Aventura e Ramës çon ujë në mullirin e Serbisë

  • 20 February 2018 - 07:20
Aventura e Ramës çon ujë në mullirin e Serbisë

PRAPAVIJA DESTRUKTIVE E DEKLARATËS PËR PRESIDENTIN E PËRBASHKËT

Badallaj:Shqipërinë dhe Kosovën i drejtojnë mafio-oligarkët!

"Sikur Çubrilloviqi të ngrihej nga varri, nuk do të kishte elaboruar teza antishqiptare më të errëta se kjo në kushtet aktuale. Nuk kam besuar kurrë se Beogradi do të gjente municion kaq të bollshëm në Tiranë për ta rrënuar shtetësinë e Kosovës... Thaçin, Ramën, Batonin i bashkon një skenar, një qëllim, një marrëzi! Uroj që shqiptarët ta kuptojnë këtë dhe ta ndalojnë aventurën e tyre kundër Kosovës dhe kombit shqiptar", u shpreh analisti politik Enver Bytyçi për "Kosova Sot"

Analistët politikë e kanë pritur me komente shumë kritike deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili propozoi një president të përbashkët për Kosovën e Shqipërinë, në një periudhë kohore kur platforma e bashkimit kombëtar është tepër larg realitetit, ngase në procesin e integrimeve evropiane bashkimi po shihet si koncept i realizueshëm vetëm në hyrjen e përbashkët të shqiptarëve në Bashkimin Evropian. Analistët theksojnë se në vend të këtyre deklaratave populiste, e të cilat tani e dëmtojnë interesin kombëtar, Rama duhet që fillimisht ta bëjë Shqipërinë vend të jetueshëm dhe me dinjitet, e jo shtet të korrupsionit, të kanabisit e të krimit të organizuar! Sipas analistëve, në një masë të madhe edhe vetë Kosova u influencua nga shembujt e krimit të organizuar në Shqipëri dhe se mafio-oligarkët më të inkriminuar në Kosovë e Shqipëri janë bërë krahu i djathtë i Edi Ramës në Shqipëri, por edhe të Hashim Thaçit në Kosovë.

Analistët pyesin se si mundet një njeri i zhytur në një sistem politik të krimit, korrupsionit e kontrabandës së drogës, të flet se si Kosovës dhe Shqipërisë i duhet një president i përbashkët, apo ndoshta duke marrë parasysh faktin se po kontrollon nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve këndej dhe andej kufirit bashkë me Hashim Thaçin dhe krahun e tyre të djathtë Baton Haxhiun, një deklaratë e tillë atij edhe mund t'i duket më se normale. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara Baton Haxhiut, ai nuk i ka kthyer përgjigje gazetarit.

Simbol i korrupsionit dhe drogës

"Nëse ky demagog nuk i ndryshon së pari qëndrimet e tij personale që për vetë mënyrën e qeverisjes janë në kundërshtim me pozitën e lartë që ka, bien erë të rëndë tradhtie deri në pazare për shitje territoresh, nuk pengon edhe më tej prodhimin dhe përpunimin e drogës dhe lejon përdorimin e lirë të të gjitha rrugëve në vend, tokë ajër e det, për shpërndarjen e saj në të gjithë Evropën, ai në realitet nuk dëshiron ta bashkojë kombin as shqiptarët, por ta shndërrojë edhe Kosovën në plantacion të drogës", tha Gani Qarri për "Kosova Sot"

Sipas Gani Qarrit, figura më e banalizuar shtetërore që ka zhytur Shqipërinë në një krizë kaq të thellë identiteti dhe është kthyer në simbol të një sistemi tërësisht të kriminalizuar politik, me një sistem ku sot lulëzon regjimi i përditë- suar mafioz i vrasjeve konspirative, korrupsionit dhe kontrabandës së drogës, mjerisht është vetë Edi Rama, që zyrtarisht si kryeministër i "zgjedhur" do duhej ta udhëhiqte pa pazare, në kurriz të saj dhe në mënyrë pak më njerëzore dhe evropiane vetë Shqipërinë."Në mënyrë që Rama të jetë personalitet i besueshëm dhe idetë e tij të bëhen bindëse për të gjithë shqiptarët, ai pikë së pari duhet ta kthejë Shqipërinë nga vendi i ekzekutimeve kriminale dhe pa asnjë ligj nëpër rrugë, si dikur gangsterët në të ashtuquajturin "perëndim të egër", t'i heqë Shqipërisë imazhin e keq të oazës e drogës dhe plantazheve të kanabisit, të ndalojë traditën e pazareve të dyshimta e jo transparente të shitjes së territorit vendeve fqinje dhe të punojë seriozisht, që të mos ua gërdisë jetën shqiptarëve në vendin e vet dhe të detyrojë ata dashtë e pa dashtë të largohen nga atdheu i vet", theksoi Qarri për "Kosova Sot".

Ai shton se një njeri i cili si kryeministër i vendit amë është i obliguar me Kushtetutën e vendit për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve edhe jashtë kufijve të Shqipërisë, është zhytur aq thellë në një sistem politik të kriminalizuar, saqë as SHBAja dhe BE-ja, tash e sa vite, nuk po arrijnë t`ia gjejnë fijet, fillin as mbarimin kësaj të keqeje në Shqipëri, e që po infekton edhe Kosovën."Ende, nën regjimin e tij, lirshëm lulëzojnë korrupsioni e kontrabanda e drogës dhe përflitet hapur se ai bashkë me Hashim Thaçin kontrollojnë nëntokën kriminale të mafio-oligarkëve në të dyja anët e kufirit. Për aq më keq, as njëri as tjetri jo vetëm se nuk bëjnë përpjekjen më të vogël për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të shqiptareve në FYROM, Mal të Zi e Serbi, por ua pamundësojnë një jetë të dinjitetshme edhe shqiptarëve në Shqipëri dhe në Kosovë, madje Edi Rama gjen luksin që të vijë e të shesë edhe kopalla, kinse qenka për një president të përbashkët të të dy vendeve tona, përderisa nuk është në gjendje bashkë me Hashim Thaçin, as të lidhë interkonjeksionin e lartë energjetik, tash e sa vjet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë", ka potencuar Qarri. 

"Edi Rama është një kryeministër i ndikuar nga substancat narkotike dhe ka folur nën atë ndikim. Ai së pari duhet të kujdeset e ta këqyrë mirë edhe Shqipërinë që po rrezikon t'i rrëshqet nga duart", tha analisti politik Reshat Sahitaj për "Kosova Sot" 

Një gjykim të tillë kritik ka analisti Reshat Sahitaj."Deklarata e Ramës është destruktive, sepse bashkimi kombëtar duhet të bëhet në mënyrë evolutive. Asnjë shqiptar nuk është kundër bashkimit të trojeve tona, por ne nuk e kemi as forcën politike, as forcën ekonomike e as forcën ushtarake, që të vendosim për fatin tonë", u shpreh ai."Së pari Edi Rama dhe dy qeveritë tona duhet të mendojnë integritetin territorial. Të mendojnë te Mitrovica Veriore, që të futet në administrim të planit të integruar të tërë sistemit shtetëror dhe administrativ të Kosovës, e jo të mendojnë se si mundemi t'i bashkojmë dy shtetet tona kur ne kemi probleme të brendshme, si p.sh. Mitrovica te ne e një pjesë tjetër deri në Shqipëri", potencoi Sahitaj për "Kosova Sot".

Të mos keqpërdoret përvjetori

Prof. Muhamet Kelmendi thotë se, pavarësisht interesit strategjik që kanë shqiptarët për bashkim në një shtet, nuk duhet që deklarata politike në përvjetorin e 10-të të Pavarësisë së Kosovës të bëhet dhe të varet nga gjendja ekonomike, sociale dhe nga veprimtaria kriminale, në mënyrë që të jemi apriori kudër bashkimit. Ai përmend shumë elemente, të cilat e bëjnë në kohë dhe moment të caktuar të domosdoshëm bashkimin e kombit dhe trojeve shqiptare, por jo me parulla të strukturave kriminale. "Dua t'i theksoj disa fakte shumë të rëndësishme pse një deklaratë e tillë në vetvete është pozitive, nëse me të vërtetë ka pasur dhe ka për qëllim atë çështje. Çështjet e paraqitura nga pyetja si kundërargument për bashkimin e disa çështjeve midis Kosovës e Shqipërisë nuk janë prova që duhet me qenë kudër bashkimit.

Para kësaj dalin:1. Me bashkim e kemi një ekonomi më të gjerë dhe një treg më të madh për mallrat tona.2. Me bashkim me lehtë bëhet dhe luftohet krimi dhe korrupsioni, veprimtaria kriminale e kanabisit, vjedhjet dhe dukuritë e tjera në vend. 3. Bashkimi luan rol të madh edhe në realizimin e kërkesave politike dhe nacionale e ekonomike të shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi, në Serbi dhe në Greqi. 4. Bashkimi e forcon ushtarakisht shtetin. 5. Me bashkim rritet edhe fuqia politike, diplomatike dhe ekonomike e shqiptarëve. I theksova këto për të dhënë përgjigje në dukuritë negative aktuale të krimit dhe të korrupsionit që ekzistojnë në dy shtetet tona", theksoi ai. "Mendoj se të mirat e bashkimit janë katërçipërisht më të mëdha dhe më domethënëse se anët negative që ka aktualiteti", tha prof. Kelmendi për "Kosova Sot".

Matrapazët nuk e bashkojnë kombin

"Klasa politike në Tiranë dhe në Prishtinë për çdo ditë i vjedhin shqiptarët, të cilët janë më të varfrit në Evropë. Pikërisht kjo klasë politike nuk ka as moral të flasë për bashkim, derisa ditë e natë e bëjnë të kundërtën e saj", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot"

Analisti politik Faton Mehmeti thotë se deklaratën e Edi Ramës për një president të përbashkët e vlerëson si deklaratë emocionale vetëm për konsum të brendshëm politik.

"Si e tillë kjo deklaratë nuk është rrjedhojë e një politike strategjike për një gjë të tillë dhe në këtë sens kjo deklaratë nuk pritet të ndryshojë asgjë në këtë drejtim. Folklorizmat nuk i duhen popullit tonë, derisa në praktikë gjërat janë të kundërta me fjalët. Kosova dhe Shqipëria më shumë shkëmbejnë mallra me Serbinë se mes tyre dhe në anën tjetër të flitet për president të përbashkët është për t'i hedhur sy qytetarëve në të dy anët e kufirit. Edi Rama shquhet për deklarata pompoziteti pa brumë brenda, e të cilat koha i ka mbuluar në pluhurin e harresës. Në këtë sens gjykoj se këto deklarata nuk i shërbejnë aspak mirëqenies së qytetarëve shqiptarë, për çka ata kanë nevojë më së shumti", theksoi Mehmeti për "Kosova Sot".

"Rama duhet ta pastrojë oborrin e shtëpisë"

Analisti Ali Hertica thotë se para se të angazhohet për bashkim kombëtar, Rama duhet ta pastrojë oborrin e shtëpisë, ta konsolidojë Shqipërinë si shtet me traditë shekullore dhe vetëm pastaj të flasë edhe për idenë e bashkimit."Së pari Rama duhet ta bëjë shtetin shqiptar shtet ligjor dhe demokratik duke e shtrirë tërë sistemin ligjor në të gjitha institucionet e shtetit, pa pasur kanabis dhe grupe të mafive oligarkëve të Tiranës të vëllazëruar me ato grupet e Prishtinës", tha Hertica për "Kosova Sot". Nga ana tjetër analisti Mustafë Kadrijaj mendon se deklarata e kryeministrit Rama është dhënë nën emocionet e dhjetëvjetorit të Pavarësisë, por nuk mendon se është diçka serioze."Këto deklarata janë për konsum ditor, sepse kam bindjen që edhe vetë kryeministri Rama nuk beson", theksoi ai për "Kosova Sot". Sipas tij, kjo deklaratë tregon joseriozitetin e politikës shqiptare. 

BYTYÇI: BATON HAXHIU ËSHTË NJË NGA SKENARISTËT E SHKATËRRIMIT TË SHTETËSISË SË KOSOVËS!

Analisti politik Enver Bytyçi thotë se deklarata e Ramës për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë është jorealiste, jo e realizueshme, e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën dhe kombin shqiptar. "Duket se kryeministrit të Shqipërisë i pëlqen mjegulla, me qëllim që të ketë sukses ta arrijë gjahun që ka përpara. Gjahu i tij është Kosova dhe territori i saj. Ndërsa për pronar ose gjahtar ka presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Fatkeqësisht shumë shqiptarë janë ndezur emocionalisht për këtë "ide brilante" të Edi Ramës, pa u thelluar fare se cilat janë pasojat e një lëvizjeje të tillë. Edhe po të luante kësisoj në mjegull një adoleshent në politikë e diplomaci, do të ishte me rrezik për Kosovën, jo më kur nisma të tilla qëllimkëqija i elaboron Edi Rama. Sikur Çubrilloviqi të ngrihej nga varri, nuk do të kishte elaboruar teza antishqiptare më të errëta se kjo në kushtet aktuale. Nuk kam besuar kurrë se Beogradi do të gjente municion kaq të bollshëm në Tiranë për ta rrënuar shtetësinë e Kosovës", u shpreh ai për "Kosova Sot".

Analisti Bytyçi thotë se ai personalisht nuk ka asnjë provë se Baton Haxhiu është UDB-ash, por gjykimi në sjelljen dhe ndërmjetësimin e tij me presidentin e Serbisë e bën të besojë se Batoni është një nga skenaristët e shkatërrimit të shtetësisë së Kosovës, me qëllim realizimin e objektivave të Beogradit për ta zhbërë pavarësinë e saj."Thaçin, Ramën, Batonin i bashkon një skenar, një qëllim, një marrëzi! Uroj që shqiptarët ta kuptojnë këtë dhe ta ndalojnë aventurën e tyre kundër Kosovës dhe kombit shqiptar!", theksoi më tutje Bytyçi. 

BADALLAJ:NUK BËHET BASHKIMI KOMBËTAR ME HAJNA DHE NJERËZ TË KORRUPTUAR

Analisti Reshat Badallaj thotë se kjo që tha Edi Rama në Prishtinë s´është asgjë tjetër pos një shou."Kryeministri i Shqipërisë aludon në bashkimin kombëtar, por një gjë duhet ditur, se bashkimi kombëtar nuk bëhet me matrapazë, dallaveraxhinj dhe kopilë që dredhin dhe zhdredhin. "Nuk bëhet bashkimi kombëtar me hajna dhe njerëz të korruptuar, keni vënë re se për çdo ditë që nga mëngjesi deri në darkë faktori ndërkombëtar, si në Tiranë, si në Prishtinë, i thonë hapur dhe i bien 'shuplakë' çdo ditë duke iu thënë luftojeni korrupsionin, se jeni të korruptuar deri në fyt. Si ka mundësi këtë ide ta përkrahë populli, kur në të dy vendet lulëzon krimi i organizuar nga kanalet e nëntokës kriminale që në dorë të dy shtetet i kanë dhe i drejtojnë mafiooligarkët", u shpreh ai.

"Është një e mirë që tashmë populli i ka kuptuar të dy dhe askush nuk u zë besë, sepse janë të pabesë dhe nuk kanë qëllim të përnjëmendtë dhe serioz, por janë mafio-oligarkët më të fortë në Ballkan. Rama-Vuçiqi-Thaçi dhe këlyshi i vogël, spiuni i UDB-së serbe dhe kumbara i Jovica Stanishiqit, janë duke ecur tinëzisht dhe me hile, për të bërë tregti dhe për të tallur me fatin e shqiptarëve", tha Badallaj për "Kosova Sot". "Shqiptarët duhet pasur shumë kujdes dhe nuk duhet të rrëshqasin aq lehtë, sepse urithi i nëntokës kriminale kundër shqiptarëve është spiuni i Serbisë, Baton Haxhiu, pasi në fund të fundit ky paguhet për këtë punë", tha Reshat Badallaj për "Kosova Sot"

(Kosova Sot)