Fodullët e pushtetit u fryhen me pasaporta SHQIPTARE QYTETARËVE TË IZOLUAR

  • 14 February 2018 - 07:52
Fodullët e pushtetit u fryhen me pasaporta SHQIPTARE QYTETARËVE TË IZOLUAR

VETËM POLITIKANËT NË KOSOVË DALIN NGA IZOLIMI

Zyrtarët e Shqipërisë t'i japin fund këtij abuzim

"Pasaporta shqiptare për politikanët e Kosovës është pjesë e pazareve politike, e joshjeve dhe bashkëpunimit në afera, nuk është rezultat i një kriteri të shkruar ose kriteri moral të pashkruar. Në këtë rast mesazhi është i qartë: U thuhet qytetarëve të Kosovës se ata janë me të drejta të kufizuara, ndërsa vetë shfaqen si njerëz të plotfuqishëm", tha analisti Enver Bytyqi për gazetën "Kosova Sot"

P ajisja e politikanëve kosovarë me pasaportën e Shqipërisë është mesazhi më i keq që ata po ua japin qytetarëve të vendit. Veprimet e tyre egoiste tregojnë se këta pushtetarë nuk mërziten fare përse qytetarët tanë kanë mbetur të izoluar. Analisti Enver Bytyqi për gazetën"Kosova Sot" thotë se shumë politikanë dhe personalitete të tjera të kulturës, medias, sportit, artit, muzikës në Kosovë janë pajisur vitet e fundit me pasaporta dhe trendi i tillë ka filluar pas liberalizimit të vizave, në fund të vitit 2010, kur qytetarët e Shqipërisë nisën lëvizjen e lirë në Evropë. "Pa asnjë kusht, pa më të voglin hezitim, madje brenda natës, bëhen shtetas të Shqipërisë ministra e kryeministra, deputetë dhe ambasadorë të Kosovës, thjesht vetëm që ata të kenë dy mundësi për të lëvizur pa viza e lirshëm në vendet evropiane. Kjo është përgjegjësi morale e atyre që marrin pasaportën shqiptare, por dhe përgjegjësi morale e politike e presidentëve shqiptarë, të cilët lëshojnë dorën në firmat e tyre pa asnjë lloj kriteri. Ky akt më duket i shëmtuar, sepse vendos me vullnetin e dy palëve të politikës një diferencë diskriminuese për qytetarët e Kosovës. Kemi të bëjmë gjithashtu me shfrytëzim të privilegjeve që të jep pushteti, shkurt me shpërdorimin e detyrës funksionale, me të cilën secili pushtetar obligohet t'u shërbejë qytetarëve dhe jo klanorëve", potencoi ai. 

Mashtrimi me integrimin

"Këta e shfrytëzojnë 'kontributin' në luftë, për të sunduar dhe jo për të shërbyer në paqe. Dhe sundimi i tyre është dy llojesh: Me forcën e pushtetit dhe me forcën e parasë, pra të pasurisë së vënë me dhunë grabitëse, korrupsion dhe krim. Fatkeqësisht në Kosovë një pjesë e atyre që drejtojnë shtetin i përkasin kësaj kategorie. Kjo e ka dëmtuar Kosovën më shumë se gjithçka tjetër", tha Enver Bytyçi për "Kosova Sot"

Sipas analistit Bytyqi, kjo ndodh sepse klasa politike shqiptare në Shqipëri e në Kosovë është e kapur."Pasaporta shqiptare për politikanët e Kosovës është pjesë e pazareve politike, e joshjeve dhe bashkëpunimit në afera, nuk është rezultat i një kriteri të shkruar ose kriteri moral të pashkruar. Në këtë rast mesazhi është i qartë: U thuhet qytetarëve të Kosovës se ata janë me të drejta të kufizuara, ndërsa vetë shfaqen si njerëz të plotfuqishëm. Ka mundësi që këta politikanë me dy shtetësi shqiptare t'u shesin mend bashkatdhetarëve me shtetësinë e firmosur nga presidenti i Shqipërisë", theksoi më tutje ai."Klasa politike e Kosovës si dhe këta në Shqipëri që i ndihmojnë asaj të diferencohet prej qytetarëve të thjeshtë në vend të përfitojnë shtetësinë e Shqipërisë, do të duhej të merreshin me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve kosovarë. Puna e parë e tyre duhej të ishte integrimi euroatlantik. Por këta ndërsa flasin për të tilla integrime, kanë ndërtuar një model shteti tipikisht lindor, një shtet autoritar, ku ata që qeverisin ndihen si padronët mesjetarë të qytetarëve dhe të vendit. Ndërsa premtojnë integrimet euroatlantike fusin pyka për të përfituar politikisht në realizimin e kushteve integruese. Ndërsa bërtasin, madje sa më shumë bërtasin për vlerat euroatlantike, aq më shumë zhyten në korrupsion e hajni! Këto janë arsyet pse Kosova mbetet e paintegruar", shpjegoi Bytyqi."Ta provojnë presidenti, kryeministri, Parlamenti e të bëjnë shtet të së drejtës, të ndërtojnë ligje moderne, t'i zbatojnë ato me rigorozitet, të respektojnë ndarjen e pushteteve e të mos ndërhyjnë në gjyqësor, në qarqet akademike e në universitet, në akademi e në sektorë të tjerë të pavarur nga ekzekutivi dhe do të shihni se askush në Evropë nuk do të guxojë të ndalojë as njohjen e as integrimin euroatlantik të Kosovës. Por kur korrupsioni dhe lidhjet me krimin e organizuar krijohen në modelin e politikës së Tiranës, atëherë mbetet vetëm pasaporta e Shqipërisë që t'ua zgjidhë hallin e lëvizjes së lirë. Pasaporta shqiptare për politikanët e Prishtinës shoqërohet me kushtin e bashkëpunimit në krim dhe korrupsion", ka thënë ai. Sipas Bytyçit, Kosova është e izoluar jo për fajin e Brukselit, sado dashakëqij që ndodhen në Evropë, por për fajin e këtyre politikanëve që bëjnë politikë me jetën dhe mirëqenien e qytetarëve të këtij vendi.

Abuzimi i skajshëm

Analisti Skënder Mulliqi tha për "Kosova Sot" se shumë zyrtarë të shtetit janë pajisur me pasaporta të Shqipërisë, i kanë pajisur edhe familjet e tyre, e në anën tjetër kemi shumicën e popullatës e cila nuk i ka këto privilegje, të cilët po presin me radhë para ambasadave për të marrë eventualisht vizë për ndonjë shtet perëndimor."Ata që janë instaluar në pushtet i kanë siguruar të gjitha benefitet për fëmijët e tyre në kurriz të shumicës dhe këtë gjë po e bëjnë pa fije turpi. Po i shkollojnë fëmijët e tyre në universitet më prestigjioze të botës. Pakkush, duke filluar nga nivelet lokale deri të niveli qendror, është duke menduar për shtetndërtim dhe mirëqenie të përgjithshme. Skamja dhe mjerimi social po trokasin me të madhe sot në dyert e shumicës", potencoi ai.

"Kjo qeverisje dhe të gjitha të kaluarat janë dhënë vetëm pas qëllimeve materiale, janë orientuar vetëm pas konsolidimit të ekonomisë private e kështu me radhë", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot"

Ndërsa, Arsim Haziri, analist, thotë për "Kosova Sot" se kjo klasë politikanësh është e pandërgjegjshme dhe jo në interes të politikave nacionale, në mënyrën siç operon haptazi dëshmon se nuk është për zgjidhjen e problemeve me të cilat Kosova po merret tash e sa vjet."Kësaj kur i shtohet edhe marrja e pasaportave të Shqipërisë nga ana e zyrtarëve qeveritarë, vulos përfundimisht se problemet sociale nuk janë shqetësime politike. Gjitha argumentet janë valide se kjo qeverisje nuk u shërben interesit dhe e zgjidhjeve të problemeve socioekonomike", theksoi Haziri.

Kosova mbeti e izoluar

Eksperti i fushës së drejtësisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Blerim Burjani, tha për "Kosova Sot" se pushtetarët kanë pasaporta të ndryshme dhe viza, kurse qytetarët mbeten edhe për një kohë të pacaktuar të izoluar, pa mundësi të daljes nga shtetit pa viza dhe kjo totalisht është e papranueshme për shkak të nevojave të përditshme që kanë qytetarët e Kosovës."Një pjesë e njerëzve, të cilët janë deputetë apo ministra, kanë biznese private të shumta andaj pasaporta e Shqipërisë u shërben për qëllime të shumta", ka shtuar Burjani.

"Krimi dhe korrupsioni e kanë kapur shtetin e Kosovës, të cilin e kanë shndërruar në një vend të pasigurt dhe pa perspektivë. Qytetari duhet të mësojë nga këto veprime të udhëheqësve të tyre politikë, të jetë aktiv, këmbëngulës dhe të kërkojë llogari nga udhëheqja e shtetit të Kosovës", tha Ymret Reshiti për "Kosova Sot"

Ndërsa, Ymret Reshiti, analist, tha për "Kosova Sot" se vrapi i politikanëve tanë kosovarë drejt pajisjes me pasaporta të Shqipërisë është një mesazh i keq për faktorin ndërkombëtar dhe për vetë qytetarët e Kosovës."Në rend të parë është ofendim për shtetin e Kosovës, ngase dokumenti i saj kryesor i identitetit të shtetit, siç është pasaporta, zhvleftësohet dhe nënçmohet nga vetë drejtuesit e shtetit të Kosovës. E dyta, demotivon qytetarët e Kosovës për t'u pajisur me pasaporta të shtetit të tyre dhe krijon mosbesim në ndaj vetë "ekzistencës" së shtetit të Kosovës si realitet politik, për të cilin u viktimizuan", theksoi ai."Kosova ka mbetur vend i izoluar jo pse pasaporta e saj është me pak "vlerë", por pikërisht nga faji dhe mospuna e udhëheqësve të saj, ku fatkeqësisht qytetarët e Kosovës vuajnë izolimin e pamerituar nga bota, ndërsa udhëheqësit tanë politikë, pa fije turpi dhe pa përgjegjësi politike, pajisen me pasaporta të shtetit fqinj, Shqipërisë, vetëm për kënaqësitë e tyre", potencoi Reshiti.

Ndërsa analisti Ridvan Emini për "Kosova Sot" tha se marrja e pasaportave të Shtetit shqiptar nga ana e politikanëve të Kosovës në rend të parë tregon egon e tyre të paskrupullt. "Cinizmi i të gjithë atyre politikanëve që morën deri më tani pasaportën shqiptare, pa dallim partie, tregon vetëm mospërfilljen e votuesve të tyre dhe qytetarëve të Kosovës në përgjithësi",u shpreh ai. Sipas Eminit, kjo vetëm tregon nivelin e ulët që kanë politikanët tanë në raport me qytetarët e vendit.

(Kosova Sot)