Premtimet pompoze pushtetarët po i zbatojnë për vete

  • 17 January 2018 - 08:00
Premtimet pompoze pushtetarët po i zbatojnë për vete

Punësimi dhe rritja e pagave, zotime të shkelura nga qeveria

Partitë dhe liderët e tyre, pasi bëjnë fushata pompoze, kur vijnë në pushtet i harrojnë fare zotimet, duke mos bërë asgjë për të ngritur mirëqenien e qytetarëve dhe për ta mbështetur sipërmarrjen e lirë private, por duke ua shtuar hallet atyre. Në fushatën zgjedhore të vitit 2014, në një debat në televizionin publik, kandidati për kryeministër nga AAK-ja, pati premtuar mbi 200 mijë vende të reja të punës dhe pagë mesatare prej 1.000 euro në muaj. Sipas analistëve, premtuesi i atyre 200 mijë vendeve të punës është tani kryeministër, kurse në mbi 120 ditët e tij të qeverisjes ka arritur të punësojë vetëm ministra, zëvendësministra e këshilltarë politikë, si dhe të ngrejë pagën mesatare të vartësve 'badihavxhinj' të tij në mbi 1 000 euro! analistët vlerësojnë se qytetarët dhe pronarët e bizneseve të dëshpëruar me moszhvillim ekonomik, moshapje të vendeve të reja të punës, monopole kriminale dhe ngulfatje të tregut nga nëntoka kriminale, duke u bindur se dhe kjo qeveri, si të gjitha të tjerat, e kanë dorëzuar tërë ekonominë, e besa edhe shtetin, në duart e mafiooligarkëve të inkriminuar thellë në krim të organizuar, po kërkojnë shpëtim jashtë Kosovës, edhe atë edhe përmes rrugëve të kalimit ilegal të kufirit për në vendet e BE-së dhe duke iu paguar trafikantëve nga 2000 deri 3000 euro! Analistët ndërkaq thonë se, përderisa në Kosovë për 5 vjet janë krijuar vetëm 28.917 vende të punës, për më pak se dy vjet, Gjermania për kosovarët kanë siguruar punë për 37.241 kosovarë (nga 47.189 aplikantë nga Kosova, 37.241 prej tyre arritën që të gjejnë një vend pune). Sipas tyre, kjo flet se si kanë dështuar tërësisht institucionet shtetërore të Kosovës për të kryer rolin e tyre për çka edhe janë zgjedhur. Analistët thonë se në vend të fokusit se si të hapen vende të reja të punës, përkatësisht se si të ndërpriten urgjentisht monopolet kriminale, si të sillen para drejtësisë të gjithë ata që lejuan monopole kriminale për mbi 10 vite, si të hapet tregu, pushtetarët aktuale të vetmen brenge e kanë pasur se si të shkojnë në Zvicër dhe të kryejnë pushimet në resorët më të shtrenjtë, duke kontribuar kështu në ekonominë e tejpasur zvicerane.

Image

Punësimi, një dështim i madh 

Analisti Lulzim Beqiri tha për "Kosova Sot" se jemi dëshmitarë se politikanët kosovarë në fushata zgjedhore premtojnë shumë e realizojnë pak."Qëllimin e kanë të vijnë në pushtet, pastaj të mendojnë për qytetarët e vet, sepse çdo kryeministër ka premtuar mrekulli, e në anën tjetër janë 270 mijë familje në asistencë sociale, me një papunësi mbi 40 për qind, me një ekonomi buzë shkatërrimit", u shpreh ai."Siç jemi dëshmitarë, kanë kaluar 120 ditë dhe ende nuk ka një plan konkret për punësim, përveç punësimeve partiake, të cilat e kanë arritur edhe kulminacionin, janë mbi 72 zëvendësministra me një kosto astronomike, duke llogaritur rritjen ekonomike, por nuk ka interesim që të punësohen qytetarët e Kosovës, por të punësohen militantët partiakë, thjesht ka qenë një nxitje për ikje jashtë vendit për një jetë më të mirë", shtoi më tutje Beqiri."Se Kosova është në gjendje të mjerueshme ekonomike tregon fakti i mbi 47.189 aplikimeve për punë në Gjermani dhe vende të BE-së, pra Kosova nuk po shihet si vend ku mund të qëndrojnë qytetarët pa orientime politike, vetëm në Gjakovë në vitin 2017 mbi 300 qytetarë lanë shtetësinë e Kosovës për një jetë më të mirë, nuk e di pse dhe si kanë fytyrë kjo klasë politike me dalë në opinion", potencoi analisti Beqiri. Sipas tij, çuditërisht opinioni publik kosovar vazhdon që të ruajë tendencën e fortë të optimizmit, optimist në ekonomi, punësim, luftim të korrupsionit, luftë ndaj nepotizmit, integrimeve euroatlantike, edhe pse ndodhin 1001 probleme të tjera. "Duhet ta dini se çdo qytetar i Republikës së Kosovës merr pjesë në borxhin publik të shtetit me rreth 500 euro për secilin qytetar, duhet të llogarisë me i ndarë rreth 500 euro nga të ardhurat e tij. Kosova ka aktualisht rreth 852 milionë euro borxh. Dhe duhet shtruar pyetjen se kah është duke shkuar kjo ekonomi me këta hapa çoroditës", thotë ai. Sipas Beqirit, ekonomia kosovare ka kapitulluar, përderisa partitë politike e kanë dertin e vetëm karrigen e tyre."Ekonomia dhe sistemi financiar në Kosovë janë jashtë kontrolli, Kosova ka nevojë për stabilitet politik që të ketë zhvillim ekonomik. Qeveria e Republikës se Kosovës ka dështuar të menaxhojë asetet e saja dhe kjo është mjaft shqetësuese", ka thënë ai.

Image

Premtimet mbetën në letrat e politikanëve

Analisti Dardan Grapci, për gazetën "Kosova Sot", tha se edhe premtimet e kësaj qeverie për mijëra vende të reja të punës do të jenë gënjeshtra e radhës, sikurse që ishin edhe ato premtimet e të gjitha qeverive të pasluftës. "Kjo ngase premtuesi i atyre mijëra vendeve të punës, që është tani kryeministër, për më shumë se 120 ditët e qeverisjes së tij ka arritur të punësojë vetëm ministra, zëvendësministra e këshilltarë politikë, si dhe t'ia rrisë pagën mesatare vetvetes dhe vartësve mbi 1000 euro", ka theksuar ai. "Qytetarët tanë dhe pronarët e bizneseve me të drejtë janë të dëshpëruar me moszhvillim ekonomik, moshapjen e vendeve të reja të punës, me monopolet e shumta kriminale në ekonominë tonë të brishtë, si edhe me ngulfatje të tregut që po bëhet nga nëntoka kriminale", u shpreh më tej Grapci. Sipas tij, qytetarët tanë dhe biznesi janë të dëshpëruar, sepse tashmë edhe ata janë bindur se edhe kjo qeveri, si të gjitha të tjerat, e ka dorëzuar tërë ekonominë dhe shtetin në duart e mafio-oligarkëve të inkriminuar thellë në krim të organizuar."Si rezultat i këtyre qeverisjeve, e kemi situatën kur qytetarët e zhgënjyer nga papunësia e madhe që e ka kapluar vendin po detyrohen që të kërkojnë shpëtimin e tyre jashtë Kosovës. Dhe që e keqja të jetë edhe më e madhe qytetarët po e bëjnë këtë edhe përmes rrugëve të kalimit ilegal të kufirit për në vendet e BE-së dhe duke iu paguar trafikantëve nga 2.000 deri 3.000 euro", ka vlerësuar Grapci.

Image

Qeverisë i intereson vetëm luksi i vet 

Analisti Florim Rrudhani, për gazetën "Kosova Sot', tha se pushtetarët aktuale të vetmen brengë e kanë pasur se si të shkojnë në Zvicër dhe të kryejnë pushimet në resorët më të shtrenjtë, duke kontribuar kështu në ekonominë e pasur zvicerane."Është për keqardhje se në Kosovë për 5 vjet janë krijuar vetëm 28.917 vende të punës, për më pak se dy vjet Gjermania për kosovarët ka siguruar punë për 37.241 kosovarë (nga 47.189 aplikantë nga Kosova, 37.241 prej tyre arritën që të gjejnë një vend pune)", u shpreh ai. Andaj Rrudhani thotë se këto shifra edhe na flasin se si kanë dështuar tërësisht institucionet shtetërore të Kosovës për të kryer rolin e tyre për çka edhe janë zgjedhur. "Në këto qeveri nuk kanë qenë të fokusuara se si të hapen vende të reja të punës, përkatësisht atyre nuk u ka interesuar se si të ndërpriten urgjentisht monopolet kriminale", theksoi ai. Ndërsa, analisti Ragip Guraziu për "Kosova Sot" tha se premtimet e kryeministrit të tashëm datojnë që nga 2014, por ekonomia në kolaps total nuk ka shanse të rimarrë veten me këtë politikë dështuese në institucionet tona."Në fushatën zgjedhore të vitit 2014, në një debat në televizionin publik, kandidati për kryeministër nga AAK-ja pati premtuar mbi 200 mijë vende të reja të punës dhe pagë mesatare prej 1 000 euro në muaj", ka thënë ai. "Premtuesi i atyre 200 mijë vendeve të punës është tani kryeministër, kurse në mbi 120 ditët e tij të qeverisjes ka arritur të punësojë vetëm ministra, zëvendësministra e këshilltarë politikë, si dhe të rrisë pagën mesatare të vartësve 'badihavxhinj' të tij në mbi 1000 euro", ka theksuar Guraziu. "Qytetarët dhe pronarët e bizneseve, të dëshpëruar me moszhvillim ekonomik, moshapje të vendeve të reja të punës, monopole kriminale dhe ngulfatje të tregut nga nëntoka kriminale", potencoi ai. Ndërsa Selatin Kaçaniku ('Konsumatori'), tha për "Kosova Sot" se sikur të mos ishte mundësia e punësimit jashtë vendit, Republika e Kosovës kaherë do të ishte shtet i falimentuar ekonomikisht. "Organizata 'Konsumatori' dy legjislaturave të fundit të MPMS-së ua pat ofruar shërbimin, bashkëpunimin, konsulencën tonë për realizimin e projekt-idesë për gjenerimin e qëndrueshëm të punësimit. Por, akoma nga askush nuk kemi përgjigje", u shpreh ai. Sipas Kaçanikut, kjo politikë qeveritare është krejtësisht e dështuar.

(Kosova Sot)