Përplasja maxhorancë-opozitë, bllokohet Reforma në Drejtësi

  • 12 January 2018 - 22:23
Përplasja maxhorancë-opozitë, bllokohet Reforma në Drejtësi

Situata e tensionuar mes maxhorancës dhe opozitës mund të sjellë një tjetër ngërç ligjor në procesin e përzgjedhjes dhe votimit të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë të Gjyqësorit.

Në Kushtetutë është parashikuar që përzgjedhja e kandidatëve të bëhet me anë të një nënkomisioni, i cili përbëhet nga 5 anëtarë, 3 nga maxhoranca dhe 2 nga opozita. Por, në rast se partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste vendosin të bojkotojnë Kuvendin, atëherë procesi pritet të mbesë pezull.

Me depozitimin e kandidaturave për KLGJ-në dhe KLP-në, sipas Kushtetutës së miratuar me 140 vota në Parlament, procesi tanimë është në dorën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit.

Aktualisht, këtë detyrë e kryen Genc Gjonçaj, ish-avokat i Partisë Socialiste në KQZ. Në Kushtetutë thuhet se Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit do të verifikojë kandidaturat nëse i plotësojnë kriteret ligjore ose jo.

“Në rast se kandidatët nuk i plotësojnë kushtet dhe kriteret për t’u zgjedhur, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit nuk i përfshin emrat e tyre në listë. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, pas përfundimit të verifikimeve, i dërgon menjëherë listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale nënkomisionit, sipas paragrafit 7 të këtij neni”, thekson neni 149 i Kushtetutës.

NGËRÇI

Por, problematika krijohet me ngritjen e nënkomisionit që do të hartojë listën finale të KLGJ-së dhe KLP-së.  “Nënkomisioni përzgjedh kandidatët me mbështetjen e të paktën 4 anëtarëve. Nëse nuk arrihet shumica e kërkuar, kandidatët përzgjidhen me short” thuhet në pikën 7 të nenit 149 të Kushtetutës. Duke qenë se maxhoranca ka vetëm tre anëtarë, ky proces pritet të mbetet peng i një anëtari të opozitës në rast se këta të fundit nuk marrin pjesë në proces. Anëtarët e KLGJ dhe KLP miratohen me shumicë kushtetuese në Parlament, pra, ata duhet të marrin minamalisht 94 vota se 2/3 e Parlamentit. Por, në rast se nuk arrihet kjo kuotë, deputetët kanë parashikuar një “valvul sigurie”, duke e quajtur listën si të miratuar nëse nuk bëhen votat.

“Emrat e kandidatëve të përzgjedhur nga nënkomisioni, përmblidhen në një listë dhe i dërgohen Kryetarit të Kuvendit. Brenda 10 ditëve, Kuvendi miraton listën e kandidatëve me 2/3 e të gjithë anëtarëve. Nëse lista rrëzohet, procedura përsëritet në nënkomisioni, sipas pikës 7 të këtij neni, por jo më shumë se dy herë. Në rast se pas zhvillimit për herë të tretë të procedurës, Kuvendi nuk miraton listën e paraqitur, kandidatët e kësaj liste konsiderohen të zgjedhur. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë zgjidhet në mbledhjen e parë të Këshillit nga radhët e anëtarëve jo prokurorë, sipas ligjit.”, thekson neni 149 i Kushtetutës. 

(Kosova Sot)