PDK-së i bien maskat, Jasharët nuk durojnë më! - Lajme - Kosova Sot
PDK-së i bien maskat, Jasharët nuk durojnë më!

PDK-së i bien maskat, Jasharët nuk durojnë më!

SHPËRDORIMI POLITIK DHE MATERIAL, NË EMËR TË FAMILJES LEGJENDARE

Zeqa: Të bëhet publike për opinionin e gjerë se ku ndodheshin "hieraerarkia" e lartë e UÇK-së në momentin e sulmit të forcave policore dhe ushtarake serbe mbi familjen Jashari! 

Në vazhdim të fërkimeve që po ndodhin në degën e PDK-së në Skenderaj, këto ditë kanë filluar të shkëmbejnë edhe akuza të ndryshme në mes të figurave qendrore të këtij subjekti politik dhe kryetarit të komunës. Gjatë ditës së martë, kryetari i tanishëm i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka hedhur akuza të rënda ndaj Sami Lushtakut, duke e akuzuar atë për keqpërdorime gjatë kohës sa ishte kryetar komune, por nuk ka lënë pa ia përmendur edhe kohën e luftës atij. Bekim Jashari ka thënë se në vitin 1998 Sami Lushtaku ia kishte lënë vetëm babën dhe axhën e tij, Adem dhe Hamëz Jashari. Ndërkaq që në lidhje me këto akuza ka reaguar Lushtaku dhe e ka quajtur të vogël Bekim Jasharin për të folur e vlerësuar një të kaluar për të cilën ai nuk ka informata të duhura. Tani me të drejtë në opinionin publik shtrohet pyetja se a do të zbardhet ndonjëherë e vërteta e plotë se si realisht u "tradhtua" Adem Jashari gjatë luftës dhe se si pikërisht ata që ikën gjatë luftës në Zvicër e në shtete të tjera u kthyen pas luftës për të marrë meritat e atyre që kishin sakrifikuar gjithçka, familjet dhe veten, për lirinë e qytetarëve dhe për shtetin e ardhshëm të Kosovës? Shtrohet pyetja se a ia kanë keqpërdorur emrin Adem Jasharit komandantët e UÇK-së, një pjesë të së cilëve ai as nuk ka dashur kurrë t'i takojë, duke përfshirë edhe vetë Hashim Thaçin, për të cilin është thënë hapur nga drejtues të luftës se ai vetëm thirret në lavdinë dhe kontributin e Jasharëve, por asnjëri nuk ka pasur raporte të afërta gjatë luftës me ta. Po ashtu, fillimi i këtyre përplasjeve, sipas analistëve politikë, lë të kuptohet se tani, 20 vjet pas përfundimit të luftës dhe shtetndërtimit në liri, ka filluar brenda PDK-së qërimi i hesapeve, që mund të shkojë deri në zbardhjen sekreteve më të thella të njëri-tjetrit.

"Bomba" e Selimit: Që prej 93-shit, Jashari nuk i takoi Thaçin me shokë 

Nuk mund të harrohet fakti që në një intervistë për "Kosova Sot" ish-komandanti i TMK-së, Sylejman Selimi, pati deklaruar se Adem Jashari kishte refuzuar të takonte Hashim Thaçin dhe të tjerë gjatë luftës. Këtë detaj Sylejman Selimi e ka apostrofuar në një intervistë në "Kosova Sot" në janar të vitit 2005, kur Sylejman Selimi-Sulltani kishte folur për shumë nga të pathënat e luftës. Ishte deklarata e tij asokohe që trazoi shumëkënd për raportet e Adem Jasharit me Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, kur në pyetjen se A e ka njohur Adem Jashari Hashim Thaçin, Selimi është përgjigjur:"Po, e ka njohur, deri në vitin 1993, por pas këtij viti ata më nuk kanë kontaktuar kurrë! Hashim Thaçi në vitin 1997 është futur në Kosovë një herë, por me Adem Jasharin nuk është takuar. Ai e di më mirë pse nuk është takuar me Adem Jasharin kurrë më prej vitit 1993. Shkuarja e Hashim Thaçit dhe disa shokëve të tij në Perëndim ka shkaktuar ftohje të raporteve në mes të Adem Jasharit dhe Hashim Thaçit e disa shokëve të tij. Pse këta të fundit nuk kanë mundur të qëndrojnë në Kosovë, kurse Ademi e Hamza, Sahit Jashari, Fadil Kodra po?! Deri në vitin 1998 shokët e Hashimit nuk janë kthyer në Kosovë, por as Hashimi jo, përveçse një herë në vitin 1997 apo ndoshta edhe herë të tjera është futur në Kosovë, por nuk ka kontaktuar me Adem Jasharin. As Jakup Nura, as Sami Lushtaku, as Hashim Thaçi... Pse nuk kanë qenë në gjendje këta që të takohen me Adem Jasharin?! Është mirë që t'i pyesni për këtë! Në qoftë se do Hashim Thaçi, unë mund ta sqaroj se pse nuk është takuar ai më me Adem Jasharin... Ai dhe Kadri Veseli e dinë shumë mirë pse nuk janë takuar më me Adem Jasharin", pati thënë Sylejman Selimi- Sulltani. Gazeta ka provuar të kontaktojë gjatë ditës së djeshme për të marrë edhe deklaratat e Bekim Jasharit, të Sami Lushtakut, Nuredin Lushtakut dhe të disa bashkëluftëtarëve të tjerë, si Haxhi Shala e Zafir Berisha, por nuk ka mundur të marrë asnjë reagim nga ana e tyre.

Jo të gjithë i mbështetën heronjtë

"Përçarjet dhe qërimi i hesapeve brenda PDK-së, për interesa personale, janë të interesit minor në krahasim me zbardhjen e së vërtetës së komandantëve të UÇK-së, e cila do të ndikojë në të ardhmen e ndritshme të shtetit të Kosovës nesër", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot" 

Analisti politik Florim Zeqa tha për "Kosova Sot" se për t'u zbardhur e gjithë e vërteta e rënies heroike e familjes Jashari fillimisht ata që janë ngritur në karrierën politike, duke u thirrur në emrin e Adem Jasharit dhe familjes së tij, e kanë për obligim të bëjnë publike mbledhjen, gjegjësisht datën dhe vendin në të cilin është zgjedhur Adem Jashari komandant i UÇK-së, si dhe të bëjnë publike emrat e pjesëmarrësve në atë takim!? Aspekti tjetër që duhet të bëhet publik për opinionin e gjerë, sipas analistit Zeqa, është fakti se ku ndodheshin "hierarkia" e lartë e UÇK-së në momentin e sulmit të forcave policore dhe ushtarake serbe mbi familjen Jashari!? "Eksponentët e caktuar politikë, para se t'i zbardhin sekretet njëri-tjetrit tani, pas 20 vjetësh, duhet dhënë përgjigje në dy pyetjet e mësipërme, nga të cilat përgjigje sot do të ndihej i qetë në qeverisjen komunale Bekim Jashari. Me përgjigjet në pyetjet e mësipërme do të zbardhet e vërteta e plotë se a u tradhtua Adem Jashari dhe nga kush, si dhe cilët ishin ata që ikën gjatë luftës në Shqipëri, Zvicër e në shtete të tjera, e që u kthyen pas luftës si "çlirimtarë", për të marrë meritat e atyre që kishin sakrifikuar gjithçka, familjet dhe veten për lirinë e qytetarëve dhe për shtetin e ardhshëm të Kosovës", tha analisti Florim Zeqa.

"Është një histori e lavdishme e UÇK -së, e cila kërkon sqarime, si në kontekstin e krijimit dhe të zhvillimit të saj, ashtu edhe të rolit që individët e pandërgjegjshëm tash e mbi dy decenie e shfrytëzojnë", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Edhe veprimtari tjetër i çështjes kombëtare, Muhamet Kelmendi, thotë se çështja e rënies së Adem dhe Hamëz Jasharit ka një emblemë të madhe kombëtare, por që ka pasur mjaft oponentë anash që e kanë luftuar atë dhe nuk e kanë mbështetur sa duhet. "Adem Jashari kishte vetëdije të plotë mbi gjendjen që e kishte dhe të ardhmen e vendit. Ai kishte kohë që ua kushte kthyer pushkën okupatorit dhe luftonte për çlirimin e vendit. Në këtë luftë kishte edhe individë që nuk ia donin të mirën vetë Adem Jasharit. Madje, edhe e akuzonin atë si person jo i disiplinuar dhe që vepron në kokë të vet. Po në këtë nuk hyn Sami Lushtaku. Ky ishte shok dhe mik i ngushtë i Fehmi Lladrovcit, që natyrisht kishin qëndrime të afërta me heroin kombëtar Adem Jashari. Natyrisht se lufta e UÇK-së është shumë heroike dhe mbi gjakun e mundin e saj kemi arritur atë që NATO-ja dhe SHBAja të veprojnë në unitet për lirinë e Kosovës. Po në këtë luftë ka individë që e kanë marrë namin dhe tash thirren në UÇK, ndonëse janë shkatërrimtarët e saj në luftë, si dhe zhdukësit e UÇK-së pas luftës", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". 

Partia e profiterëve të luftës

Hapja e këtyre temave duhet të zbardhë fund e krye të vërtetën e plotë për kontributin dhe prapaskenat e luftës për liri, sidomos ato që ndërlidhen me fatin e komandantin legjendar Adem Jashari, edhe sipas analistit Ali Hertica."Tani kanë filluar akuzat, për të cilat koha është dëshmitar dhe faktori njeri, i cili po hap tema të tilla, ku Bekim Jashari po del dhe ngreh zërin e kësaj familje, e cila ishe thuajse e manipuluar nga historiku i saj, nga tregtarë, patriotë të politikës së profiterëve. Koha është ajo që flet kur tani zërin e Jasharëve do ta thotë vetë familjari i saj për historikun dhe patriotizmin e çdo trimi të Prekazit gjatë luftës së vitit 1998", tha ai për "Kosova Sot". Sipas tij, në këtë debat një nxitje të madhe kanë edhe interesat politike."PDK-ja është parti e disa njerëzve që kanë keqpërdorur luftën dhe kanë manipuluar me publikun, duke u paraqitur e afërt me familjen Jashari. Është gjë e mirë që në fund kjo po bëhet publike. PDK-ja është parti e oligarkëve dhe përfituesve të pasluftës. Tani thuajse ka filluar ngritja e shigjetave kundërshtare, nga të cilat do të dalin shumë të vërteta që ende qytetarët nuk i kanë ditur për historikun e familjes Jashari", vijoi më tutje ai.

"E vërteta objektive është jashtë dhe pavarësisht neve mund të vonohet, por nuk mund të nëpërkëmbet nga njerëzit, të cilët tradhtuan idealet e tyre për interesa klanore, politike, klienteliste e karrieriste", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot" 

Ndërsa analisti politik Hidajet Ahmeti vlerëson se diskursi, i cili po zhvillohet kohët e fundit në mes ish-kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe kryetarit aktual të Skenderajt, Bekim Jashari, ka ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm për opinionin publik."Mendoj se shteti i Kosovës ka nevojë më shumë se kurrë që e vërteta objektive të shpërfaqet në shesh, e jo të lejohet që historia e re e Kosovës të ndikohet nga njerëzit e pushtetshëm të politikës, të cilët do ta pasurojnë historinë e re të Kosovës për të keq", potencoi Ahmeti për "Kosova Sot".

Spiunët e keqpërdorën emrin e Adem Jasharit

Me pasoja i sheh për PDK-në këto zhvillime të reja analisti Gani Qarri."Kur një pjesëtar i familjes së nderuar Jashari, si Bekimi, thotë se në vitin 1998 Sami Lushtaku ia kishte lënë vetëm babën dhe xhaxhain e tij, megjithëse këto akuza Lushtaku përpiqet t'i minimizojë, duke e quajtur të vogël Bekim Jasharin që të flasë për luftën, edhe nëse kryetari i Skenderajt foli në një moment nervozizmi dhe i nxitur nga pengesat që i shkaktojnë në mbarëvajtjen e punës një grup kuvendarësh komunalë, tek të cilët ka ndikim Sami Lushtaku, kjo flet se para opinionit vendor edhe dy dekada të plota pas përfundimit të atyre ngjarjeve ende fshihen të vërteta të tmerrshme, mbi tradhti të mëdha në kohë lufte, zbulimi pjesë-pjesë i së cilave duhet pritur momente nervozizmi të atyre që dinë shumëçka apo edhe gjithçka, por nuk folën kurrë për to", u shpreh ai."Ndaj mbetet fatkeqësi e pashpjegueshme për popullin e Kosovës fakti se edhe nëse ndonjëherë do të zbardhet skenari i plotë se si realisht u tradhtua Adem Jashari gjatë luftës dhe se si pikërisht ata që ikën gjatë asaj kohe në Zvicër, në Gjermani e në shtete të tjera evropiane u kthyen sërish pas luftës, për të marrë meritat e atyre që kishin sakrifikuar gjithçka, përfshirë edhe familjet dhe veten, për lirinë e qytetarëve dhe shtetin e ardhshëm të Kosovës, që e vërteta e hidhur mbi tradhtitë e mëdha mbahet kaq gjatë e fshehur, bëhet enigmë dhe dekompozohet në këtë mënyrë, duke u shpërfaqur vetëm pjesërisht dhe në episode me intervale disa-dekadëshe", shtoi Qarri për "Kosova Sot".

"Koha për luftë brenda PDK-së ka qenë qysh ditën kur ajo është formuar, meqë atë e kanë kapur ditën e parë marionetat komplotiste dhe pjesëtarë të krimit të organizuar", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot" 

Ndërsa veprimtari i LPK-së në Diasporë, Ibrahim Kelmendi, thotë se ai nuk i ka lexuar akuzat e Bekim Hamzë Jasharit ndaj Sami Lushtakut, prandaj edhe nuk e di përmbajtjen konkrete të tyre, por megjithatë thotë se ai personalisht nuk mendon se duhet ta ketë akuzuar për ikje në vitin 1998, kur Samiu është arratisur nga Kosova qysh në vitin 1993 dhe ka kërkuar azil në Gjermani. "Në mars 1998, pas Epopesë në Prekaz, Samiu është kthyer në Kosovë dhe gjatë gjithë luftës nuk ka ikur më nga Kosova. Ndërsa Samiu mund ta ketë menduar vitin 1993 nëse i ka thënë Bekimit se atëherë ka qenë fëmijë. Adem Jashari nuk është tradhtuar gjatë lufte! Rrethimi policor e ushtarak i Jasharëve në fillim të marsit 1998 ka qenë befasues dhe ka qenë e pamundur t'i shkojnë në ndihmë bashkëveprimtarët me ato kapacitete që kishin në atë gjendje. Vetëm ata që nuk kanë informim për rrethanat ose që duan të spekulojnë mund të thonë se Jasharët janë tradhtuar kur u rrethuan nga forca të shumta policore e ushtarake serbe. Përndryshe, do të duhej akuzuar të gjithë shqiptarët që nuk u kanë shkuar në ndihmë dhe jo vetëm bashkëveprimtarët e paktë që kishin Hamza e Adem Jashari", u shpreh ai."Nga emigracioni janë kthyer mijëra për të luftuar, disa janë këshilluar të rrinë në emigracion, për të mbledhur ndihma financiare dhe për të siguruar ndihma të tjera logjistike. Emrin Adem Jasharit ia kanë shpërdor, sidomos ata që e kanë sabotuar e spiunuar gjatë viteve 1991-1998", tha Ibrahim Kelmendi për "Kosova Sot".

E vërteta një ditë do të zbardhet

Analisti politik Reshat Badallaj thekson se hapja e këtyre debateve do të ketë pasoja serioze për PDK-në, si tërësi, si subjekt politik dhe të ardhmen në vijim."Tërmeti që po ndodh në zemër të Drenicës epiqendrën e ka në Prishtinë. I gjithë ky sherr bëhet për dy arsye; që familja heroike Jashari të mos zbulojë të gjitha të zezat e këtij grupi që ka bërë kërdi me vjedhje dhe me shumë marrëzi tjera dhe se është inati i krerëve të klanit famëkeq "Pronto" të injorojë këtë familje. Dhe jo rastësisht zbarkuan në Drenicë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, kinse për të pirë kafe", tha ai për "Kosova Sot"."Këtë ju garantoj se herët a vonë ka për t'u zbardhur e vërteta dhe turpi më i madh që ka ndodhur në historinë e njerëzimit. Ju nuk e dini se sa para, sa milionë marka, janë vjedhur gjatë kohës së luftës dhe këto para janë kërkuar në emër të familjes Jashari, e kjo familje as që dinte gjë për këtë punë. Kur luftonte familja e Adem Jasharit kundër ushtrisë dhe milicisë serbe, shumë patriotë të rrejshëm kanë fjetur nëpër vendet perëndimore, duke bërë kokrrën e sefasë, kanë shitur xhinse, si i themi ne farmerka, kanë qëndruar si rojtarë nëpër dyert e pubklubeve dhe kur bënë para nga djersa e popullit këta komandantë flinin nëpër hotelet më luksoze, si të "Rognerit2" dhe vizitonin pufet në Tiranë me para të popullit, ndërkaq familja e Adem Jasharit pa bukë e pa ujë dhe bënte gjumë malit, deri kur edhe humbi familjen për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës", tha Badallaj për "Kosova Sot". Këto përplasje në PDK analisti politik Faton Mehmeti i sheh si fillim i rrezikshëm i shpërbërjes."E vërteta vonon, por nuk harron. Samiu bashkë me grupin e tij nuk kanë qenë shokë besnikë të Ademit, e lanë në baltë dhe e tradhtuan. Bekim Jashari po ua heq maskat disave që kanë përfituar në emër të familjes Jashari, një e vërtetë e mbuluar deri tani. Kosova ka nevojë të çlirohet nga banditët që thirren në emër të luftës, e të cilët e kanë kapur shtetin për fyti. Bekim Jashari po del të jetë burrë i denjë i familjes Jashari, pasi e vërteta i mungon këtij populli më shumë se kurrë", theksoi Mehmeti për "Kosova Sot". Sipas tij, Sami Lushtakut po i bie maska dhe shumë shpejt do të dalin të vërteta të tjera në lidhje me Thaçin, të cilët me pafytyrësi përdorën si mjet familjen Jashari për të arritur në pushtet.

(Kosova Sot)

4 orë e 5 minuta më parë
18/07/18