Kurti thotë që Serbia po synon të fitojë territore në Kosovë

  • 19 February 2018 - 17:46
Kurti thotë që Serbia po synon të fitojë territore në Kosovë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një intervistë për median serbe “Danas”, ka thënë se Serbia vazhdimisht është duke kërkuar që të fitojë territore nëpërmjet popullatës serbe kudo që kjo të jetë e mundur.

Ai ka shtuar se shqiptarët po luftojnë për sovranitet të plotë të Kosovës, e jo që atë sovranitet ta ndajnë me Serbinë.

“Negociatat në Bruksel janë asimetrike. Serbia nuk e ka njohur Kosovën, Bashkimi Evropian (BE) i cili po ndërmjetëson ka mision me kompetenca ekzekutive në Kosovë, këto negociata po bëhen vetëm për çështjet e brendshme të Kosovës. Në këto negociata të padrejta Serbia së pari e nxori decentralizimin etnik në Kosovë, ku u krijuan komunat me shumicë serbe, kurse më vonë bashkësinë e komunave serbe si nivel i tretë i pushtetit në Kosovë. “Bashkësia e Komunave Serbe” do të ishte një lloj republike serbe në Kosovë, mirëpo doli që në 23 nene e shkel Kushtetutën e Kosovës. Meqenëse ky projekt është në fakt i vdekur, Serbia tani thotë se duhet të fitojë diçka nga këto negociata. Kjo e dëshmon qëllimin e vërtetë të politikës së Serbisë, të fitojë territore nëpërmjet popullatës serbe kudo që kjo është e mundur. Republika jonë nuk është për tregti. Ne luftojmë për sovranitetin e plotë të Kosovës e jo që atë sovranitet ta ndajmë me Serbinë”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot)