Kamerat në Doganat e Kosovës fiken me urdhër nga politika dhe mafio-oligarkia

  • 21 February 2018 - 07:30
Kamerat në Doganat e Kosovës fiken me urdhër nga politika dhe mafio-oligarkia

ASNJË HETIM PAS DEKLARATËS SË XHAVIT HALITIT SE PO FIKEN KAMERAT NË DOGANA

GRAPCI:Prokuroria Speciale duhet që të fillojë urgjentisht hetimet kundër zyrtarëve të Doganës,të cilët po i fikin kamerat

Edhe pse kanë kaluar afro tre muaj prej deklaratës publike të nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, i cili në fillim dhjetori të vitit të kaluar foli hapur për kontrabandën evidente që po bëhet ndër vite dhe pandalshëm në Doganat e Kosovës, Prokuroria Speciale e Kosovës deri më sot nuk e ka hapur asnjë hetim për Doganat. Haliti kishte deklaruar se e tërë kjo kontrabandë me derivate të naftës po bëhet përmes ngritjes së "trarit dhe fikjes së kamerave të vëzhgimit", duke kërkuar forcim serioz të kontrollit të Doganave, meqë, sipas tij, po bëhet kontrabanda më e madhe me mallra që kanë akcizë, siç janë cigaret, nafta, alkooli dhe të tjera produkte.

"Z. kryeministër, t'u kisha lutur me i kontrollu Doganat e Kosovës, jo me kamera, po me mekanizma më seriozë e të besueshëm, që të kontrollohen për mallrat që hyjnë në kufi, e që kur ato hyjnë ilegalisht nëpër kufij, po ndalen kamerat, duke e ngritur trarin e kalimit të kontrabandës. Cigaret, alkooli e sidomos nafta janë kontrabanda më e madhe që po e gërryejnë për tokë buxhetin e Kosovës. Kush nga zyrtarët e kufirit po i fik kamerat e doganave për të lejuar kontrabandën shumëmilionëshe", ishte shprehur numri dy i Kuvendit. Ekspertët e kësaj fushe e kanë ngritur çështjen se a qëndrojnë prapa këtij veprimi vetë oligarkët e pushtetit pas këtij krimi perfid të denoncuar nga vetë nënkryetari i Kuvendit të Kosovës. Ndërkaq, siç dihet, ka qenë gazeta "Kosova Sot", e cila në vazhdimësi e ka ngritur zërin për ekonominë e madhe informale, kontrabandën alarmante dhe abuzimet që po bëhen përmes shpërdorimit të pozitave shtetërore dhe rrjeteve kriminale që kanë lidhje me zyrtarët kosovarë në doganat dhe Policinë e Kosovës.

Por është për t'u habitur se si edhe pas denoncimit të Xhavit Halitit, por edhe shkrimeve të gazetës"Kosova Sot" Prokuroria Speciale e Kosovës nuk po denjon që të hapë hetimet për të provuar këto deklarime se çka realisht po ndodh në Dogana dhe Policinë e Kosovës. Sipas papërgjegjshme janë zyrtarët e lartë në Doganat e Kosovës ata që po i shkatërrojnë themelet e shtetit, duke u bërë pjesë e krimit ekonomik, kontrabandës për përfitime miliardëshe të oligarkisë politike dhe mafio-oligarkëve të inkriminuar. Edhe pse situata është alarmante, institucionet heshtin. Me gjithë pyetjet e dërguara në adresë të Qeverisë së Kosovës, gazeta nuk ka marrë përgjigje në çështjen që po e trajton. Përgjigje nuk kanë dhënë as Prokuroria Speciale, Doganat dhe nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti.

Shteti duhej të hetonte skandalin

"Z. Haliti, si përfaqësues i PDK-së, duhet ta dijë se ai është në pushtet tash e 13 vjet dhe këto gjëra kanë ndodhur në kohën derisa në pushtet ka qenë PDKja e Xhavit Halitit", tha Enver Hoti për "Kosova Sot" 

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga koalicioni qeverisës, Enver Hoti (Nisma për Kosovën) për "Kosova Sot", tha se Xhavit Haliti e ka ngritur një temë që do të duhej të ishte shqetësim për të gjitha institucionet e vendit tonë. "Dhe mendoj se z. Haliti ka bërë mirë që e ka ngritur këtë çështje, por z. Haliti vjen nga një parti që ka qenë në pushtet dhe sidomos pasi që kjo parti, pra PDKja, e ka në dorë Ministrinë e Drejtësisë dhe mendoj se Prokuroria e Shtetit pas kësaj deklarate ka qenë dashur që të fillojë ndonjë aktivitet, ndonëse nuk jam në dijeni se a e ka bërë këtë hap apo jo, por jam i mendimit se do të duhej që të fillonte me hetimet në ndriçimin e këtij rasti", u shpreh ai."U bëj thirrje që sa më parë institucionet tona ta luftojnë informalitetin në të gjitha fushat ku ndodhin ato", ka thënë ai. Ndërkaq, i pyetur se a ka qenë dashur që Xhavit Haliti pasi e ngriti këtë çështje të japë edhe emrat e kontrabanduesve, deputeti Hoti thotë se janë organet e prokurorisë dhe ato të drejtësisë, ato që do të duhej të merren me ndriçimin e këtij rasti. 

"Rampa dhe kamerat në Doganat e Kosovës nuk ulen dhe nuk fiken automatikisht, por është dikush nga zyrtarët më të lartë të doganave apo nga politika që jep urdhër për t'u fikur këto kamera dhe për t'u ulur rampat në doganat tona", potencoi Ramadan Maloku për "Kosova Sot"

Anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, afaristi Ramadan Maloku për gazetën "Kosova Sot" tha se në çdo shtet ku funksionon drejtësia një fjalim i tillë sikurse që ishte ai i nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Haliti, për Prokurorinë e atij shteti do të ishte e mjaftueshme që ata të nisin menjëherë hetimet në zbardhjen e rastit."Ndërsa këtu tek ne kemi heshtje totale të institucioneve të Prokurorisë së Shtetit dhe vërtet një heshtje e tillë është e pakuptimtë, sepse Prokuroria tashmë ka qenë dashur të fillon hetimet për këtë rast që kërkon hetim urgjent", theksoi ai."Rampa dhe kamerat në Doganat e Kosovës nuk ulen dhe nuk fiken automatikisht, por është dikush nga zyrtarët më të lartë të doganave apo nga politika, që jep urdhër për t'u fikur këto kamera dhe për t'u ulur rampat në doganat tona", potencoi ai. 

"Një rast i tillë duhet ndriçuar sa më parë, në të kundërtën informaliteti do ta përgjysmojë buxhetin e vendit, pasi edhe sipas Bankës Botërore shkalla e informalitetit te ne është diku në kuotën 35-38 për qind", tha Ramadan Maloku për "Kosova Sot"

Ekonomia informale, në nivele tronditëse

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, tha për "Kosova Sot" se mosveprimi i Prokurorisë së Shtetit lidhur me akuzat e deputetëve që Dogana e Kosovës ka probleme serioze korrupsioni jep mesazh negativ për dikasteret tjera."Ne jemi dëshmitarë se dogana mbledh shumicën e të hyrave të vendit, mirëpo një menaxhim më i mirë i Doganës do të rriste edhe më shumë të hyrat e vendit, edhe pse nuk është praktikë e mirë që shteti t'i ketë të hyrat kryesore nga Dogana, mirëpo për situatën aktuale kjo është e domosdoshme", potencoi ai."Për të ndryshuar këtë gjendje duhet të bëhet një riorganizim në nivel vendi, duhet të merret parasysh edhe kontributi i gazetës "Kosova Sot", që vazhdimisht sa kam lexuar sjell argumente të besueshme dhe faktike, edhe pse media e shquar me një lexueshmëri të madhe, prapëseprapë nuk merr askush parasysh një veprim të tillë, pra argumente ka sa të duash, mirëpo mungojnë veprimet konkrete", ka thënë ai. Sipas Beqirit, ekonomia informale ka ndikim mjaft të madh në territorin e Kosovës."Rreth 35-38 për qind llogaritet aktualisht ekonomia informale dhe pjesa më e madhe e këtij problemi vjen nga veriu i Kosovës që administrohet nga pakica etnike serbe, e cila nuk u bindet ligjeve të Republikës së Kosovës. Republikës së Kosovës i nevojitet një sistem financiar i besueshëm, si dhe një ekonomi tregu e qëndrueshme dhe funksionale. Për këtë arsye është e rëndë- sishme që të gjenden metoda efektive për të parandaluar ekonominë joformale", vijoi më tutje Beqiri."Sipas disa analizave buxheti i shtetit i humb nga 2 deri 3 miliardë euro në vit nga kjo veprimtari, ende shumë kompani nuk janë fiskalizuar, në vendet rurale nuk ka një vullnet për të paguar tatimin, gjithashtu komuniteti serb është duke i shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë kosovare, siç dihet ata ende vazhdojnë që valutë zyrtare të kenë dinarin serb dhe nuk respektojnë asnjë ligj të shtetit", shpjegoi ai.

Politikanët e inkriminuar, mburojë e kontrabandistëve

"Po frikohem që edhe vetë kryeministri Haradinaj ka gisht në këto rrjete të organizuara kriminale", tha Dardan Grapci për "Kosova Sot" 

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, tha për "Kosova Sot" se Prokuroria Speciale (PSRK) duhet që të fillojë urgjentisht me hetimet kundër zyrtarëve të Doganës, të cilët po i fikin kamerat nëpër Doganat e Kosovës, pasi që një veprim i tillë lë mundësi të mëdha që kamionët e mëdhenj dhe maunat të hyjnë ilegalisht dhe pa asnjë pengesë në territorin e Kosovës. Ai e shtron pyetjen se përse deri me sot asnjë president apo kryeministër i Kosovës nuk e ka marrë ndonjë vendim për ndalimin e këtyre kontrabandave ilegale në Kosovë."Përse askush nga këta politikanë të inkriminuar nuk po marrin masa për mbrojtjen e produkteve vendore, por po i shkatërrojnë ato duke i sjellë produktet nga vendet fqinje?", u shpreh ai. "Kryeministri Haradinaj me siguri është në dijeni për të gjitha këto probleme dhe skandale që po ndodhin në Doganat e Kosovës, por arsyeja nuk po dihet se përse ai nuk po bën diçka për ta parandaluar këtë fenomen 19-vjeçar që po ndodh në Kosovë", theksoi Grapci. "Andaj koha është që edhe zyrtarët e lartë të përballen me ligjin e jo të ketë më vonesa, sepse sa më shumë që këto raste presin për hetim dhe ndriçim, për fat të keq aq më shumë ekziston mundësia që këto raste të anashkalohen komplet nga qeveria dhe drejtësia e Prokuroria e Kosovës", tha ai. 

Asnjë veprim serioz nuk u ndërmor deri tash

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot" se për të funksionuar një shtet si shtyllë e parë është sundimi i ligjit të bazuar në vlerat, standardet dhe praktikat evropiane. "Shteti ligjor nuk do të duhet të dorëzohet para shkelësve të ligjit dhe të korruptuarve, këtë po na e thonë edhe miqtë tanë ndërkombë- tarë e ketë ditë më parë na e tha edhe para Kuvendit senatori amerikan, Eliot Engel, në 10-vjetorin e Pavarësisë", u shpreh ai."Qeveria e re pas kryerjes së disa temave të rëndësishme, siç është Demarkacioni, Asociacioni dhe Forcat e Armatosura, duhet që t'i kushtojë rëndësi ngritjes së kapaciteteve në sistemin gjyqësor dhe atë prokurorial, si dhe për të siguruar një gjyqësor të pavarur nga ndikimi dhe presioni politik", vlerë- soi Neziraj. "Edhe pas deklaratës së Xhavit Halitit në Kuvendin e Kosovës se ka keqpërdorime në Doganat tona, unë nuk e di që është marrë ndonjë veprim konkret nga institucionet përkatëse të vendit. Andaj Qeveria duhet që urgjentisht të fuqizojë Prokurorinë Speciale si dhe krijimin e të gjitha kushteve për luftimin e kriminalitetit dhe krimit të organizuar", vlerësoi ai. Sipas tij, nga ky krim i organizuar vendi ynë ka informalitetin më të lartë në rajon, prandaj është koha e fundit për veprime konkrete e jo për debate nëpër tryeza të ndryshme që po organizohen, sepse korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk mund të ndalen me fjalë, por me veprime konkrete.

(Kosova Sot)