VETTING-u mund t'i zbrazë gjykatat e prokuroritë në Kosovë

  • 25 February 2018 - 07:40
VETTING-u mund t'i zbrazë gjykatat e prokuroritë në Kosovë

PASTRIMI I INSTITUCIONEVE NGA TË INKRIMINUARIT

Kapiti:VETTING-u është detergjenti ligjor që do ta pastronte drejtësinë në Kosovë prej këtij llumi shumë të ndotur

Duke parë së fundi rezultatet e zbatimit të modelit të Vetting-ut në Shqipëri , del se sipas disa të dhënave të përafërta, rreth 57 për qind e gjyqtarëve nuk e kaluan procesin për t'u rikonfirmuar gjyqtarë, sepse ata nuk ishin në gjendje që ta arsyetojnë pasurinë dhe prejardhjen e saj. Pra, në Shqipëri Vetting-u i jep rezultate të njëjta edhe prokurorinë dhe besohet se edhe në polici situata do të jetë e njëjtë. Kjo është edhe një arsye më shumë që i njëjti model, ose diçka i ngjashme të ndërtohet e të zbatohet edhe në Republikën e Kosovës. Ekspertët e kësaj fushe, analistët politikë dhe deputetë të subjekteve të ndryshme theksojnë se po të zhvillohej sot Vetting-u në Kosovë do të prodhonte një situatë të ngjashme, apo mbase është më alarmante se ajo në Shqipëri. Tani frika nga tërmeti që mundë të ndodhë, sipas gjykimeve është një nga arsyet pse drejtësia kosovare po vazhdon të jetë akoma refuzuese ndaj një zhvillimi të tillë dhe po vazhdon ta degradoj sistemin me këta gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët janë pjesë e sistemit të inkriminuar politik dhe krimit të organizuar. Kjo është një nga arsyet, sipas analistëve, pse KGJK-ja dhe KPK-ja po hezitojnë ta bëjnë një pastrim të parë ose paraprak, para një VETTING-u tepër të domosdoshëm, të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk kanë profesionalizëm dhe nuk kanë pasur performancë dhe po iu shërbejnë politikës dhe nëntokës kriminale e në dëm të qytetarëve.

"Peshku qelbet nga koka"

Analisti Skënder Kapiti thotë se KGJKja dhe KPK-ja në Kosovë nuk mund ta bëjnë pastrimin e prokurorëve dhe të gjyqtarëve të sistemit të drejtësisë në Kosovë, sepse ata vetë duhet të jenë të parët që duhet të largohen nga sistemi i drejtësisë. "Nuk ka pastrim dhe as VETTING pa filluar nga lart, sepse kështu thotë edhe një fjalë e urtë në Shqipëri, "se peshku qelbet nga koka", dhe aq më keq akoma kur këta 'peshq' të drejtësisë dhe të politikës në Kosovë janë "peshqit e mëdhenj" dhe kjo do të thotë se shiko se sa shumë e kanë degraduar ambientin politik, të drejtësisë dhe të shoqërisë, me vjedhje, me krime, me korrupsion e me lloj-lloj poshtërsish. VETTING-u është detergjenti ligjor që do e pastronte drejtësinë në Kosovë prej këtij llumi shumë të ndotur", u shpreh ai. "Po të zhvillohet një VETTING sot në Kosovë shumë pak do të ishin ata të cilët do t'i mbante sita e VETTING-ut në sistemin e drejtësisë. Një diplomat i BE-së në Tiranë pati deklaruar gjatë përpjekjeve të tyre për miratimin e VETTING-ut se aq shumë ka degraduar drejtësia në Shqipëri sa që duhej dhe do të ishte e mira që të dëboheshin nga drejtësia të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe sistemi të organizohej nga e para. Në këtë gjendje aspak më mirë nuk është realiteti as në Kosovë", tha Kapiti për "Kosova Sot". Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit në Kosovë, Hasan Preteni, thotë se të gjithë ata që e duan një dhe punojnë për këtë vend do të gëzoheshin për një "Vetting kosovar". "Konsideroj se shumë prej tyre nuk do të konkurronin fare për pozitat që i ushtrojnë deri tani ndër vite. Pasuria e pajustifikueshme publike që shihet ashiqare nuk është i vetmi problem, problem për ta është edhe pasuria e pajustifikueshme, por që është e regjistruar në emër të personave të tjerë. Problemi tjetër është edhe tek lidhjet e shumicës së tyre me biznesin, me firmat e mëdha dhe menaxherët e shkollave private. Pastrimit duhet t'i nënshtrohen edhe mekanizmat e tjerë të policisë dhe titullarët e institucioneve të pavarura. Lidhja e tyre me politikën do të dekonspirohej shpejt, do të fillonte me një "ortek"të vogël e pastaj nuk ka kush ta ndalë", theksoi ai për "Kosova Sot".

Sistemi i inkriminuar

Sipas Naim Miftarit, pas Vetting-ut në Shqipëri po del që afër 60% të gjyqtarëve shqiptarë po dalin se janë të pasuruar kundërligjshëm, pasi nuk po munden t'i arsyetojnë pasuritë e tyre, prandaj që në rastin e parë të fillimit të zbatimit të VETTING-ut në Kosovës e njëjta do të ngjante edhe në institucionet e Kosovës, si në politikë dhe në prokurori, sepse kjo po shihet edhe tek institucionet përkatëse të Shqipërisë. "Dhe kur e mendoj dhe krahasoj Kosovën me Shqipërinë, po të ndodhte një Vetting serioz amerikan në Prishtinë, jam shumë i sigurt se afër 90% të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të dilnin të korruptuar dhe të përzier në krimin e organizuar ekonomik dhe politik. Kjo do të vlente për shumicën edhe në polici. Madje edhe vetë KGJK-ja dhe KPKja, zyrtarët e këtyre institucioneve, do të dilnin të korruptuar deri në një, sepse këto institucione po përdoren vetëm për t'ia mbuluar dështimin dhe keqpërdorimin e drejtësisë selektive", potencoi ai. "Dhe një Vettingu serioz po t'i shtohej edhe një superverifikim tjetër i korrektësisë zyrtare dhe shtetërore, edhe me detektor të gënjeshtrave, rrenës, në drejtësi, polici dhe agjenci e inteligjencës - AKI, jam i sigurt se do të kalonte mbi 90% të zyrtarëve shtetërorë që do të dilnin me defekte, të korruptuar apo njerëz që bëjnë qëllimisht shkelje të ligjit dhe janë edhe vetë pjesë e mafisë dhe krimit të organizuar", tha Miftari për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)