Vëllai tregon telefonatën e fundit: Aldisoni dhe Ariela 3 vjet të lidhur, ditën e ngjarjes më tha se…

  • 24 January 2018 - 10:43
Vëllai tregon telefonatën e fundit: Aldisoni dhe Ariela 3 vjet të lidhur, ditën e ngjarjes më tha se…

Vëllai i Aldison Belulajt, autorit të krimit të rëndë që ndodhi të dielën në Tiranë, ku mbeti e vrarë studentja 21-vjeçare Ariela Murati, tregon se dy të rinjtë kanë qenë të lidhur prej 3 vitesh.

Arben Belulaj shprehet se ditën që ndodhi ngjarja, kishin rënë dakord me prindërit e Arielës, që të shkonin sërish në shtëpinë e tyre për të vendosur se si do të shkonin gjërat mes çiftit. Por, atë ditë Ariela nuk erdhi nga Tirana.

Ndërsa për të vëllai, ai thotë se kishte komunikuar disa herë me të në telefon atë ditë, por ai nuk i ka treguar se ishte në Tiranë, duke i thënë se ndodhej në Fier me një shok dhe nuk do të vonohej.

Ju keni ndonjë dyshim se cili mund të ketë qenë motivi që shtyu vëllain tuaj në vrasjen e Ariela Muratit?

Vetëm zoti dhe ata të dy e dinë si është e vërteta. Askush tjetër nuk mund të thotë asgjë më shumë. Ne na vjen shumë keq edhe për palën andej, edhe për ne këtej. Kjo që ndodhi, ndodhi.

Ju e keni njohur viktimën?

Po, e kam njohur. Këtu e ka bërë shkollën. Ajo filloi vitin e parë, Aldi ishte në vit të tretë. Shumë media kanë folur shumë keq. Por ne nuk mund të flasim keq as për palën tjetër, as për askënd. Kjo që ndodhi, ishte diçka mes dy të rinjve. Vetëm ata e dinë të vërtetën. Askush tjetër. As unë, që jam vëllai i tij, as xhaxhai im, as daja, as askush nuk mund të thotë me siguri se si ka qenë situata. Aldi nuk fliste me askënd për punët e tij.

Kishin biseduar me të ditën e ngjarjes, të dielën?

Po, kam folur. Nuk e dija që kishte shkuar në Tiranë. Mua më pati thënë se ishte në Fier. Kam folur në telefon, e kam pyetur se ku ishte e më tha se po pinte kafe. “Jam në Fier, po pi kafe me një shok dhe do vij”, kështu më pati thënë atë ditë. Më tha që të mos bëheshim merak se do të vinte. E kemi marrë në telefon gjithë ditën dhe gjithë kohës na ka thënë se ishte në Fier me një shok.

Ju kishte folur për ndonjë gjë në lidhje me vajzën?

Ai ishte tip shumë i mbyllur në vetvete dhe nuk i tregonte askujt për gjërat që bënte. Mua më thoshte shiko familjen tënde, ke fëmijët.

Ka pasur dëshmi se ju si familje kishit kërkuar dorën e vajzës te prindërit e saj. Si është e vërteta?

Ne vajtëm në shtëpi që të bënin një ballafaqim mes djalit dhe vajzës. Pasi vajza kishte mohuar çdo gjë, çdo lidhje me Aldin. Jo se i është kërkuar dora. Kemi shkuar për një sqarim. Kjo ka qenë situata. Atë ditë e kishim lënë për në fundjavë, që të flisnim tamam se si do të vazhdohej. Pra, për të dielën, ditën kur ndodhi ngjarja. Vajza nuk erdhi nga Tirana në fundjavë, por ndodhi ajo që ndodhi.

Në të vërtetë, a kanë pasur lidhje më përpara?

Është normale kjo. Të jesh me një vajzë 3 vjet e të mos kesh lidhje. Është lidhje 3- vjeçare, nuk është lidhje 1 apo 2-ditore.

Pra, vëllai juaj donte që këtë lidhje ta formalizonte, të shkonte drejt fejesës?

Aldi e donte shumë. E donte me shpirt. Nuk mund ta ndalonte dot askush atë që ndiente ai për atë.

(Kosova Sot)