Kapiti: SHBA-në duhet falënderuar

  • 19 February 2018 - 21:12
Kapiti: SHBA-në duhet falënderuar

 Sipas analistit Skënder Kapiti, degradimi i sistemit politikojuridik, si në Shqipëri dhe në Kosovë, është shembulli më i keq dhe i paparë për botën demokratike, prandaj pa drejtimin e miratimin e një Ligji VETTING-u të iniciuar nga SHBA-ja nuk ka ndërtim të shtetit ligjor në Kosovë dhe as dekriminalizim të politikës së inkriminuar kosovare."Duhet patjetër shembulli në Shqipëri edhe në Kosovë, ku Ambasada amerikane ishte promotori i miratimit të ligjit për dekriminalizimin e politikës shqiptare, si dhe për miratimin e VETTING-ut, ngritjen e strukturave të tij, dëbimin fillimisht nga detyra të ish- kryeprokurorit Adriatik Llalla, i mbushur plot me rekorde krimi e korrupsioni. Pavarësisht kësaj, SHBA-në duhet falënderuar edhe për më tej, për faktin se ajo ndërmori edhe hapin tjetër të madh, atë të ndalimit të hyrjes së ish-kryeprokurorit Llalla dhe të familjes se tij në SHBA, pas informacioneve se ai është përfshirë në afera të rënda korrupsioni. Kjo nuk do të ndalet me kaq, pasi pritet publikim i listimit zinxhir i listës së të kriminalizuarve dhe të të korruptuarve të tjerë, të atyre që quhen "peshq të mëdhenj" të krimit dhe të korrupsionit, të cilëve do t'u ndalohet hyrja në SHBA", është shprehur Kapiti për "Kosova Sot". "Edhe Kosovën ashtu si Shqipërinë e sundon mafio-oligarkia juridiko-politike e kriminalizuar, si një korporatokraci e tillë që ka kapur tërë sistemin, shoqërinë, drejtësinë dhe shtetin. Pra, aq rëndë janë degraduar politika dhe drejtësia në Kosovë saqë nuk do të mjaftonte as atje vetëm miratimi i një ligji VETTING-u, por duhet që akoma më tej të shkojnë si SHBA, ashtu edhe BE, që të ndërmarrin vendimin e ndalimit të hyrjes së politikanëve, pushtetarëve dhe të gjyqtarëve e funksionarëve të tjerë të lartë të shtetit të Kosovës që ata të mos kenë të drejtë që të hyjnë në SHBA dhe në BE", theksoi analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)