes së listave qëndron vetë trinomi Veseli -HaradinajLimaj, prandaj këta janë njerëz që edhe përmes klanit 'Pronto' e kontrollojnë drejtësinë", theksoi analisti Jeton Kelmendi për gazetën "Kosova Sot". Edhe politologu Arsim Haziri, i kontaktuar nga 'Kosova Sot', tha se e ashtuquajtura drejtësi e pavarur dhe e paanshme, përgjatë tërë kësaj kohe, ka zhvilluar nivel të madh të bashkëpunimit me kryesinë e kësaj organizate - OVL, e cila në mënyrë enorme ka lëshuar certifikata për veteranët e artificializuar. "Hysni Gucati haptazi ka dëshmuar se së bashku me disa anëtarë të kësaj organizatë natyrisht edhe me ndërlidhjet politike që posedon ka lëshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa mbështetje të frymës ushtarake statuse për kinse veteran i luftës së UÇK-së, duke e fryrë kështu numrin e veteranëve, si dhe duke njollosur luftën çlirimtare të UÇK-së. Kjo konsideroj se përbën shkelje të jashtëzakonshme dhe përpos dëmtimeve buxhetore që ka pasur ajo ka shpërfaqur njëherësh edhe pretendimet e tyre rreth përfitimeve ekonomike. Ky dëmtim i kësaj forme tregon më së miri për gjendjen që mbretëron në vetë kryesinë e kësaj organizate, njashtu edhe gjendjen e rëndë në institucionet e drejtësisë në Kosovë, të cilët asnjëherë nuk shprehën gatishmëri për zbutjen e numrit të veteranëve të UÇK-së dhe kësisoj largimin e atyre që vjelin fonde në mënyrë të padrejtë në emër të luftës së UÇK-së", është shprehur analisti Arsim Haziri. Gazeta ka dërguar pyetje edhe për Prokurorisë, për të mësuar se apo hetohet çështja e shitjes së certifikatave apo jo, në cilën fazë është, por si shumicën e herëve të tjera, përgjigjja ka munguar nga ana e kësaj prokurorie. 

"Kësaj natyre negative dhe shpërputhëse ndaj luftës sonë po i kontribuohet edhe nga neglizhenca e qëllimtë e institucioneve juridike të vendit tonë. Fakti se certifikatat për veteranë të ushtrisë sonë janë dhënë në mënyra nga më të ndryshmet, duke përfshirë edhe blerjen e tyre nga individë të caktuar vetëm për të përfituar materialisht, tregon më së miri se si u abuzua me këtë fenomen", është shprehur analisti Arsim Haziri për gazetën "Kosova Sot"

"Unë dyshoj që me këtë klasë politike dhe me këta njerëz të mund të nxirret një korrigjim dhe verifikim valid, duke pasur parasysh se edhe sistemi i drejtësisë del të jetë i kontrolluar nga struktura të ndryshme të njerëzve. Pra, ka humbur besimi se mund të nxirret një vendim edhe nga organet e drejtësisë. Ideja themelore në këtë shtet është qysh të shfrytëzohet buxheti, por jo qysh duhet të ndërtohet dhe duhet shteti. Në këtë skemë duhet të hyjnë vetëm luftëtarët e vërtetë që kanë sakrifikuar për shtetin dhe kanë kontribuar për lirin dhe davarisin e shtetit", theksoi analisti Blerim Burjani për gazetën "Kosova Sot"

(Kosova Sot)