Zv.ndihmës sekretari i SHBA-së: Mirëpresim Specialen - Kosova të punojë në sundimin e ligjit

  • 04 August 2015 - 17:35
Zv.ndihmës sekretari i SHBA-së: Mirëpresim Specialen - Kosova të punojë në sundimin e ligjit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga zhvilloi një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, Hoyt Yee, në vazhdimësi të përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për të përmbushur obligimet ndërkombëtare.
Presidentja Jahjaga dhe Yee theksuan rëndësinë e votimit të Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, që adreson akuzat nga raporti i Këshillit të Evropës, por që njëkohësisht e thekson përkushtimin e popullit dhe të institucioneve të Kosovës për drejtësi. Të dy bashkëbiseduesit theksuan se me miratimin Gjykatës  Speciale ne Kuvend, Kosova po tregon përkushtimin e saj për përmbushjen e obligimeve të marra ndërkombëtare dhe përgjegjshmëri shtetërore. 
Presidentja Jahjaga dhe zëvendësndihmës sekretari Yee biseduan edhe për përparimin në proceset e integrimeve evropiane, në veçanti përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave dhe nënshkrimin e MSA-së, vazhdimin e konsolidimit ndërkombëtar të vendit dhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare si dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe të rendit në Kosovë, përmes thellimit të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe të  ekstremizmit. Jahjaga ritheksoi rëndësinë që SHBA-të kanë për Kosovën dhe njëkohësisht edhe për rajonin dhe vlerësoi se vazhdimi i mbështetjes amerikane për vendin do të ndihmojë edhe stabilitetin por edhe sigurinë jo vetëm në Kosovë.
Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit,  Hoyt Yee tha se SHBA-ja mirëpret vendimin e Kuvendit të Kosovës për Gjykatën Speciale. Ai tha se SHBA do të jetë përkrah Kosovës në proceset e rëndësishme të zhvillimit demokratik të saj si dhe do ta mbështes në rrugën e integrimeve. Ai i inkurajoi institucionet e Kosovës që të punojnë më shumë në fushën e sundimit të ligjit dhe të rendit, përmes vazhdimit të reformave të brendshme që ndihmojnë në promovimin e zhvillimit ekonomik dhe të investimeve të huaja.

(Kosova Sot)