Sondazhi: 77 për qind e amerikanëve, kundër Trumpit për armët

  • 20 February 2018 - 23:47
Sondazhi: 77 për qind e amerikanëve, kundër Trumpit për armët

Një sondazh i publikuar në mediat amerikane ka vënë në dukje se 77 për qind e qytetarëve amerikanë janë kundër presidentit Donald Trump sa i përket ligjit për armët.

Shumica e qytetarëve amerikanë mendojnë se si presidenti Trump ashtu edhe Kongresi nuk bëjnë sa duhet për të parandaluar vrasjet në masë.

Kështu thotë një sondazh i përbashkët i “ABC News” dhe “Washington Post”, i cili ka vënë në dukje se të këtij mendimi janë 77 për qind e popullsisë, të paktën ndaj Kongresit. Kur bëhet fjalë për presidentin, kuota zbret në 62 për qind, gjithsesi e lartë.

Sa i takon aprovimit të ligjeve, 58 për qind e të intervistuarve beson se masat më të ashpra për armët mund të kishin shmangur masakra si ajo e javës së kaluar në Florida.

Sidoqoftë, amerikanët nuk i kanë idetë e qarta për ligjet që duhen për të ulur krimet që vijnë nga liria e armëmbajtjes.

Vendi është i ndarë sa i takon ndalimit të armëve automatike, masë për të cilën 50 për qind janë pro; ndërsa 46 kundër.

Sipas sondazhit, 77 për qind e njerëzve mendojnë se duhen kontrolle më të mira për shëndetin mendor; ndërsa për 42 për qind do të ishte më mirë të armatoseshin mësuesit.

Një ditë më parë, vetë Trump u shpreh i hapur për ndryshime në ligjin për armët, për forcimin e sistemit federal të kontrollit.

(Kosova Sot)