Grapci: Rënia e investimeve të huaja, për shkak të dështimeve qeveritare

  • 19 February 2018 - 21:14
Grapci: Rënia e investimeve të huaja, për shkak të dështimeve qeveritare

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, thotë se për gazetën "Kosova Sot" se fqinjët tanë, Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, por edhe Shqipëria, si shtete të rajonit tonë, kanë qenë shumë më "agresive" në tërheqjen e investimeve ndërkombëtare. Ai shton se ajo çka i karakterizon këto shtete kanë krijuar lehtësira në të bërit biznes, një qasje më agresive karshi brendeve, bazuar në Ligjin për Investime Strategjike dhe mbi të gjitha kanë përmirësuar imazhin politik. Sipas Grapcit, kjo qeveri e tashme e Kosovës duhet që të mësojë nga vendet e rajonit dhe nuk i bëhet nder që Maqedonia të jetë edhe absorbues i investimeve të huaja, por edhe eksportues shumë më i madh sesa Kosova. "Në të njëjtin rang është edhe Mali i Zi,e mos të flasim për Serbinë", është shprehur ai. Sipas Grapcit, është për keqardhje se si të gjitha këto vende janë bërë atraktive për bizneset e huaja, kurse Kosova ka degraduar si shtet i nëntokës kriminale, ku vetëm mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe të lidhur me parapolitikën dhe pushtetarët e inkriminuar të të dyja niveleve, vazhdojnë të bëjnë ilegalisht dhe në mënyrë kriminale qindra miliona, përmes monopoleve dhe tenderëve kriminalë, të cilat para i fshehin në parajsa fiskale, për t'i pastruar dhe për t'i sjellë sërish në Kosovë, ku po vazhdojnë zhvatjen, por tani edhe në emra të kompanive fantome e në parajsa fiskale.

(Kosova Sot)