Dekoratat mbulojnë me turp Hashim Thaçin

  • 21 February 2018 - 07:17
Dekoratat mbulojnë me turp Hashim Thaçin

 

 

PRESIDENTI BËN ATË QË DI MË SË MIRI - ABUZIMIN ME PUSHTETIN 

Aliu: 'KOSOVA SOT" nuk mund ta marrë dekoratën e njëjtë me agjentët e UDB-së, që së bashku me regjimin serb vranë, masakruan dhe shkatërruan çdo gjë që ishte shqiptare në Kosovë

Analistët politikë e kanë pritur me shumë befasi, por e kanë arsyetuar refuzimin dekoratave presidenciale nga shumë figura publike, nga persona fizikë dhe juridikë, duke konstatuar se refuzimi i dekoratave presidenciale të Hashim Thaçit në këtë përvjetor të 10-të të pavarësisë së Kosovës është kulmi i izolimit të presidentit Thaçi dhe paralajmërimi për fundin e turpshëm të karrierës së tij politike. Edhe Gazeta Nr. 1 në Kosovë ,"Kosova Sot" e ka refuzuar dekoratën nga presidenti, nga kryeprotagonisti i klanit "Pronto". 

Analistët kanë theksuar se Gazeta "Kosova Sot" nuk ka mundur të pranojë dekoratë nga oligarku i inkriminuar Hashim Thaçi, i cili me klubin e tij të mafio-oligarkëve Devolli dhe të tjerët, plus agjentët e UDB-së e njerëzit e Stanishiqit, të cilëve edhe iu dha dekorata, po e shkatërron këtë shtet në tërësi. Sipas analistëve, është një shembull shumë i keq dhe degradim i vlerave të mirëfillta që meritojnë këto dekorata, kur i pari i shtetit, presidenti ka dekoruar së bashku njerëz të burgosur e të dënuar, edhe me bashkëpunëtorë të Stanishiqit, siç është kryespiuni Baton Fazli Haxhiu.

Kjo ka qenë edhe një arsye që, sipas analistëve, gazeta "KOSOVA SOT" nuk ka mundur të pranojë të marrë të njëjtën dekoratë me agjentët që raportuan dhe punuan për UDB-në, e cila UDB bashkë me regjimin serb vranë, masakruan e shkatërruan çdo gjë në Kosovë, e dënuan dhe e ndaluan gazetën "KOSOVA SOT" më 18 mars 1999, e dogjën me flakëvënie dhe shkatërruan gjithë çka pati më 24 mars 1999 si objektivin e tyre nr.1, duke shkatërruar pajisjet e Redaksisë dhe Shtypshkronjës më të madhe në vend. Analistët konsiderojnë se "Kosova Sot" për punën dhe kontributin në këto afro 21 vjet meriton jo një, por edhe më shumë dekorata, por kurrsesi jo nga një oligark i inkriminuar me mafio-oligarkët e tjerë që ia kanë zëne frymën këtij shteti, çdo institucioni në të tre pushtetet e në të gjitha nivelet. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara Baton Haxhiut, i cili akuzohet nga analistët si njeri i UDB-së, ai nuk ka kthyer përgjigje.

Autoriteti presidencial, në pikën më të ulët

"Thaçi nuk po jep shembull të mirë, duke dekoruar edhe njerëz me të kaluar të dyshimtë, por edhe bashkëpunëtorë të UDB-së, siç është Baton Haxhiu, i cili bën lloj-lloj planesh kundër Kosovës, siç është ky edhe për ndarjen e Kosovës! Andaj, 'KOSOVA SOT' nuk mund ta marrë dekoratën me agjentët e UDB-së, që së bashku me regjimin serb vranë, masakruan dhe shkatërruan çdo gjë që ishte shqiptare në Kosovë", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Rrënim të plotë të autoritetit dhe karrierës së presidentit e sheh refuzimin e shumtë të dekoratave presidenciale nga aktorë të ndryshëm edhe analisti Bislim Aliu. "Me të vërtetë refuzimi i dekoratave presidenciale, nga disa të dekoruar nga presidenti Hashim Thaçi, në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, është akt pa precedent që i ka ndodhur ndonjëherë ndonjë presidenti të një vendi! Ky refuzim edhe praktikisht po tregon se ka ardhur fundi i karrierës së tij politike. Me këtë z. Thaçi e ka humbur autoritetin te qytetarët për të qenë edhe më tej president i vendit. Edhe gazeta nr. 1, 'KOSOVA SOT', e cila për 21 vjet ishte dritare e hapur për qytetarët e Kosovës, e cila në plotni e ka rrë- fyer të vërtetën dhe me seriozitetin më të lartë e informoi qytetarin e Kosovës me ngjarjet më aktuale të vendit e ka bërë me arsye një veprim të tillë. Ajo nuk e meriton një dekoratë, por shumë e shumë dekorata për punën e lartë dhe të mirëfilltë të saj. Z. Thaçi për këto vite të udhëheqjes së tij u ka premtuar qytetarëve shumë premtime, e ato të shumtën e rasteve nuk janë realizuar fare dhe për këtë ka rënë në nivelin e ulët të autoritetit dhe për këtë joseriozitet të tij po e ndëshkojnë edhe qytetarët me mosmarrjen e dekoratës presidenciale", tha Aliu për "Kosova Sot". Ai shton se dekoratat e humbën vlerën, sidomos duke dekoruar edhe të apostrofuarit për spiunë të regjimit serb.

GURAZIU: GAZETA "KOSOVA SOT" NUK MUND TË PRANOJË TË MARRË TË NJËJTËN DEKORATË ME AGJENTËT QË PUNUAN PËR UDB-NË!

"Gazeta 'Kosova Sot' nuk mund të pranojë të marrë të njëjtën dekoratë me agjentët që raportuan dhe punuan për UDB-në, e cila UDB, bashkë me regjimin serb vranë, masakruan e shkatërruan çdo gjë në Kosovë, e dënuan dhe ndaluan gazetën 'Kosova Sot' më 18 mars 1999, e dogjën me flakëvënie dhe shkatërruan gjithçka që pati më 24 mars 1999, si objektivin e tyre nr.1, duke shkatërruar pajisjet e Redaksisë dhe Shtypshkronjës më të madhe në vend", tha Ragip Guraziu për "Kosova Sot"

Edhe sipas Ragip Guraziut, refuzimi i dekoratave presidenciale të Hashim Thaçit në këtë përvjetor të 10-të të pavarësisë së Kosovës është kulmi i izolimit të presidentit dhe paralajmërimi për fundin e turpshëm të karrierës se tij politike. Analisti Guraziu e ka cilë- suar si akt të qëlluar refuzimin e dekoratës edhe nga "Kosova Sot". "Siç jemi në dijeni, edhe Gazeta nr. 1 në Kosovë ,'Kosova Sot', e ka refuzuar dekoratën nga presidenti, kryeprotagonist i klanit 'Pronto'. Gazeta 'Kosova Sot' nuk mund të pranojë dekoratë nga oligarku i inkriminuar Hashim Thaçi, i cili me klubin e tij të mafio-oligarkëve Devolli dhe të tjerët, plus agjentët e UDB-së e njerëzit e Stanishiqit, të cilëve edhe iu dha dekorata, dhe me të cilët po e shkatërron këtë shtet në tërësi. Pra, konsideroj se kjo ishte arsyeja e refuzimit të dekoratës nga gazetës 'Kosova Sot'", theksoi ai. "Është një shembull i keq, kur presidenti vepron duke dekoruar së bashku njerëz të burgosur e të dënuar për çështje kombëtare, edhe bashkëpunëtorë të Stanishiqit, siç është kryespiuni Baton Fazli Haxhiu", u shpreh Guraziu për "Kosova Sot".

Përzgjedhje skandaloze

Veprim skandaloz e ka cilësuar mënyrën dhe përzgjedhjen e personaliteteve për dekorim nga ana e presidentit në dekadën e parë të pavarësisë, edhe prof. Muhamet Kelmendi. "Unë mendoj se jo vetëm personat fizikë, që e kanë refuzuar në shumë rast ndarjen e dekoratës nga ana e presidentit Thaçi, por edhe personat juridikë, që në këtë rast është gazeta shumë e vlerësuar dhe e çmuar për kontributin e saj në luftë dhe në paqe 'Kosova Sot', kanë bërë një veprim të qëlluar, një veprim që të bën me kuptuar se ky president ka bërë gabime të njëpasnjëshme të shumta deri më sot", u shpreh ai. "Nuk dua të nisem këtu nga parimi i inatit, pse unë apo ndonjë shok imi i ngushtë nuk është përzgjedhur në këtë rast për t'u dekoruar, por dua të them se ka shumë burra dhe shumë figura me nam, e që kanë dhënë kontribut edhe në ilegalitet, e fare nuk janë përmendur, por janë anashkaluar dhe lënë krejtësisht në harresë nga ana e presidentit Thaçi. Në veçanti kemi shumë persona fizikë, të cilët gjatë luftës kanë qenë kontribuues të mëdhenj, madje edhe themelues të UÇK-së, kemi shumë gazetarë, kemi shumë politikanë të strukturave të ndryshme politike të paraluftës që kanë kontribuar dhe janë anashkaluar dhe janë injoruar. Presidenti ka zgjedhur mënyrën më të keqe të përzgjedhjes, duke u përcaktuar kryesisht për njerëzit që i ka në shërbesë afër vetes apo që i ka të afërta interesat e tij me interesat e tyre", tha prof. Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot".

Ndërsa, analisti Ali Hertica konsideron se vetë akti i refuzimit të dekoratave, duke përfshirë këtu edhe refuzimin nga "Kosova Sot", flet më së miri që presidenti Thaçi është i padëshirueshëm edhe për pjesën dërmuese të qytetarëve të Kosovës. Edhe analisti Hertica e konsideron një lloj përdhosjeje të vlerës presidenciale të dekoratës, kur ajo iu ndahet individëve të pavlerë dhe me të kaluar të dyshimtë kundër interesit të shtetit. "Ka njerëz të dyshuar për të kaluarën e tyre historike dhe bashkëpunëtorë të UDB-së dhe të Stanishiqëve të politikës së Beogradit. Ky sinjalizim tregon se qytetari më nuk do jetë ai që mbështet dhe pranon dekorim nga pushtetarët e inkriminuar apo nga oligarkët e keqpërdoruesit e pasurisë së shtetit, duke e zhvatur atë me bandat ekonomike të pafytyrësisë dhe klaneve të oligarkëve që po ua zënë frymën qytetarëve me banditizmin e tyre ekonomik dhe politik" tha Hertica për Kosova Sot.

Lojëra të ndyra politike

 "Gazeta 'Kosova Sot' ka mbajtur konsistencë në qëndrime e parime, duke përfaqësuar frymën qytetare, por edhe duke përfaqësuar vlera të larta shoqërore. Objektiviteti i gazetës 'Kosova Sot' karshi proceseve socio-politike-ekonomike është përkthyer në cak të sulmeve nga pushtetet e pasluftës, pasi zbulimi i të vërtetave për keqpërdorimet e pushteteve të pasluftës ka krijuar hendekun në mes gazetës 'Kosova Sot' dhe pushteteve të korruptuara dhe të kriminalizuara. Realisht, të jesh institucion i pavarur e të veprosh brenda frymës qytetare dhe misionit si gazetë e pavarur nuk mund të pranohet një dekoratë nga njeriu, i cili ka prodhuar një gjendje të rëndë socio-ekonomike, por njëkohësisht ka luftuar me të gjitha mjetet e mundshme gazetën 'Kosova Sot'", tha analisti Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot"

Kritik në këtë rrafsh është shprehur edhe analisti Hidajet Ahmeti. "Thaçi, përmes këtyre lojërave të ndyta politike, po mundohet të mbulojë dështimet e tij të njëpasnjëshme, duke u mundur të shpërqendrojë opinionin nga dështimet e iniciativave të pasinqerta dhe joserioze. Pozita e tij prej një presidenti po i kushton Kosovës në aspektin e politikës së jashtme, por edhe në politikën e brendshme. Një manipulim i tillë është vazhdimësi e traditës dhe logjikës së tij të mbrapsht për ta drejtuar vendin, duke mos zgjedhur mjete për të qëndruar në kolltukun e tij, jo për një pagë, por për t'i bërë favore klienteles së PDK-së dhe ta shkruajë historinë re të Kosovës për të keq", u shpreh ai. "Injorimi i institucionit të Presidentit nuk është shumë e hijshme, por në kontekstin e rastit, injorimi ka ndodhur shkaku i personalitetit, i cili përfaqëson institucionin. Injorimi ka simbolikën shumë të madhe në kontekstin politik e social. Në njërën anë personalitetin e një presidenti përçarës e jo unifikues, personalitetin e një njeriu, i cili nuk përfaqëson të gjitha shtresat e shoqërisë,por përfaqëson një komunitet të vogël njerëzish me interesa reciproke", vijoi më tutje Ahmeti.

"Gazeta 'Kosova Sot' ka mbajtur konsistencë në qëndrime e parime, duke përfaqësuar frymën qytetare,por edhe duke përfaqësuar vlera të larta shoqërore. Objektiviteti i gazetës 'Kosova Sot' karshi proceseve sociopolitike-ekonomike është përkthyer në cak të sulmeve nga pushtetet e pasluftës, pasi zbulimi i të vërtetave për keqpërdorimet e pushteteve të pasluftës ka krijuar hendekun në mes gazetës 'Kosova Sot' dhe pushteteve të korruptuara dhe të kriminalizuara. Realisht, të jesh institucion i pavarur e të veprosh brenda frymës qytetare dhe misionit si gazetë e pavarur nuk mund të pranohet një dekoratë nga njeriu, i cili ka prodhuar një gjendje të rëndë socio-ekonomike, por njëkohësisht ka luftuar me të gjitha mjetet e mundshme gazetën 'Kosova Sot'", tha Hidajet Ahmeti për "Kosova Sot". 

"Nuk u bën nder dekorata e Thaçit njerëzve të ndershëm, e të cilët janë të pakët në këtë listë", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot"

 Edhe sipas Faton Mehmetit, Thaçi nuk është person uniteti dhe asnjëherë nuk arriti të dalë mbi interesat e ngushta të rrethit të tij të ngushtë si president vendi. "Në këtë kuadër është edhe çështja e dekoratave. Lista e dekorimeve nga Thaçi është listë jaranish dhe bërje biznesi. Nëse shohim me vëmendje në atë listë janë edhe kriminelë, haraçistë dhe njerëz që janë prapa grilave. Sigurisht se kjo listë nuk i bën nder Kosovës, dhe as njerëzve të ndershëm që kanë kontribuar me ndershmëri për Kosovën. Thaçi po keqpërdor pozitën e presidentit për përfitime personale, pasi nga këto dekorime në konton e tij janë derdhur para. Disa nga këto dekorime janë blerë, disa janë dhënë alla qerasje jaranie", potencoi Mehmeti për "Kosova Sot". Sipas tij, nuk mund të dekorojë dikë dikush si Thaçi, që është i përfshirë në krim dhe korrupsion, prandaj po refuzohen në disa raste dekoratat e tij.

BADALLAJ: MATRAPAZI HASHIM THAÇI KA VDEKUR POLITIKISHT!

Analisti Reshat Badallaj, me këtë mënyrë të shpërndarjes së dekoratave dhe me refuzimin e tyre nga shumë të dekoruar, e sheh të vdekur politikisht edhe në karrierë presidentin Thaçi."Po ju garantoj që tani se gjarpri nën gjethe, matrapazi Hashim Thaçi ka vdekur politikisht, sa t'i kalojë ky mandat, që edhe pse erdhi me pazare të kanaleve të nëntokës kriminale, do të jetë i harruar, sepse shumë të zeza dhe tradhti ndaj vendit ka bërë. Do të hyjë në koshin e plehrave të tradhtisë, në koshin e bandave të mafio-oligarkëve, në koshin e dredhisë që ka bërë ndaj vendit dhe në kopenë e staneve të tradhtarëve të vendit, te sojit të Esat Pashë Toptanit dhe të Ahmet Zogollit për shitje të tokave të Kosovës", u shpreh ai. "Me këto dekorime në emër të presidentit të shtetit e bën listën gjyveç vetëm sa për të futur përçarje kombëtare. Fut aty- këtu ndonjë dëshmor, atdhetar dhe e mbush listën me lloj-lloj spiunësh të UDB-së serbe që kanë bërë krime, me tradhtarë të vendit, me mafio-oligarkë, me hajna të asfaltit e të arsimit, me banda serbiane Devolli që dëmtojnë qindra miliona buxhetin, me Baton Haxhiun, spiunin që ka bërë krime me Jovica Stanishiqin dhe merreni me mend dekoron si kryeredaktor të TV KLAN Serbia, që financohet nga Serbia dhe banda serbiane Devolli", tha Badallaj për "Kosova Sot".

Ai e vlerëson si veprim me moral të lartë të identitetit dhe vlerës patriotike, refuzimin e dekoratës nga gazeta "Kosova Sot". "Mospranimi i kësaj dekorate nga banda mafio-oligarkësh, nga gazeta 'KOSOVA SOT', mendoj se është një shuplakë e fortë që të mos e harrojë Hashimi i Brojës sa të jetë jeta. Përndryshe, çdokush do ta pranonte dekoratën, po të ishte nga presidenti i vendit, që zgjidhet në mënyrë demokratike, nga vota e lirë e popullit dhe që presidenti të udhëheqë vendin në zhvillim dhe jo të rreshtohet dhe të kapet në vallen e mafio-oligarkëve. Askush nuk e pranon një ofendim të tillë", ka vlerësuar Reshat Badallaj.

(Kosova Sot)