Franca ashpërson politikën e imigracionit

  • 18 December 2017 - 21:57
Franca ashpërson politikën e imigracionit

Duke pritur një grup të parë prej rreth 20 refugjatësh afrikanë, të seleksionuar në Çad, autoritetet franceze duan të tregojnë kursin e tyre të ri në çështjen e imigracionit, pritje selektive e refugjatëve dhe politika të padiskutueshme largimi për pjesën tjetër.

“Ideja e këtij seleksioni është që të pengojë që personat të rrezikojnë duke kaluar detin kryesisht nëpërmjet Libisë”, theksojnë autoritetet franceze.

Por nga ana tjetër ato nuk e fshehin dëshirën e tyre për të kontrolluar në mënyrë shumë strikte fluksin migrator.

“Republika franceze është themeluar mbi një traditë pritjeje dhe azili. Jam thellësisht mbështetës i kësaj”, kishte deklaruar kohët e fundit presidenti francez, Emmanuel Macron.

“Por shpresoj që (…) ne të rikthejmë në mënyrë të panegociueshme ata dhe ato që nuk kanë leje qëndrimi”, theksoi ai., përcjell Atsh.

Franca regjistroi 85 000 azilkërkues vitin e kaluar nga të cilët 36 000 janë pranuar.

Në një vend ku partia e ekstremit të djathtë, Fronti Nacional ka rritur sukseset elektorale, duke arritur të nxjerrë kandidaten e tij, Marine Le Pen në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale, qeveria centriste kërkon dukshën që të garantojë një pjesë të madhe të opinionit publik që shpesh herë është mosbesues ndaj imigracionit.

(Kosova Sot)