Paralajmërohen arrestimet, Prokurori i Speciales largohet

  • 16 February 2018 - 07:45
Paralajmërohen arrestimet, Prokurori i Speciales largohet

Zeqa: Me këtë përbërje të gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe me këtë klasë politike të tejinkriminuar, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, nuk ka shanse për luftim të krimit të organizuar "

Deklarata domethënëse e diplomatit gjerman Sigmar Gabriel tregon qartë se pa sundimin e ligjit dhe pa pastrimin e gjyqësisë, të drejtësisë nga dora e mafisë politike, nga parasistemet politike, nga mafia e oligarkë, nuk do të ketë kurrë integrime evropiane të Kosovës", tha Naim Miftari për "Kosova Sot

Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, dy diplomatët e Bashkimit Evropian, Gabriel dhe Danielsson, i kanë dhënë mesazhe shumë të fuqishme lidershipit të Kosovës sa i përket forcimit të sundimit të ligjit, si kushti i fundit dhe ndër më kryesorët për perspektiven evropiane të Kosovës. Kryediplomati gjerman Sigmar Gabriel, nënvizoi qartazi problemet me sundimin e ligjit në Kosovë, zbatimin e reformave dhe sigurimin e gjyqësorit të pavarur, si ndër me të rëndësishmet në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane. Po ashtu, Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata për Zgjerim i Komisionit Evropian, Christian Danielsson vuri theksin tek kushti i sundimit të ligjit, kusht ky edhe për liberalizimin e vizave. Të dyja këto mesazhe, sipas analistëve na bëjnë të kuptojmë se me këtë përbërje të gjyqësorit dhe prokurorisë si dhe me këtë klasë politike në pushtet, si në pozite ashtu edhe në opozitë, të cilët të gjithë së bashku janë në duart e nëntokës kriminale dhe mafio-oligarkëve të tejinkriminuar, nuk ka shanse për reforma të mirëfillta në drejtësi, e as luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, pra nuk ka drejtësi të mirëfilltë ligjore. E vetmja shpresë në këtë aspekt ka mbetur fillimi i punës nga Gjykata Speciale, edhe pse kjo Gjykate do të merret vetëm me krimet brenda një periudhe të shkurtër kohore. Sidoqoftë, fillimi i shpalljes së aktakuzave të para dhe arrestimeve të disa figurave më ndikim në drejtësi, pas festës së 10- vjetorit të Pavarësisë, pritet si një lëvizje drejt kapjes së shtetit, pasi edhe vetë kryediplomati gjerman, Sigmar Gabriel e theksoi gjate vizitës së tij se"Kosova duhet të jetë e përgatitur për çështje jo të këndshme, që do ta presin gjatë këtij viti". Ndërkohë, sipas analistëve, krimet e 19 vjetëve të pasluftës dhe të 10 vjetëve të paspavarësisë, nga pushtetarët e fuqishëm dhe mafio-oligarkët e nëntokës kriminale, ku bëhet fjalë për qindra- miliona euro përmes monopoleve, MVNO-s "Z-Mobile", e shumë krimeve të tjera ekonomike dhe politike, nuk ka shans që të trajtohen nga kjo strukturë e prokurorisë dhe gjyqësorit , pasi që janë pikërisht nëntoka kriminale dhe mafio-oligarkët e klanit "Pronto", "Coca Cola Zero" dhe të tjerëve që "mbajnë në grusht" tërë sistemin e drejtësisë. Sipas analistëve, me këtë strukturë të tanishme të përbërjes së institucioneve të sundimit të ligjit, Kosova e ka humbur krejtësisht shansin për një shtet të së drejtës. Gazetari edhe përkundër pyetjeve dërguar Blerim Devollit, nuk ka marrë përgjigje

Pa sundim ligji, nuk ka BE

Analisti politik Florim Zeqa ka pohuar se pa reformim të thellë të sistemit, as që mund të pritet sundim i ligjit në vendin tonë. "Me këtë përbërje të gjyqësorit dhe prokurorisë, si dhe me këtë klasë politike të tejinkriminuar, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, përveçse nuk ka shanse për reforma të mirëfillta në drejtësi dhe luftim të krimit të organizuar dhe korrupsionit, nuk ka shanse as për liberalizim të vizave. Bazuar në deklaratat e kryediplomati gjerman Sigmar Gabriel, i cili gjatë vizitës së tij në Prishtinë theksoi se 'Kosova duhet të jetë e përgatitur për çështje jo të këndshme, që do ta presin gjatë këtij viti', atëherë pritjet janë që pas 17 shkurtit 2018 të ndodhin arrestimet e para nga Gjykata Speciale", u shpreh ai. "Për shkakun se Gjykata Speciale do të merret vetëm me krimet brenda një periudhe të shkurtër kohore, për kosovarët ka pak shpresa për lirimin e shpejtë nga uzurpatorët e shtetit", vijoi më tej Zeqa për "Kosova Sot". 

Pa VETTING nuk ka shtet ligjor

Edhe njohësi tjetër i së drejtës, ish- kreu i AKKsë, Hasan Preteni tha për "Kosova Sot" se mesazhet e tillë ndërkombëtare në fokus të reformimit të drejtësisë po vijnë vazhdimisht, por ato nuk po përfillen, prandaj Kosova vazhdon të jetë kështu, vend i izoluar. "Ka ngecje në të gjitha proceset, kjo është evidente, ka ngecje, sepse i kanë vendosur interesat privatepersonale para atyre publike. Në vazhdimësi kemi konkluduar se nuk ka sundim të ligjit", u shpreh ai, duke përmendur rastin e hetimeve në AKI. "Unë e kam një dilemë, nëse me të vërtetë ka shkelje ligji në këtë institucion apo prokuroria ka hapur raste për arsyet e tyre personale apo të ndonjë grupi joformal", tha Preteni për "Kosova Sot". Ndërsa, Prof. i së drejtës Muhamet Kelmendi thotë se pasi BE-ja ka paraqitur kushtet për t'u plotësuar në mënyrë që Kosovës t'i hapet perspektiva e integrimit, nga 95 kushtet del se shumë janë plotësuar, por kanë mbetur ato më seriozet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. "Ka mbetur lufta kundër krimit dhe korrupsionit, e cila nuk është kryer dhe është larg realizimit të shtetit të së drejtës... E tërë kjo lidhet me mafiozët ekonomikë-kriminalë. Veprimet e tilla luftohen vetëm me spastrim të thellë dhe të gjithanshëm. Mirëpo, pa një VETTING nuk do të kemi shtet ligjor", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot".

Amerikanit Schwendiman i mbaron mandati

Derisa opinioni kosovar po pret ngritjen e aktakuzave të para dhe arrestimet, Prokurori i Specializuar, David Schwendiman, tani po pritet të largohet nga pozita e tij si Kryeprokuror i Tribunalit Special. Schwendiman do të largohet nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 31 mars 2018. Ai dha një deklaratë, duke cekur arsyet për largimin e tij nga Haga në prill, largimi i cili vjen për shkak të skadimit të emërimit të tij për afatin e caktuar për tre vjet si një Oficer i Lartë për Shërbim të Jashtëm në Departamentin Amerikan të Shtetit. "Kjo duhet të ndodhë, sepse administrata amerikane nuk mund të bëjë përjashtim për statusin tim si pensionist i rimarrë në shërbim, diçka që ligji nuk më lejon të ndryshoj, pavarësisht nga sa shumë mund të dëshiroj të qëndroj", tha Schwendiman në deklaratën e tij. Në këtë deklaratë, z. Schwendiman e bëri të qartë që nuk po jep dorëheqje as nuk po shkarkohet dhe që largimi i tij i shpejtë nuk paraqet një ndryshim në politika ose zotim ndaj punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar nga ana e SHBA-së ose nga ana e Bashkimit Evropian, ose nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi. "Përkundrazi, shpejtësia me të cilën Bashkimi Evropian ka reaguar për ta filluar kërkimin për Prokurorin e Specializuar të ritregojë fuqinë e përkrahjes së tij - po ashtu si përgjigjja e gjithanshme vetëm disa javë më parë ndaj përpjekjes për ta shfuqizuar ligjin, i cili kishte krijuar Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, tregoi vendosmërinë ndërkombëtare dhe mbështetjen për ne," tha ai. Schwendiman shpjegoi që "barra më e rëndë në ndonjë zyrë prokurori mbartet nga personeli në zyrë dhe jo nga përgjegjësi që e drejton" dhe shtoi që kjo nuk do të ndryshohet në Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Z. Schwendiman gjithashtu pati një mesazh shumë të qartë në lidhje me hetimet të cilat ai kryeson. "Asnjëri nga ata përgjegjës për krimet e përfshira në mandatin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe të Dhomave të Specializuara nuk duhet të mendojë për asnjë moment që largimi im ka të bëjë fare me një mungesë zotimi ndaj hetimeve. Një parim kryesor i punës sonë gjithmonë ka qenë përgjegjësia individuale - duke mbajtur njerëz përgjegjës për veprat e veta, për çka kanë bërë si individë - puna jonë asnjëherë nuk ka qenë për ndryshimin e historisë ose për të veçuar grupe të caktuara për dënim. As kjo nuk do të ndryshohet kur një Prokuror i Specializuar i ri do të marrë përsipër detyrën", tha ai.

KAPITI: BESIMI KTHEHET TE DREJTËSIA VETËM PO U ANGAZHUA SERIOZISHT SHBA-JA, ASHTU SI NË SHQIPËRI

Sipas analistit Skënder Kapiti, reformë në drejtësi as që mund të mendohet pa zbatimin e një model VETTING-u që po e aplikon Shqipëria. "Në Kosovë, sot me rastin e dhjetëvjetorit të Pavarësisë nuk ka entuziazëm, dhe kjo mungesë entuziazmi dhe kjo venitje e kësaj feste kombëtare vjen si rezultat i gjendjes së rëndë të sistemit të drejtësisë, të kriminalizimit dhe të tradhtisë që u ka bërë shqiptarëve kjo klasa politike aktuale në Kosovë", theksoi ai. "Nuk besohet shumë te Gjykata Speciale, por besimi kthehet te drejtësia vetëm po u angazhua seriozisht SHBA-ja ashtu si në Shqipëri, ku tashmë ka filluar funksionimi i VETTING-ut", tha Kapiti për "Kosova Sot". "Shqiptarët në Kosovë nuk mund të integrohen në BE pa ndihmën e SHBA-së, ashtu sikurse SHBA-ja po ndihmon Shqipërinë në ndërtimin e shtetit ligjor me anë të VETTING-ut, të kësaj Reforme në Drejtësi, të cilën e bën po SHBA-ja kundër vullnetit të politikës dhe të sistemit të drejtësisë në Shqipëri", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot"

MIFTARI: AFERAT "Z-MOBILE", "PRONTO", "COCA COLA ZERO"...E QINDRA- MIJËRA AFERA TË TJERA TREGOJNË SE SA JEMI NE LARG TË QENIT SHTET LIGJOR

Njohësi i sundimit të ligjit, Naim Miftari thotë se gjithnjë ka qenë e qartë që Demarkacioni nuk është kushti kryesor për integrimin evropian, porse ai më shumë është kusht për stabilizimin e çështjes kufitare të një anëtarit të NATO-s. "Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi Evropiane, Christian Danielsson vuri në dukje se sundimi i ligjit është kusht edhe i liberalizimit", theksoi ai. "Këto ditë derisa po festojmë 10-vjetorin e Pavarësisë, vetëm mund t'i përmendim dështimet dhe aferat korruptive të shtetit, sidomos dështimet e sundimit të ligji, si aferat Magjistralja, "Trepça", KEK,PTK, "ZMobil", "Pronto", "Coca Cola Zero"...e qindra- mijëra afera të tjera, po ashtu me gati gjysmë milioni raste gjyqësore të papërfunduara, ku dosjet flenë nëpër arkivat e pluhurosura të institucioneve përkatëse, dhe tregon se sa jemi ne larg të qenit SHTET LIGJOR", potencoi Miftari për "Kosova Sot".