Klasa politike e dalë nga lufta të largohet

  • 17 January 2018 - 07:42
Klasa politike e dalë nga lufta të largohet

AMBASADORI WALKER UA PËRKUJTOI POROSINË POLITIKANËVE ISH-KOMANDANTË 

Miku i madh i shqiptarëve e diplomati amerikan, William Walker, është shprehur i zhgënjyer me gjendjen aktuale në Kosovë. Ai vlerësoi që gjërat nuk janë duke ndryshuar fare për të mirë, përderisa theksoi nevojën për një gjeneratë të re të udhëheqësve politikë në Kosovë. "Aktualisht, klasa politike që udhëheq vendin ka dalë nga lufta, përderisa tani është koha që ky shtet të ketë një gjeneratë të re të dijshme e me dinjitet të udhëheqësve politikë. Të gjithë theksojnë se dëshirojnë ndryshimin, por unë ndryshimin nuk po e shoh", deklaroi Walker. Ai po ashtu theksoi që duke u bazuar edhe në shumë eksperienca të vendeve të ndryshme, udhëheqësia e dalë nga lufta ka tendencë që të mos jetë adekuate e as e përshtatshme dhe e dobishme për një mandat të gjatë. Andaj, analistët vlerësojnë se është momenti i fundit që kjo klasë politike dhe kjo udhëheqje të shkojnë në shtëpi. Ish-diplomati amerikan, Xhejms Rubin kishte deklaruar pothuajse pesë vjet më parë, se shpreson që krahu i luftës do ta kuptojnë se është mirë të largohen nga pushteti derisa janë ende të popullarizuar dhe të mos presin derisa është ose bëhet shumë vonë, por ata nuk e dëgjuan këshillën e tij. Analisti Florim Zeqa tha për " Kosova Sot', se në përgjithësi klasa politike kosovare, pa marrë parasysh se cilës parti i përkasin, janë duke e dëmtuar rëndë të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve të Republikës së Kosovës. "Mbase jemi vendi i vetëm në rajon dhe më gjerë që ka në pushtet dhe opozitë një klasë politike të korruptuar dhe inkriminuar skajshmërisht, ku më tepër se gjysma e deputetëve të Kuvendit janë nën hetime për vepra kriminale apo korruptive, ku çdo ditë ministrat e kabinetit qeveritar ballafaqohen me drejtësinë, duke kaluar më shumë kohë nëpër seanca gjyqësore sesa në Parlament", potencoi ai.

Image

Kërkesat nuk u përfillën 

Analisti Zeqa është i mendimit se me këtë klasë të papërgjegjshme politike as që pritet të ndodhë ndryshimi i shumëpritur në Kosovë."Kësisoj me të padrejtë është duke u ndëshkuar një popullatë e tërë shkaku i këtyre politikanëve të korruptuar", u shpreh më tutje ai. "Po ndodh pikërisht kështu, pasi jo të gjithë qytetarët e vendit janë duke u angazhuar për ndryshime në këtë vend. Bashkëfajtor për këtë situatë janë të gjithë ata të cilët me votën e tyre po e mbajnë në pushtet këtë klasë injorantësh dhe kusarësh politikë", ka thënë Zeqa. "Me plotë të drejtë rreth kësaj çështjeje e ka ngritur shqetësimin edhe miku i madh i shqiptarëve, diplomati amerikan, William Walker, i cili është shprehur i zhgënjyer me gjendjen aktuale në Kosovë", vijoi ai. Ndërsa, politologu Gurakuq Kuçi tha për "Kosova Sot", se kërkesa për ndryshim të njerëzve të politikës, vazhdimisht ka pasur nga bashkësia ndërkombëtare, dhe këta nuk iu kanë drejtuar vetëm politikanëve, por edhe popullit, mirëpo asnjëra palë nuk ka dashur të dëgjojë. "Kryesisht pas luftës, liderët e luftës e marrin pushtetin, dhe të tillët për udhëheqjen e luftës janë të mirë, por jo për ndërtimin e shtetit, sepse rënia e pushtetit në duar të tyre, duke mos njohur skrupujt shtetarë, kalon në autoritarizëm, oligarki, uzurpokraci etj.", u shpreh ai. "Tërheqja e liderëve të tanishëm është duke iu kërkuar që nga shpallja e pavarësisë, madje edhe një ish-diplomat nga Shqipëria atëkohë iu ishte drejtuar se 'deri këtu keni pasur vetëm ngritje fame, këtu e tutje fillon rënia juaj, andaj tërhiquni sa jeni në kulmin e famës së mirë'", theksoi Kuçi. Por, sipas tij, ata nuk ishin të gatshëm dhe nuk janë të tërhiqen pasi janë të lidhur fort pas pushtetit dhe biznesit. "Me pushtet janë gardianë të ruajtjes së bizneseve dhe oligarkisë së tyre dhe shmangies nga përgjegjësia para drejtësisë. Bashkësia ndërkombëtare, përkundër thirrjeve, deri më tani nuk ka marrë veprime konkrete për shmangien dhe largimin nga pushteti të të tillëve, për shkak se politika e saj ka qenë më shumë e orientuar nga stabilokracia (sundimi i stabilitetit) sesa zhvillimin demokratik dhe ekonomik", shpjegoi ai.

Image

Bandat e krimit që nga lufta 

Analisti Ibrahim Kelmendi tha për "Kosova Sot" se nuk i ka pritur këshillat e apelet e Walker-it e Rubinit, meqë, sipas tij, Hashimat, Xhavitat, Azemat, por edhe Bukoshat e Mustafat i ka njohur para tyre dhe më mirë se ata. "Prandaj, sapo u çlirua Kosova, në Kuvendin e fundit të Lëvizjes, mbajtur në qershor 1999 në Prizren, jam prononcuar që të tërhiqem nga veprimtaria politike dhe partiake... Nuk doja te njollosesha duke qenë pjesëtar i atyre klaneve e bandave të krimit të organizuar", theksoi ai. "Fatkeqësisht, në demokraci vendosin votuesit dhe jo apelet, qoftë edhe të miqve të shquar, kush të mbetet në politikë e kush kur të largohet. Marionetat nuk janë autonomë në vendimmarrje, ata zbatojnë urdhra të eprorëve. Amerika këto marioneta kuislinge Kosovës ka mundur t'ia hiqte qafe me arrestim të kahershëm të tyre, meqë ishte pjesë e UNMIK-ut dhe EULEX-it. Por, duket, edhe administratave të Uashingtonit e Brukselit po u konvenojnë këto kategori politikanësh", ka potencuar Kelmendi. "Fatkeqësisht, Gjykata Speciale nuk po i frikësohet askujt, meqë ajo ende nuk e ka filluar punën. Kjo gjykatë nuk është formuar për të gjykuar kriminelët e Kosovës, por është imponuar nga Serbia, Rusia dhe miqtë e tyre në Këshillin Evropian, që ta komprometojnë dhe të hakmerren kundër Aleancës NATO për bombardim të Serbisë dhe ndihmën për çlirim të Kosovës nga pushtimi serb", shtoi më tutje Kelmendi. Sipas tij, plot gazetarë e analistë, në mungesë të punës profesionale, po dezinformojnë, sikur Gjykata Speciale është themeluar për t'i gjykuar kriminelët e Kosovës. "Vetë fakti që Serbia i ka urdhëruar marionetat e saj kuislinge, të shpërdorojnë Kuvendin e Kosovës kundër Gjykatës Speciale dëshmon se Serbia nuk është e interesuar të shqyrtohen shpifjet e saj, është mjaftuar vetëm që e pati imponuar në Këshill Evropian", tha analisti Kelmendi.

Image

Partitë, të gjitha të zhytura

Eksperti i drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, tha për "Kosova Sot" se një gjeneratë e re politike është tash një kërkesë e të gjithë qytetarëve, ngase koha shpejt po ikën dhe qytetarët nuk po shohin më perspektivën me një klase të tillë politike si PDK-ja, VV-ja, LDKja, parti që po cilësohen përgjegjëse kryesore përse Kosova është në një agoni dhe izolim."Secila prej këtyre subjekteve është e njëjtë, zënkat, konfliktet politike, inatet dhe grindjet e tyre, të gjithë janë lodhur prej paaftësisë së tyre për të gjetur zgjidhje, kjo tash është në duart e qytetarëve, nëse qytetarët nuk vetëdijesohen dhe ndërrojnë këta njerëz zhvatës të parasë publike, ku shtetin e shohin si kompani apo ndërmarrje punësimi, ku ata hyjnë dhe fitojnë paga të majme dhe korrupsion, nepotizëm, tashmë të gjithë janë lodhur, shtetet perëndimore kaherë e kanë bërë me dije se tashmë koha për këtë gjeneratë politike ka shkuar", theksoi ai."Është e vërtetë që njëherë s'ka alternativë shteti, përveçqë ka 74 parti të regjistruara, është në duart të qytetarëve të zgjedhë krejtësisht një alternativë të re, që deri tash nuk ishte pjesë e këtyre marifeteve politike të dëmshme për shtetin", vijoi më tutje Burjani. Sipas tij, tashmë Kosova që nga viti 2014 sillet në një cikël të njëjtë të dëmshëm për qytetarët, sepse kjo klasë anarkike duhet të shkojë sa më parë dhe është në duart edhe të klasës intelektuale që të bëjnë një lëvizje të re politike gjithëpërfshirëse për t'i larguar këta njerëz zhvatës dhe "badihavxhinj", duke u sjellë me duar në xhepa poshtë e përpjetë kot dhe duke zhvatur paratë publike.

(Kosova Sot)