Mashtrim shtetëror ME DEMARKACIONIN - Lajme - Kosova Sot
Mashtrim shtetëror ME DEMARKACIONIN

Mashtrim shtetëror ME DEMARKACIONIN

TRE VJET ZVARRITJE NGA POLITIKA KOSOVARE

Për momentin mbetet një mister i madh se a do ta miratojë Kuvendi i Kosovës Demarkacionin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi sipas variantit të Murat Mehës dhe a po i hidhet pluhur syve të opinionit se me palën malazeze ka një marrëveshje, që nëse ka gabime të bëhen korrigjime. Kryesia e Kuvendit të Kosovës e ka shtyrë për një kohë të pacaktuar shqyrtimin dhe votimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Kryesia e ka marrë këtë vendim për shkak të mungesës së konsensusit politik. Demarkacioni është marrëveshje ndërkombëtare, andaj për ratifikimin e saj nevojiten 80 vota, apo dy të tretat e votave të deputetëve. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka deklaruar se nuk do të lejojë që Kuvendi të jetë skenë teatrale ku persona të caktuar synojnë të sqarojnë inatet personale, të cilat do të reflektonin pastaj në ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. "Asgjë nuk ka të jashtëzakonshme. Çështja e Demarkacionit është interes i subjektivitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës", tha Veseli."Ka nevojë për një konsensus të gjerë nacional. Nuk është vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe një drejtim pozitiv i partneritetit të vendeve të NATO-s", theksoi Veseli. Kurse, shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se çështja e Demarkacionit është shtyrë në një kohë të pacaktuar, edhe pse, sipas tij, një vendim i tillë nuk është veprim i duhur. " Unë besoj se kështu nuk mund të vazhdohet më. Vendit i duhet një Qeveri e re, që mund të adresojë nevojat e qytetarëve dhe vendimet që janë kapitale për të ardhmen e vendit", tha Hoti.

Image
Kufiri është në Çakorr
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ali Lajçi (LVV) tha për "Kosova Sot", se përgjegjës për shtyrje të këtij demarkimi janë qeveritë e deritashme që e kanë punuar një projekt diletant, i cili i ka humbur territor Kosovës dhe që ka nxitur qytetarët dhe pastaj partitë opozitare që të reagojnë. "Marrëveshja për Demarkacionin duhet ndryshuar dhe kufiri duhet të jetë aty ku është, sepse nuk ka formë tjetër të demarkimit të kufirit, ngase atë duhet bërë vetëm në vijën reale të demarkimit. Andaj, demarkimin duhet bërë, por atje ku duhet, në Çakorr, në Kullë, në Mokër etj., dhe si faktor të përcaktimit të kufirit duhet që të shërbejnë qafat dhe majat e maleve, kurse pronat private duhet që të regjistrohen në komuna përkatëse, derisa pronat publike mbesin aty ku janë, pra mbesin prona nacionale", u shpreh ai. Ndërsa, analisti politik, Ali Hertica tha për " Kosova Sot" se është e papranueshme kontrabanda e marrëveshjes nëpërmjet kushtëzimit të vizave. "Humbja e 3 vjetëve ishte vetëm për qëllime partiake dhe grupeve të interesit për të ardhur në pushtet, ku e degradon qytetarin drejt liberalizmit të vizave, ku nga faktori ndërkombëtar mori një notë thuajse të dobët për zhvillimet politike dhe shtytjen e proceseve përpara drejt integrimin në EU", u shpreh ai.
Image

Ndryshimi, i pamundur

Analisti Blerim Burjani tha për 'Kosova Sot", se nëse votohet marrëveshja e kaluar me Malin e Zi, atëherë deputetët duhet të japin përgjegjësi para qytetarëve për zvarritjen e procesit dhe për dëmet e bëra qytetarëve duke i lënë ata të izoluar. "Demarkacioni ose duhet të votohet, ose duhet të prishet, ngase ky koalicion edhe ashtu do të prishet shumë shpejt, ndoshta nuk duhet humbur kohë me këtë koalicion pa lidhje, por duhet bërë përpjekje për të ndryshuar këtë qeverisje. Kjo Qeveri asnjë problem të vetëm nuk e ka zgjidhur, prandaj koha është të ndryshohet diçka sa më parë. Nëse nuk ka gatishmëri për ndryshime dhe për punë efektive, atëherë më mirë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja", potencoi ai. Ndërsa, analisti Hidajet Ahmeti, për gazetën "Kosova Sot", thotë se pas presionit të madh ndërkombëtar ndaj tre krerëve të lidershipit të vendit gjasat janë se Kuvendi i Kosovës do ta kalojë Demarkacionin e kufirit të Malit të Zi sipas variantit të Murat Mehës. "Deri më tash tre krerët e institucioneve më të larta shtetërore u kanë hedhur pluhur syve opinionit vendorë, se me palën malazeze pushtetarët tanë e kanë një marrëveshje që, nëse ka gabime, të bëhen korrigjime", vlerësoi ai. "Nuk mund të ketë ndryshim të kufirit pasi tashmë Parlamenti i Malit të Zi e ka votuar miratimin e Demarkacionit me Kosovën për variantin sipas Komisionit të Murat Mehës. Andaj, pala e Malit të Zi nuk do të hedhë në Parlament marrëveshje tjetër, pos asaj që janë marrë vesh me Kosovën", u shpreh Ahmeti. Analisti Bislim Aliu, për " Kosova Sot ", tha se presim që në Kuvendin e Kosovës do të kalojë Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi sipas variantit të Murat Mehës, por tani këta pushtetarët po mundohen që t'u hedhin hi syve të opinionit dhe qytetarëve tanë. "Në anën tjetër po mundohen që të paraqiten si shpëtimtarë të Kosovës, se ata po e sjellin liberalizimin e vizave. Kjo klasë politike e inkriminuar që sa vjet e humbën liberalizimin e vizave duke i lënë qytetarët e saj në një status-quo", potencoi ai. Sipas Aliut, gjatë këtyre tre vjetëve u humb liberalizimi i vizave. 

(Kosova Sot)

 

18 orë e 41 minuta më parë
17/07/18