Nëntoka mafioze paralizon ekonominë kosovare

  • 12 January 2018 - 07:45
Nëntoka mafioze paralizon ekonominë kosovare

Po nuk pate lidhje me pushtetin, të pret falimentimi

Njohës të rrethanave politike dhe ekonomike dhe përfaqë- sues të shoqërisë civile janë të bindur se me këtë klasë politike, pa marrë parasysh se cila parti apo cili koalicion do të udhëheqë vendin, në asnjë mënyrë nuk ka shanse të shkapet shteti i kapur nga "nëntoka kriminale" dhe oligarkët e bizneseve të inkriminuara, që zotërojnë gjithçka në saje të lidhjeve të forta me pushtetin e tejkorruptuar e të kriminalizuar. Njohësit e rrethanave thonë se në asnjë mënyrë nuk duhet pritur se ata që ia dhanë të mbrapshtën ekonomisë se vendit dhe i dhanë vulë e jetë të gjatë monopoleve kriminale nuk mund të pritet asgjë e mirë, qoftë kur vjen njëra në pushtet apo tjetra, sepse që të dyja anët e skenës politike, si pozita ashtu edhe opozita, janë kriminale. Andaj, analistët janë të mendimit se për këto fakte Kosovës i duhet një model tjetër qeverisjeje në ekonomi për të pasur liberalizim të plotë të tregut, një konkurrencë të lirë mes bizneseve dhe jo që krimi i organizuar dhe nëntoka e mafio-oligarkisë të diktojnë e udhëheqin shtetin kriminalisht dhe jo ligjërisht.

Image

Vetëm politikanët kosovarë nuk e ndiejnë krizën ekonomike

Analisti Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se ekonomia kosovare ka nevojë për një përkushtim të jashtëzakonshëm nga një klasë e re politike."Në situatën në të cilën gjendet për momentin ekonomia është më shumë se në fund të pusit. Deri më tani nuk kemi pasur një klasë të përgjegjshme politike, e cila i jep prioritet ekonomisë, zhvillimit të saj, luftimit të monopoleve, luftimit të tenderomanisë, luftimit të ekonomisë informale, luftimit të haraçit, luftimit të dukurive të cilat janë në dëm të një ekonomie të tregut", potencoi ai."Për çdo ditë dëgjojmë se qëllimin e vetëm e kanë lulëzimin ekonomik të Kosovës, e në realitet kjo nuk është duke ndodhur dhe mendoj se ka ardhur koha që të dalë në skenë një forcë e re politike, me orientim perëndimor dhe e përkushtuar që ta zhvillojë vendin ekonomikisht e politikisht. Është shumë për çudi si ka mundësi vetëm politikanët të kenë sukses në biznes, vetëm ata nuk ndiejnë asnjë lloj krize financiare edhe nëse në krejt botën ka, pra këtu vërehet qartë se ka interesa të ndryshme që Kosovën e kanë sjellë në prag të falimentimit", theksoi më tutje Beqiri. Ndërsa afaristi Ramadan Maloku, anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, tha për "Kosova Sot" se pa një qeverisje me duar të pastra ekonomia e vendit nuk do të ketë perspektivë."Qeveria e Ramush Haradinajt duhet që të koncentrohet në forcimin e ligjit dhe të rendit, që është edhe parakushti më i madh për zhvillimin ekonomik të vendit", u shpreh ai.

Specialja, shpresë për luftimin e oligarkëve

Analisti Florim Rrudhani tha për "Kosova Sot" se kjo klasë politike janë më shumë biznesmenë se politikanë. "Jeta e tyre luksoze, që nuk justifikohet me paga të deputetit, dëshmon një të vërtetë që krimi i organizuar fillon nga Parlamenti - Qeveria, që ndërtohet nga kjo klasë politike", u shpreh ai."Kjo klasë politike nuk mund ta shkapë shtetin nga nëntoka e kriminalizuar, që në prapavijë është oligarkia, e cila flirton me klasën politike të korruptuar të Kosovës, sepse i bie ta luftojë vetveten", tha Rrudhani."Shpresa e Kosovës është vetëm 'Gjykata Speciale', sepse po lëkund zinxhirët kryesorë të monopolit politik ekonomik që kanë shkatërruar Kosovën, ngase mbrapa këtij monopoli ekonomik qëndrojnë figurat, të cilat kanë shkatërruar ekonominë e Kosovës", ka potencuar analisti Florim Rrudhani. Ndërsa eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se është për të ardhur keq se kush po e udhëheq shtetin, duke e marrë parasysh që shumica nga këta politikanë jo vetëm që janë të inkriminuar, por janë gjithashtu edhe në listën e zezë të Gjykatës Speciale dhe shumë shpejt do të gjykohen."Prandaj, si ka mundësi që një president, që është Hashim Thaçi, gjithashtu në këtë listë nuk jep dorëheqje? Si ka mundësi që një kryeministër, që është Ramush Haradinaj, dhe të cilit edhe i është refuzuar viza për në SHBA, nuk jep dorëheqje, por qëndrojnë në pushtet duke menduar që do të shpëtojnë nga Gjykata Speciale", është shprehur ai.

Image

Partitë të angazhohen për shtet zhvillimor

 Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se synimi i çdo subjekti politik ose koalicioni që vjen në qeverisje të vendit duhet të jetë që të angazhohen të ndërtojnë një vend të pasur ekonomik, në të cilin qytetari i Republikës sonë të jetojë nga puna e tij, me dinjitet dhe krenari. "Dhe, secili subjekt politik duhet jo me fjalime boshe, por me strategji konkrete dhe të afatizuar, të ndikojë në zhvillim të hovshëm dhe të qëndrueshëm ekonomik, sepse nuk do të kemi shtet prosperues nëse qytetarit tonë nuk i garantohet mundësia për të krijuar dhe investuar për një mirëqenie më të mirë. Prandaj, qëllimi i çdo subjekti politik në vend është të kontribuojmë për një vend të nderuar dhe të zhvilluar ekonomikisht e të respektuar në familjen europerëndimore", theksoi ai."Subjektet politike, qoftë në pozitë ose opozitë, nuk mund të kenë rrugë të mbarë për zhvillimin e vendit nëse nuk ndërmarrin masa drastike për eliminimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend. Sepse luftën ndaj korrupsionit përveçse e kemi kusht për liberalizimin e vizave, është duke e varfëruar vendin dhe duke e parandaluar zhvillimin ekonomik të vendit, si dhe duke mos i joshur investitorët e huaj dhe vendorë të cilët do të kishin krijuar vende të reja të punës, që janë më se të domosdoshme kur të kihet parasysh se kemi një popullatë shumë të re në tregun e punës", theksoi analisti Neziraj. Ndërsa Selatin Kaçaniku ('Konsumatori') tha për "Kosova Sot" se mënyra e mosveprimit, e mosinteresimit, e mospërfilljes së premtimeve të veta, të mandateve e ligjeve, e papërgjegjësisë, pandërgjegjshmërisë, e mungesës së transparencës, llogaridhënies e ndarjes së përgjegjësive, dëshmon se partitë politike e politikanët janë vetë, ose në koalicion, të implikuara në "vepër inkriminimet" e të gjitha ngjyrave, trajtave, formave..."Kështu ato apo ata lënë gjurmë, japin dëshmi, ofrojnë prova se janë të implikuar drejtpërsë- drejti ose tërthorazi në të gjitha marifetet dhe se ata nuk mund ta kapin e ta marrin në përgjegjësi vetveten", u shpreh ai. Sipas tij, po shkelen në mënyrë flagrante ligjet dhe rregullat, duke e dëmtuar kështu ekonominë e vendit.

(Kosova Sot)