Tre muaj pas lindjes peshon vetëm 2.4 kg

  • 01 August 2015 - 23:02
Tre muaj pas lindjes peshon vetëm 2.4 kg

Secili prind dëshiron që fëmijët t’u rriten të mëdhenj e të fortë, por për një familje në Kinë, kjo gjë po dëshmohet shumë e vështirë, për shkak të gjendjes së rrallë të birit të tyre, i cili peshon tani më pak sesa kur është lindur. Ren Minge 24-vjeçare e lindi Guo Enze-n para 80 ditësh në fshatin Çuandi në veri të Kinës. Mediet kineze ia kanë vënë nofkën “foshnja jashtëtokësore” për shkak të barkut të fryrë dhe lëkurës së zbehtë, ndërsa kur u lind ka peshuar 2.5 kilogramë. Komplikimet ia lanë zorrët të lidhura në barkun e tij dhe ai është lindur pa rektum, transmeton Kosova Sot.

Peshon vetëm 2.4 kilogramë

Sëmundja njihet me emrin imperforate anus dhe do të thotë se Guo nuk është në gjendje ta kryejë nevojën e madhe në mënyrë normale, dhe i duhet që të dy nevojat t’i kryejë përmes penisit të tij. Kjo i shkakton foshnjës dhimbje të mëdha dhe, si rezultat i kësaj, familja përpiqet që t’i japë më pak ushqim. Si pasojë e kësaj, gati tre muaj pas lindjes, Guo peshon vetëm 2.4 kilogramë. Babai i tij, Zhang Hungqing 27-vjeçar, e ka konsideruar foshnjën si shpresë të re për familjen e tij të varfër. Megjithatë, kur Guo u lind para kohës së duhur dhe serioziteti i anomalive u bë i ditur, ato ëndrra u shuan. Guo fillimisht u vendos në një inkubator por pas katër ditëve ai u transferua në një spital më të madh për shkak të sëmundjes së tij unike. Përkundër kësaj, familja e djalit është ende në pamundësi për ta paguar operacionin emergjent, për të cilin ka nevojë për të mbijetuar.

As diellin nuk e ka parë ende

Faturat mjekësore kanë arritur shumën prej 50 mijë juanëve (7.300 euro), por pasi që nëna e fëmijës është e sëmurë mendore, Zhang është i vetmi burim i të ardhurave në familje. Ai ka një pagë prej 2 mijë juanëve (290 euro) në muaj. Problemet e familjes janë bërë edhe më të mëdha pasi që gjyshja e Guo-s është gjithashtu shumë e sëmurë dhe vuan nga shtypja e lartë e gjakut, hemangioma dhe infarksioni. “I lus të gjithë ta ndihmojnë nipin tim, ai është vetëm 80 ditë i vjetër dhe madje as diellin nuk e ka parë ende. Nëse askush nuk ndihmon, nuk jam e sigurt se sa gjatë do të jetojë fëmija”, ka thënë ajo. Ky fëmijë nuk është në gjendje që të qesë jashtë asgjë nga rektumi, pra çdo gjë del jashtë nga vendet e tjera. Për këtë arsye nuk mund t’i japim më shumë ushqim madje edhe kur qan nga uria. Nëse mbijeton, atëherë ekziston shpresë për tërë familjen”, ka shtuar gjyshi i tij. Familja tani shpreson që do të ndihmohet nga publiku, në mënyrë që ta shpëtojnë jetën e Guo-s. 

(Kosova Sot)