Vetëm VETTING-u rikthen SHPRESËN PËR DREJTËSI

  • 21 February 2018 - 07:47
Vetëm VETTING-u rikthen SHPRESËN PËR DREJTËSI

DEGRADIMI I SISTEMIT GJYQËSOR DHE PROKURORIAL

Miftari: Vettingu serioz, i përkrahur nga SHBA-ja, është i vetmi shpëtim i mundshëm nga kjo gjendje, ku shteti dhe organet e tij janë në dorë të mafisë dhe oligarkëve të pushtetarëve të korruptuar

Analistët politikë dhe njohësit e fushës së sundimit të ligjit vazhdojnë të theksojnë se qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund ta kthejnë besimin në drejtësi pa një Vetting të mirëfilltë, hetim dhe ndëshkim për gjyqtarët e prokurorët e inkriminuar, që nuk janë të pakët, e që për vite të tëra nuk shpëtuan pa u lidhur me krimin e organizuar në dëm të interesit të qytetarit. Sipas analistëve, vetëm hedhja në sitë e gjyqtarëve e prokurorëve do të largonte shumicën prej tyre, sepse nuk do të mund ta kalonin Vetting-un, prandaj ky proces do t'i bënte qytetarët që me besim më të plotë ta shohin shtetin e së drejtës.

Është një disponim i gjerë në shoqëri, edhe në botën e ekspertëve dhe të shoqërisë civile, që nuk duhet lejuar që VETTING-ut t'i shpëtojnë asnjë nga prokurorët dhe asnjë nga gjyqtarët e tanishëm të përfshirë aktivisht në sistemin e infektuar nga krimi e korrupsioni, pasi të inkriminuarit sigurisht se do të përpiqen të tërhiqen apo dorëhiqen për t'i shpëtuar hetimit të VETTING-ut. Në këtë proces kërkohet edhe ndëshkimi i të gjithë të të inkriminuarve në sistemin e drejtësisë për krimin, për korrupsionin, për shitblerjet e lëndëve, për shitjen e trafikimin e të drejtës së qytetarëve. Kthimi i besimit qytetar është i mundur te drejtësia vetëm përmes hetimit dhe Vetting-ut,pra dënim dhe ndëshkim edhe për gjyqtarët e prokurorët me rekorde kriminale si për ata të cilët nuk vetëlargohen nga VETTING-u, ashtu edhe për ata që vetëlargohen, duke shpresuar që t'i shpëtojnë VETTING-ut.

Shumë zyrtarë mund të ngelin në sitën e reformës

Analisti Florim Zeqa thotë se dëshira e qytetarëve është që të kenë drejtësi të besueshme, sundim të ligjit të barabartë për të gjithë, por kjo nuk po realizohet në shtetin e kapur nga krimi e korrupsioni. "Edhe përkundër vullnetit të madh të qytetarëve, besimi në drejtësinë vendore është i pamundur të kthehet pa një VETTING të mirëfilltë, hetim dhe ndëshkim të gjyqtarëve dhe prokurorëve të inkriminuar. Duhet të merren të gjitha masat në mënyrë që VETTING-ut të mos i shpëtojë asnjë prokuror dhe asnjë gjyqtar i dyshuar, edhe pse të inkriminuarit paraprakisht do të përpiqen të tërhiqen apo dorëhiqen për t'u shpëtuar 'sitave' të VETTING-ut të monitoruar ndërkombëtar. Pa i ndëshkuar të gjithë të inkriminuarit në sistemin e drejtësisë për krim dhe korrupsion, për shitblerjet e lëndëve dhe për shitjen e trafikimin e të drejtës së qytetarëve të nëpërkëmbur nga pushtetarët e pasluftës nuk do të ketë çuarje të drejtësisë në vendin e saj", u shpreh ai. "Më shumë se askush tjetër mund të ndihmojnë qytetarët në procesin e VETTING-ut, me bërjen publike të shkeljeve dhe abuzimeve që u janë bërë për 10 vjet rresht nga prokurorët dhe gjyqtarët vendorë, lëndët e të cilëve në mos të 'humbura' ndodhen diku të pluhurosura në sirtarët e prokurorëve e gjyqtarëve sa të papërgjegjshëm, po aq të korruptuar dhe të inkriminuar nga dy nivelet e qeverisjes (qendrore dhe lokale)", tha Zeqa për "Kosova Sot"

"Me këtë Vetting nuk do të duhej të mbeten të pandëshkuar as gjyqtarë, e as prokurorë të inkriminuar, sado që ata do të mëtonin të dorëhiqeshin apo të tërhiqeshin paraprakisht për t'i shpëtuar Vetting-ut", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot"

Sipas Naim Kelmendit, çfarëdo kamuflim i reformës në këtë sistem, nuk mund ta kthejë besimin në drejtësi pa e bërë një VETTING- të plotë dhe me themel."Besimi i humbur në drejtësinë kosovare nga qytetarët nuk mund të kthehet pa një Vetting të mirëfilltë, duke hetuar dhe duke ndëshkuar sigurisht të gjithë gjyqtarët e prokurorët e inkriminuar, në mënyrë që t'i kthehet i integriteti i humbur drejtësisë kosovare", u shpreh ai. "Ka shumë nga gjyqtarët e prokurorët që me siguri se nuk do ta kalonin Vettingun, kjo e ndihmon shumë pastrimin e institucioneve nga ata që nuk duhet të jenë aty, prandaj një Vetting i tillë bëhet domosdoshëm për drejtësinë kosovare, por që nuk do të mund të dërgohet deri në fund, nuk do ta prodhojë efektin e dëshiruar dhe të kërkuar, nëse nuk zhvillohet me mbikëqyrje të fuqishme të ekspertizës ndërkombëtare, nën mbikëqyrjen e FBI-së amerikane. Vetëm atëherë është e pritshme që procesi i tillë do të jepte rezultate në pastrimin e drejtësisë kosovare", theksoi ai për "Kosova Sot". Kelmendi beson se në mesin e tyre ka të tillë që vullnetarisht do të provonin të ikin nga VETTING-u, pasi janë të vetëdijshëm për përfshirje në krim të organizuar, se janë të korruptuar dhe kanë bërë trafikimin e drejtësisë dhe kështu janë bërë pjesë e rrjeteve kriminale.

Konflikti i interesit, dukuri alarmuese

"Konflikt është edhe emërimi i zyrtarëve policorë në detyra të ndryshme në institucionet e pavarura, e pastaj kthimi i tyre në polici", tha Hasan Preteni për "Kosova Sot

Ish-kreu i Agjencisë Antikorrupsion, Hasan Preteni, thotë se VETTING-ut duhet t'i paraprijë reforma në sistem, duke ndaluar me ligj lidhjen e marrëdhënies së punës në disa institucione, për zyrtarët e sistemit të drejtësisë."Veprimet e tyre kanë shumë situata të konfliktit të interesit, mbrëmë kolegët tuaj gazetarë raportuan se edhe prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë po i heton zyrtarët e IPK-së, për pranim të jashtëligjshëm të inspektorëve, e në mesin e të pranuarve është mu djali i këtij prokurori. Pra drejtësi se jo mahi, konflikt interesi është edhe emërimi i kryeprokurorit në vend të kryetarit të provimit të Jurisprudencës", tha Preteni për "Kosova Sot".

"Pa një Vetting total në drejtësi dhe pa konfiskimin e pasurive të miliarderëve dhe të milionerëve të paligjshëm, ne si shtet do të jemi gjithmonë shtet karikaturë dhe shtet joserioz", tha Naim Miftari për "Kosova Sot"

 Ndërkohë, njohësi i kësaj fushe, eksperti Naim Miftari kujton një thënie nga Ante Bruno Bushiq, disident kroat, i vrarë në Paris në vitin 1978 nga shërbimi sekret jugosllav UDB."Secili gjatë shekujve na ka vjedhur e plaçkitur, por më e tmerrshme do të jetë kur të na vjedhin këta tanët, dhe kur t'ia shesim pasurinë tonë rrotave të s'amës nga e gjithë bota dhe makro- vjedhësve. Do të vërsulen kundër nesh sikur shpendë grabitqarë. Atëherë pyetja më e madhe dhe më e pazgjidhshme do të jetë: - si të shpëtojmë nga njerëzit tanë", e citon Miftari Bushiqin."Vetting-u i përgjithshëm dhe serioz, i përkrahur nga SHBA-ja, është i vetmi shpëtim i mundshëm nga kjo gjendje, ku shteti dhe organet e tij janë në dorë të mafisë dhe oligarkëve të pushtetarëve të korruptuar. Fatkeqësisht, kjo ka ndodhur edhe me ndikimet korruptive të disa ndërkombëtarëve, por edhe të disa ambasadorëve, që në vendin tonë vijnë dhe e shfrytëzojnë për t'u pasuruar personalisht", vlerësoi ai për "Kosova Sot.

Ndëshkimit askush të mos i shpëtojë

Sipas analistit Skënder Kapiti, VETTING nuk do të thotë vetëm largim nga drejtësia, nga prokuroria dhe nga gjykata e individëve me rekorde krimi, pra largim nga puna dhe zëvendësim të tyre prej të tjerëve."Në qoftë se është vetëm ky qëllimi i VETTING-ut, pra i cili përjashton dënimin dhe ndëshkimin ligjor vetëm pse vetë largohesh nga VETTING-u, kjo do ta komprometonte rëndë VETTING-un, pasi edhe prurjet e reja në drejtësi do ta vazhdonin avazin e atyre që zëvendësojnë, për abuzimin me drejtësinë dhe me ligjin. Nuk duhet të ndodhë me VETTINGun vetëm fenomeni i zëvendësimit, ashtu sikurse ndodhi në Shqipëri dhe në Kosovë pas rënies së komunizmit, ku pati vetëm zëvendësim dhe ndërrim xhaketash e kollaresh, por vazhdoi në politikë e njëjta kastë dhe e njëjta fizionomi pushteti, pra vetëm se pushteti sa e zëvendësoi pushtetin dhe askush nuk u ndëshkua për krimet e komunizmit", theksoi ai."Kjo nuk duhet të ndodhë me reformën në drejtësi, ku vetëm të ketë zëvendësim, pra ku të ikë njëra palë dhe të vijë një palë tjetër gjyqtarësh dhe prokurorësh për të abuzuar, për të vjedhur e për të grabitur me ligj duke spekuluar dhe duke manipuluar me drejtësinë. Kjo me sa duket ka bërë që qytetarët të jenë akoma mosbesues derisa të shohin në pranga gjyqtarët e prokurorët, por jo vetëm ata, por edhe politikanët, kryeministra e ministra, deputetët e kryetarë bashkosh në bankën e të akuzuarve, ata të cilët kanë mbi shpinë rekorde kriminale e korruptive", tha Kapiti për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)