Kryeministri i Malit të Zi , nesër viziton Prishtinën

  • 13 February 2018 - 23:24
Kryeministri i Malit të Zi , nesër viziton Prishtinën

Çfarë do të ndodhë më 14 shkurt në Kosovë?

Një vizitë në Kosovë e kryeministrit të Malit të Zi do të jetë ngjarja kryesore e ditës, të mërkurën.

Dushko Markoviq do të mbërrijë pasdite në Kosovë, teksa vendi ende nuk po arrin ta zgjidhë çështjen – tashmë të brendshme – të Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi.

Shefin e ekzekutivit malazias do ta presë në Aeroportin e Prishtinës, në orën 16, zëvendëskryeministri i vendit, Fatmir Limaj, ambasadori i Malit të Zi në Kosovë, Ferhat Dinosha, dhe ambasadori i Kosovës në Malin e Zi, Skënder Durmishi.

Ndërkaq, Markoviqit do t’i bëhet pritje me nderime shtetërore në Prishtinë, rreth orës 16:30, nga kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj.

Më pas, Markoviq e Haradinaj do të zhvillojnë një takim, në zyrën e shefit të ekzekutivit kosovar, para se të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, rreth orës 17:45.

Në mëngjes, në orën 9, në Prishtinë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, do të presë në takim dekanët e Fakulteteve Juridike të universiteteve publike. Pas takimit, do të ketë konferencë për medie.

Një orë më vonë, Komisioni parlamentar për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale do të mbajë mbledhje. Në rend dite është shqyrtimi në parim i Projektligjit për gjak dhe përbërës të gjakut.

Në të njëjtën kohë, mbledhje do të mbajë edhe Komisioni për Integrim Evropian. Pritet të shqyrtohet ndryshim-plotësimi i Ligjit për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Gjithashtu, në orën 10, Agjencia për Menaxhim të Emergjencave e Ministrisë së Punëve të Brendshme, në bashkëpunim me Ambasadën Amerikane, Gardën e Ajovas, Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e institucione të tjera vazhdon organizimin e Ushtrimit në Tavolinë “Reagimi i Përbashkët 2018”, i cili ka për qëllim ta testojë gatishmërinë e institucioneve vendore për planifikim dhe vendimmarrje për reagim dhe koordinim gjatë incidenteve të karakterit kombëtar.

Gjysmë ore më vonë, Instituti GAP do të mbajë konferencë për medie, ku do të prezantojë “Premtimet e kryetarëve të komunave të Kosovës në zgjedhjet e fundit lokale”

Në orën 11, me rastin e 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, si dhe 18-vjetorit të themelimit të Administratës Tatimore të Kosovës, drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, do të mbajë konferencë për media, në të cilën do të prezantohen të arriturat dhe zhvillimit për gjatë kësaj periudhe.

Një orë më pas, në Kuvendin e Kosovës do të mbajë mbledhje Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal. Para komisionit do të raportojë ministri i Zhvillimit Rajonal, Rasim Demiri, lidhur me prioritetet e ministrisë.

Në orën 13, do të mblidhet Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticion. Do të raportojë ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica.

Në të njëjtën kohë, ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, do të vizitojë Komunën e Ferizajt, ku do të pritet nga kryetari Agim Aliu. Ata do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi. Nga ora 13:40 do të ketë konferencë për medie.

Në orën 16, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do të presë në takim Chris Danielson, drejtor i përgjithshëm për zgjerim, dhe Thomas Mayr Harting, drejtor i përgjithshëm i shërbimit evropian për veprim të jashtëm.

Në të njëjtën kohë, ministri i Financave, Bedri Hamza, do të presë në takim zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang.

(Kosova Sot)