Kadriaj: Qeveria i ka orët e numëruara

  • 11 February 2018 - 11:57
Kadriaj: Qeveria i ka orët e numëruara

"Me këtë mbyllje të perspektivës evropiane, Qeverinë e re të Kosovës do ta presin punë të mëdha, duke ngritur cilësinë në të gjitha sferat, duke përmirësuar imazhin e Kosovës dhe duke ngritur cilësinë e jetës së qytetarit, sepse nuk mjafton me deklarata boshe, por duhet të kemi një drejtësi dhe ekonomi të standardeve evropiane", tha Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot"

Analisti Mustafë Kadriaj tha për "Kosova Sot" se Kosova për këto dhjetë vjet ka pasur fare pak suksese, e kryesisht dështime. "Me të gjitha problemet, vitet e para të çlirimit dhe të pavarësisë ishin një sukses dhe u krijua bindja që Kosova vendosi gurthemelet e shtetit, por që nga ngërçi 2014, perspektiva e Republikës së Kosovës sikur mori tatëpjetën, pra që katër vjet Kosova po jep një shembull të keq politik dhe qeverisës, duke e dëmtuar perspektivën politike dhe ekonomike dhe duke e thelluar edhe më tutje varfërinë e qytetarit", është shprehur ai.

"Kjo sjellje e lidershipit kosovar të ngjallë dyshime se për kënd po punojnë me keqqeverisje dhe me afera të ndryshme, ndërsa me opozitarizëm ekstrem që për interesa klanore të tyre janë në gjendje të dhunojnë në çdo moment institucionet e Kosovës, duke dhënë një shembull jo të mirë para miqve ndërkombëtarë", vijoi më tej Kadriaj.

"Duke qenë dëshmitarë që alternativat e reja politike dhe ndarjet nga subjekte të mëdha nuk u treguan të suksesshme, mendoj që duhet një ngritje e vetëdijes qytetare, sepse kjo elitë e tanishme, përveç zhytjes në afera të ndryshme, mendoj që janë konsumuar edhe në kohë, kështu që duhet t'i hapet rrugë gjeneratës së re", thotë analisti Kadriaj. Sipas tij, viti 2018 do të jetë një vit i kthesës së madhe, pasi Bashkimi Evropian përmes kritereve të tyre i kanë dhënë sinjal të qartë qytetarëve të Kosovës që me këtë Qeveri dhe këtë kryeministër Kosova i ka dyert e mbyllura.

"Uroj që fillimi verës të zërë Kosovën me një Qeveri të re dhe më kredibile, në mënyrë që muajt e verës të jenë muaj të punës dhe progresit, e jo të përsëriten ngërçet e vitit 2014 dhe 2017", ka thënë ai.

(Kosova Sot)