Serbia dyshohet se eliminoi Ivanoviqin

  • 18 January 2018 - 07:52
Serbia dyshohet se eliminoi Ivanoviqin

VRASJA E POLITIKANIT SERB NË VERI TË KOSOVËS

Analistët i bëjnë thirrje autoriteteve kosovare të kontrollojnë veriun

"Oliver Ivanoviqi ka kryer shumë shërbime për shtetin e Serbisë në të kaluarën, mirëpo erdhi momenti kur shteti i Serbisë nuk kishte më interes për shërbimet e tij. Si rezultat i kësaj, ky filloi të flasë dhe të bëjë publike të palarat e individëve të tjerë që kanë punuar për shtetin e Serbisë. Kjo ishte e mjaftueshme për likuidimin e tij. Me këtë likuidim, shteti i Serbisë do të përcjellë porosinë se kushdo nga shërbëtorët që lëshon vijën e shtetit të Serbisë e pret vrasja", shpjegon analisti Xhevat Meha për "Kosova Sot"

Sado që krerët e shtetit tonë po lavdërohen dhe po thonë se e kanë situatën në kontroll të plotë, vrasja e politikanit serb Oliver Ivanoviq, në veri të Kosovës, është edhe një dëshmi serioze për gjendjen jashtë kontrollit në këtë pjesë të territorit ku akoma operon Serbia me strukturat e saj paralele dhe tepër kriminale. Zyrtarët e Departamentit Amerikan të Shtetit ditë më parë kishin paralajmëruar për akte terroriste e trazira eventuale në veri të Kosovës. Por, me gjithë këto paralajmërime, edhe këtu dështuan institucionet përgjegjëse kosovare. Lideri serb Oliver Ivanoviq ishte përballur me akuza për krime lufte dhe është i vetmi që nuk është mbrojtur nga qeveria serbe. Sipas analistëve, kjo është një vrasje e pastër politike me porosi të qartë, prandaj kërkohet maturi nga politika kosovare. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda (Alternativa) tha për gazetën "Kosova Sot " se në këtë tentim destabilizmi të Kosovës, që ndodhi me vrasjen e Ivanoviqit, politika kosovare duhet të jetë më e matur, për shkak të rrethanave në të cilat jemi. "Veç saj, së pari neve si shqiptarë duhet ta kemi në mes vete një diskutim serioz e jo populist, por serioz e racional për gjendjen që mbretëron në veri të Kosovës, në mënyrë që të përmirësohet dhe të forcohet kontrolli i institucioneve të Kosovës për krijimin e sigurisë në atë pjesë të vendit", u shpreh ai. 

Image

Veriu, jashtë kontrollit

Sipas Dedës, dje është dëshmuar që në veri të Kosovës faktikisht nuk ka kontroll të plotë e më së paku kanë kontroll të plotë Policia e Gjyqësia e Republikës së Kosovës. I pyetur se a është injoruar vërejtja e Departamentit Amerikan të Shtetit, analisti Deda tha se duhen shikuar edhe mekanizmat e sigurisë së shtetit të Kosovës a janë të përgatitura sa duhet, sidomos kur kemi paralajmërime serioze nga Departamenti i Shtetit se mund të ketë sulme terroristë në veriun e vendit. "Pra, kjo çfarë i duhet Kosovës është maturia dhe kthjellja e diskutimi më serioz për atë ku gjendemi ne, e jo të hyjmë në aventura të konfrontimit me Perëndimin si u tentua sot, që të futet në rend dite zhbërja e Gjykatës Speciale", vijoi më tej ai. "Në kohën kur Kosova po rrezikohet e cenohet siguria, gjëja fundit që duhet të ndodhë është përkeqësimi i marrëdhënieve me shtetet perëndimore. Përgjegjës për këtë përkeqësim janë Hashim Thaçi,Kadri Veseli dhe Ramush Haradinaj", potencoi deputeti Deda. Ndërkaq, i pyetur se a është presidenti serb, Vuçiqi, në një linjë me politikën ruse dhe Qendra Humanitare në Nish, që është afër Kosovës, a po e rrezikon Kosovën, analisti Ilir Deda tha se autoritetet tona shtetërore duhet të dinë se çka është duke ndodhur e ta shtrojnë sovranitetin e ligjshmërinë në tërë territorin e Republikës. 

Përfshirja e shërbimeve sekrete

Eksperti i fushës së drejtësisë, Blerim Burjani tha për "Kosova Sot" se vrasja e Ivanoviqit është një vrasje e politike e strukturave të UDB-së serbe. "Herët a vonë do të zbulohet e vërteta e një rasti tragjik ndaj një lideri serb të Kosovës, sepse Ivanoviq ishte një politikan serb në Kosovë që kishte shumë kundërshtarë, si në veri edhe në Serbi", vlerësoi ai. "Kështu duket të jetë, ngase edhe paralajmërimet e Departamentit të Shtetit po dalin të sakta plotësisht, se diçka po zihet në veri që një kohë të gjate është ditë nga burimet policore të Kosovës", ka thënë Burjani. "Edhe njëherë po tregohet e saktë se shteti i Kosovës nuk ka kontroll mbi veriun, asnjëherë edhe nuk ka pasur, dhe për më tepër flitet për kontroll fiktiv sesa real dhe veprues, ngase strukturat policore dhe UDB-ja funksionojnë në këtë pjesë të shtetit të Kosovës", shpjegoi më tutje ai. "Atje funksion mafia serbe, kontrabanda me narkotikë dhe armë, automjete të vjedhura, por edhe gjithçka tjetër, ngase për momentin nuk ka kush që ta ndalë anarkinë dhe jetën jashtë-institucionale", ka theksuar Burjani. Sipas tij, në veri duhet të vendoset ligji e të ketë siguri për serbët. "Serbia me qëllim qëndron prapa ngjarjeve atje në veri. Interesi i Serbisë është për ta akuzuar Kosovën, aq më tepër kur dihet qartë se institucionet shtetërore të Kosovës nuk pyeten asnjëherë për veriun, ngase ata si pakicë serbe dhe bandat serbe që vijnë nga pjesët e shumta të Serbisë qeverisen dhe shtinë me armë në orët e mëngjesit e të mbrëmjes dhe të ditës pa kurrfarë ndërhyrjeje të policisë për të ndalur problemet", tha analisti Blerim Burjani. 

Image

Viktima kreu shumë shërbime 

Analisti Xhevat Meha, për gazetën " Kosova Sot" tha se vrasja e Oliver Ivanoviqit është kryer në mënyrën më profesionale, gjë të cilën e kryejnë shërbimet e sekrete me përvojë. "Si e tillë, kjo vrasje është kryer për të dhënë shumë efekte, ku vetëm disa nga këto po i përmendi: Krijimi i jostabilitetit, hapja e konflikteve ndëretnike përmes hedhjes së fajit tek shqiptarët, vendosja e barrikadave në procesin e bisedimeve e të ngjashme, të cilat është lehtë të identifikohen dhe të dihen edhe nga qytetarët e zakonshëm", u shpreh ai. "Një efekt dua të ceku këtu, që jo shumë individë mund ta vërejnë. Oliver Ivanoviqi ka kryer shumë shërbime për shtetin e Serbisë në të kaluarën, mirëpo erdhi momenti kur shteti i Serbisë nuk kishte më interes për shërbimet e tij. Si rezultat i kësaj, ky filloi të flasë dhe të bëjë publike të palarat e individëve të tjerë që kanë punuar për shtetin e Serbisë. Kjo ishte e mjaftueshme për likuidimin e tij", u shpreh Meha. "Kjo porosi më tepër u dërgohet shumë shqiptarëve që kanë kryer shërbime për shtetin e Serbisë, por që kohën e fundit kanë filluar të ngurrojnë në ofrimin e shërbimeve, dhe porosia për ata apo ato është e qartë, ju pret vrasja", shpjegon më tutje ai. Sipas Mehës, vrasja e Oliver Ivanoviqit është vetëm fillimi i një serie të veprimeve të cilat Serbia mund t'i kryejë në Kosovë deri në qershor të këtij viti. Ndërkaq, analisti Hidajet Ahmeti tha për "Kosova Sot", se beson që vrasja e Oliver Ivanoviqit është një vrasje e planifikuar dhe orkestruar nga shërbimet sekrete ruse e serbe, e cila vrasje edhe njëherë dëshmon për anarkinë totale që mbizotëron në Mitrovicën e Veriut. "Njëkohësisht, kjo vrasje e inskenuar jep një mesazh të qartë për krerët e institucioneve, se shteti i Kosovës ka sovranitet të cunguar dhe shpërfaq injorancën e tyre", theksoi ai. "Tash e 19 vjet Mitrovica e Veriut kontrollohet nga strukturat ilegale dhe nga mafia serbe, e cila atë pjesë të Kosovës ka shndërruar në një "oazë" të krimit e kontrabandës, krejt falë heshtjes së krerëve të shtetit të Kosovës. Gjykoj se kjo vrasje e planifikuar e me prapavijë politike, është inskenuar për qëllime të mëdha politike, e cila ka impakt ndërkombëtar për interesat afatgjate serbe e ruse", vlerësoi Ahmeti. 

Hetimet e Policisë

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për medie, ka njoftuar se ka vazhduar aktivitetet intensive operacionale dhe hetimore për zbardhjen e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq. Nga dëshmitë e mbledhur, Policia konfirmon se viktima është vrarë me armë zjarri të kalibrit 9X19 mm, me shurdhues. Policia po vazhdon ekzaminimit kriminalistik të të gjitha dëshmive. " Në veçanti janë duke u nxjerrë, analizuar dhe vlerësuar video-incizimet e marra nga kamerat e sigurisë, të cilat janë marrë në vendin e ngjarjes apo që ndërlidhen me vendin e ngjarjes, si dhe dëshmitë e tjera materiale", thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës. Deri më tash, sipas Policisë, janë intervistuar disa dëshmitarë si dhe janë pranuar disa informacione përmes kanaleve të sigurta të komunikimit, të vendosura për këtë qëllim nga Policia e Kosovës. Gjithashtu, Policia ka arritur të gjurmojmë në nivel vendi, por edhe ndërkombëtar të dhënat lidhur me qarkullimin si dhe pronarin e veturës "Opel Astra", e cila u gjet e djegur pas vrasjes së Ivanoviqit. Qindra qytetarë nga Mitrovica i kanë dhënë lamtumirën Oliver Ivanoviqit, i vrarë të martën në mëngjes para zyrës së subjektit të tij politik, me emrin, iniciativa qytetare "Liria, Demokracia, Drejtësia". Kortezhi me arkivolin e Ivanoviqit është nisur nga Mitrovica Veriore për në Beograd, ku pritet të varroset të enjten. 

(Kosova Sot)