Ministri i Arsimit dhe rektori i UP-së po përplasen fort për një udhëzim administrativ

  • 13 February 2018 - 16:09
Ministri i Arsimit dhe rektori i UP-së po përplasen fort për një udhëzim administrativ

Udhëzimi administrativ që synon rregullimin e parimeve dhe njohjeve të revistave ndërkombëtare me recension, i nënshkruar javë më parë nga ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, po del të jetë mollë sherri në mes të MASHT-it dhe Universitetit të Prishtinës. Dy zyrtarët e shtetit së fundmi nuk po mund të dakordohen në disa çështje të rëndësishme, duke përfshirë edhe këtë udhëzim.

Bytyqi kishte thënë se udhëzimi ka për qëllim ngritjen e cilësisë në arsimin e lartë, si dhe ndalimin e botimeve të doktoratave në revistat fiktive ndërkombëtare. Mirëpo, rektori i UP-së, Marjan Dema, përmes një konference për media ishte deklaruar se në UP nuk ka vend për dyshime të tilla.

Përmes një shkrimi të gjatë në rrjetin social Facebook ishte kundërpërgjigjur ministri që i cilësonte reagimet e rektorit kundrejt këtij udhëzimi, deklarata të një personi që ndihet i atakuar. Ky reagim, sipas ministrit, është joprofesional e madje edhe i pavërtetë. Bytyqi kishte shkruar se e sheh si dobësi sjelljen e rektorit, e duke folur për konferencën e Demës, ai thotë se ajo i ka lënë shije të hidhur.

Në këtë konferencë Dema kishte thënë se nuk është takuar asnjëherë me Bytyqin, e për këtë arsye kishte zgjedhur t’i përgjigjet publikisht ministrit për konstatimet e tij. Por, lajmi për takime u demantua menjëherë në media, kur u publikuan disa foto të disa takimeve që ata kishin pasur së bashku.

Rektori Marjan Dema nuk i ka komentuar deklaratat e ministrit, edhe pse ministri i kishte thënë publikisht se është ndier i atakuar dhe ka folur fjalë që nuk janë të vërteta.

Dema për Gazetën Express, duke folur për udhëzimin e ri administrativ ka thënë se UP është e gatshme që të mbështesë secilën iniciativë që bëhet në të mirë të saj.

“Për ne si menaxhment i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” preokupimi parësor është funksionimi i UP-së. Ne jemi çdo herë të gatshëm të mbështesim secilën iniciativë për të mirën e UP-së, i cili tani në të gjitha aspektet e funksionimit të tij është në gjendje më të mirë sesa ka qenë ndonjëherë pas luftës, me theks të veçantë në aspektin e cilësisë”, deklaroi ai.

I pyetur pse në vazhdimësi ka deklarata kundërthënëse në mes të këtyre dy institucioneve, që reflektojnë edhe moskoordinim mes tyre, ai ka pohuar se janë në bashkëpunim me të gjithë akterët e nevojshëm për funksionimin sa më të mirë të UP-së.

E sa u përket takimeve që kishte pasur së bashku me ministrin, rektori i UP-së, ka thënë se është takuar me të katër herë, në zyrat e MASHT-it, por asnjëherë nuk kanë folur për shqetësimet që ka ngritur ministri së fundmi.

“Ne jemi takuar me ministrin katër herë në zyrën e tij në MASHT dhe çdo herë është biseduar për çështje të veçanta, por asnjëherë lidhur me shqetësimet që ka ngritur ministri Bytyqi ditëve të fundit”, deklaroi ai.

Në rektorat shprehen të gatshëm të bashkëpunojnë, duke thënë se presionet e tilla po e pengojnë këtë institucion që të arrijë objektivat.

“Edhe një herë potencojmë që ne jemi çdo herë të gatshëm për bashkëpunim dhe jemi në rrugën e duhur për ngritjen tutje të UP-së në të gjitha aspektet e funksionimit të tij, edhe pse këto presione po na shkaktojnë vonesa në arritjen e objektivave të parapara”, deklaroi Dema.

E së fundmi, para rektoratit po protestohet me kërkesë të vetme, shkarkim e rektorit.

Mirëpo, Dema thotë se Demokracia Studentore nuk është as organizatë, si dhe ka numër shumë të vogël të studentëve.

“Demokracia Studentore nuk është organizatë studentore e regjistruar në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, si e tillë, madje dhe me një numër të vogël studentësh, ajo as nuk mund të prezantojë denjësisht kërkesat e studentëve të UP-së, duke pasur po ashtu parasysh që pretendimet e tyre janë plotësisht të pabazuara”, deklaroi ai.

Asnjë kërkesë për takim thonë nga rektorati se nuk kanë pasur nga kjo organizatë, edhe pse bëjnë të ditur se i kanë ftuar, por këtë takim ata e kanë refuzuar.

E si duket, “sulmi” përmes Facebook-ut është përgjigja e vetme që kanë nga MASHT-i për këtë çështje.

Në Ministrinë e Arsimit nuk kanë dashur të komentojnë për udhëzimin e ri administrativ, as për përkeqësimin e punëve në mes të këtyre institucioneve, temën e bisedimeve nga takimet, e për protestat për shkarkim.

Në anën tjetër, Rron Gjinovci nga organizata ORCA ka thënë për Gazetën Express se moskordinimi mes dy institucioneve ka ardhur pasi që rektori ka thënë disa të pavërteta sa i përket takimeve.

“Kjo situatë ka ardhur për shkak se rektori i UP-së ka thënë gjëra të pavërteta sa i përket takimeve. Po ashtu për shkak se rektori është i fokusuar kryesisht në recitim vjershash kur flet për universitetin në publik. Ai nuk është konkret dhe jo shumë i informuar për punën e prorektorëve të tij”, thotë ai.

Gjinovci deklaron se vetë reagimi i rektorit vjen pasi që ai ka dy punime të publikuara në revista të dyshimta.

“Rektori Dema i ka dy punime në revista të dyshimta dhe është nga radhët e profesorëve që nuk e justifikojnë titullin sipas rregullativës aktuale. Komentet e tij për udhëzimin administrativ i konsideroj skandaloze sepse ai e kritikon udhëzimin për cilësi të dobët duke kontestuar platformat që mban udhëzimi, ndërkohë që rekomandimi UP-së i ka po këto 5 platforma të udhëzimit që po e kritikojnë, plus 29 të tjera përfshirë edhe Google Scholar. Rekomandimi i UP-së si dhe draft rregullorja që kam parë unë janë qesharake”, pohon ai.

Fajtori kryesor për përkeqësim të marrëdhënieve me MASHT-in sipas Gjinovcit është vetë rektori.

“Rektori Dema vazhdimisht ka bërë gabime dhe ka përkeqësuar marrëdhëniet me MAShT pa pasur nevojë. Siç duket kohëve të fundit ai ka vendosur të rreshtohet me grupe të interesit që nuk janë në favor të cilësisë dhe për këtë ai do të bartë përgjegjësi”, deklaron ai.

Ndërsa, duke folur për avancimet akademike brenda UP-së, Gjinovci thotë se ato janë shumë kritike dhe reagimi i fundit i rektorit është i dyshimtë.

Kujtojmë se rektori i UP-së që nga fillimi i mandatit është akuzuar se ka të publikuara punime në revista të dyshimta, njëri nga ta i publikuar në një revistë indiane.

 Në këtë mënyrë është vë në pikëpyetje edhe avancimi i tij, duke pasur parasysh edhe numrin e pamjaftueshëm të punimeve në tërësi.

Sa i përket avancimit të tij në vitin 2012, ai kishte publikuar vetëm katër punime, nga pesë të kërkuara me Rregulloren e Universitetit të Prishtinës.

(Kosova Sot)