Ministri kosovar u shantazhua me video seksi

  • 09 March 2018 - 07:49
Ministri kosovar u shantazhua me video seksi

DREJTËSIA PËRDORET PËR LUFTIMIN E RIVALËVE POLITIKË

Spahiu: Njerëzit në funksione nuk dënohen, dosja shërben vetëm për shantazh. Domethënë, bëje politikën sipas qejfit tonë ose të hoqëm nga pozita dhe pason burgu 

"Një shembull real si funksionon kjo është edhe ky rast: është një ish-ministër i Kosovës, që ishte filmuar fshehtas në 'Aleksandër Pallas' të Shkupit duke kryer marrëdhënie intime me një këngëtare nga estrada e Kosovës, edhe pse ministri ishte dhe është i martuar, dhe tash gati gjatë një dekade ky ish-ministër është shndërruar në një zombi, një argat i detyruar për njërën parti, edhe pse i takon partisë tjetër, parti opozitare sot", theksoi eksperti i fushës së sigurisë, Naim Miftari, për "Kosova Sot" 

Kapja e rëndë e shtetit nga strukturat e parapolitikës dhe krimit të organizuar, që është shtresuar në Kosovë për këto 20 vjet, sipas analistëve politikë dhe ekspertëve të sundimit të ligjit, po hetohet edhe nga rivaliteti i ashpër i grupeve dhe klaneve mafioze e politike, të cilat, të lidhura me nëntokën kriminale dhe politikanët e caktuar, po i përdorin nëntoka kriminale dosjet për shantazhe me qëllim që të arrijnë diku në një segment të caktuar të pushtetit, e jo për ta zbardhur drejtësinë e mirë- filltë në funksionalizimin e shtetit ligjor. Madje, sipas njohësve të kësaj fushe, thuhet se nga ky lloj virusi janë të kapur edhe prokurorët e gjyqtarët, një pjesë e madhe e të cilëve janë të ndikuar nga politika dhe nëntoka kriminale, e cila i shantazhon ata edhe me dosje, po qe se vetëm pak ngrenë krye në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, që po e udhëheqin politikanët e inkriminuar bashkë me mafio-oligarkët e kriminalizuar. Prof. Nexhmedin Spahiu thotë se kjo është vetëm një nga trashëgimitë më të mbrapshta që na ka lënë sistemi komunist, dhe tani po përdoret edhe në demokraci. "Kjo është pasojë e një drejtësie të sistemit të kaluar. Për të qenë i dënuar nga gjyqet e sistemit komunist njëherë është dashur te përjashtohesh nga partia e pastaj të dënohesh. Derisa ke qenë në pozitë nuk ka pasur prokuror që të bën aktakuzë apo gjykatës, bir nëne, që të dënon. Tani, kjo mendësi është trashëguar. Njerëzit në funksione nuk dënohen, dosja shërben vetëm për shantazh. Domethënë, bëje politikën sipas qejfit tonë ose të hoqëm nga pozita dhe pason burgu", tha Spahiu për "Kosova Sot".

MIFTARI: MAFIA POLITIKE, PËRMES DOSJEVE, KONTROLLON TËRË POLITIKËN

Këtë lloj abuzimi e sheh si veprim shumë kriminal edhe eksperti i fushës së sigurisë Naim Miftari."Është fakt i pamohueshëm që në Kosovë nëntoka dhe qarqet politike janë bashkë dhe përbëjnë krimin e organizuar dhe përpos luftës për përfitime materiale ata kujdesen dhe luftojnë non-stop kundër rivalëve politikë nga partitë kundërshtare, ndonjëherë madje edhe kundër vetë kolegëve të vet politikë dhe mafiozë, vetëm e vetëm për të dominuar grupi i caktuar i interesit. Dhe, shpeshherë keqpërdoren dosjet për t'i shantazhuar kundërshtarët e vet, me dosjet e gjyqësisë, me dosje të policisë dhe deri në AKI, ku mafia politike, përmes dosjeve, kontrollon tërë politikën dhe rendin shtetëror", u shpreh ai."Një shembull real si funksionon kjo është edhe ky rast: është një ish-ministër i Kosovës, që ishte filmuar fshehtas në "Aleksandër Pallas" të Shkupit, duke kryer marrëdhënie intime me një këngëtare nga estrada e Kosovës, edhe pse ministri ishte dhe është i martuar dhe tash gati gjatë një dekade ky ish-ministër është shndërruar në një zombi, një argat i detyruar për njërën parti edhe pse i takon partisë tjetër, parti opozitare sot", theksoi Miftari."Edhe kur policia edhe prokuroria bien në gjurmë të njëjta dhe kur gjërat janë serioze, në vend të veprimit ligjor dhe masave ligjore ata thërrasin shefat e vet që jashtë institucionit dhe ligjit e zakonisht janë shefat nga politika nga sistemet parapolitike për t'i konsultuar. Dhe, kur dosja është e rëndë dhe ka të bëjë me kundërshtarë apo edhe me njerëzit nga rangu i të njëjtit krah politik, ato dosje fshihen, kopjohen, kopjohen edhe përgjimet dhe faktet, ruhen dhe vetëm kur t'u duhen pastaj për qërim hesapesh ose për shantazh të caktuar aktivizohen, zbulohen nga sistemet parapolitike dhe të mafisë", tha Miftari për "Kosova Sot".

KELMENDI: SA HERË GJYQTARËT APO PROKURORËT PRIREN PËR TA LUFTUAR KRIMIN E ORGANIZUAR, ATA SHANTAZHOHEN NGA MAFIO- OLIGARKËT E KRIMINALIZUAR

Sipas analistit politik Naim Kelmendi, kjo lloj lidhje kriminale e bërjes së politikës dhe ndarjes së drejtësisë me shantazhe, ka bërë që qytetari ta humbë besimin sa në politikë, por edhe më tepër në drejtësi. "Derisa kjo drejtësi është e kapur nga krimi dhe nëntoka kriminale, pastaj edhe i shantazhon vetë ata me dosje, nëse ata ngrenë krye për të luftuar krimin dhe korrupsionin, pra duke qenë të kapur nga politika e inkriminuar dhe mafio- oligarkët, ata janë të pafuqishëm të jenë të përgjegjshëm në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit,e të cilat i udhëheqin politikanët e inkriminuar bashkë me mafio-oligarkët e kriminalizuar", u shpreh ai për "Kosova Sot". Sipas Kelmendit, sa herë gjyqtarët apo prokurorët priren për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mbase ata shantazhohen nga mafio- oligarkët e kriminalizuar. "Shantazhi është shndërruar edhe në mjet për të arritur qëllimet kriminale jo vetëm në drejtësi, por gjithashtu edhe në politikë e gjithandej në institucionet e shtetit, që fatkeqësisht janë të kapura nga krimi i organizuar dhe korrupsioni", tha Naim Kelmendi për "Kosova Sot" 

Lidhja kriminale politikë-drejtësi

Analisti politik Hidajet Ahmeti thotë për "Kosova Sot" se dhuna psikologjike ndaj rivalëve politikë është bërë standard dhe mjet i punës në disa institucione të rëndësishme publike. Sipas tij, kjo logjikë e funksionimit përmes kërcënimit, shantazhit e presionit ka funksionuar dhe ka mbetur gjallë një pjesë e politikanëve me ndikim në skenën politike në Kosovë. "Kjo 'strategji' politike në njërën anë përdoret për shpërqendrimin e opinionit publik nga problemet reale. Kurse, në anën tjetër përmes shantazhit ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve i kanë bërë amnistimin e përkohshëm klientelës së tyre politike nga korrupsioni, krimi i organizuar, e me një fjalë nga keqpërdorimet e pasluftës me pozitat zyrtare. Kjo 'strategji' politike përmes rrugës së shantazhit mban pezull çdo shpifje, e cila konsiderohet pjesë e shantazhit, dhe gjithë opinionin publik orienton kah shpifjet që bëhen, duke shpërqendruar nga problemet reale që i përtojnë çdo ditë", potencoi ai. "Po të kishim një sistem të drejtë- sisë të pavarur, objektive, me integritet të lartë intelektual e moral,çdo deklaratë publike e çdo politikani, zyrtari apo edhe qytetari të rëndomtë, e cila në vete mbart elemente të dhunës psikologjike, duhet të ishte pjesë e hetimeve nga Prokuroria e Shtetit. Kjo është rruga ligjore, demokratike, e cila do të stoponte këtë mënyrë të funksionimit të partive politike", tha Hidajet Ahmeti. Sipas njohësit të zhvillimeve politike në vend, por edhe njohësi i fushës së të drejtës Blerim Burjani, lufta me dosje dhe shantazhe për qëllime të caktuara, nuk është ndonjë risi."Më herët në dosjen e ministrave dhe zyrtarëve politikë në PDK, njerëzit kanë kryer punë për shefin, dhe kurrë jo nuk i kanë thënë, e tash ballafaqohen me drejtësinë dhe i lënë në 'lloç'. Janë raste të shumta të kësaj natyre, kur shefat e partive kanë kërkuar nga zyrtarë politikë për të kryer punë dhe në fund i kanë lënë vetëm nëpër procese gjyqësore. Ka shumë raste të tilla, ende edhe të pazbardhura, rasti Hade dhe rasti Grabovci, raste që janë ende në gjykim nga gjykatat, e që në çdo situatë paraqesin lëndimin e drejtë- sisë", u shpreh ai. "Shefat japin poste, sikur tash që s'po ka konsensus se kush të bëhet drejtor i PTK-së, për shkak të buxhetit që ka, e dihet mirë- filli që secili drejtor i PTK-së i dikurshëm është nën hetime, sepse ishin të gjithë zhvatës, që kanë punuar për shefat dhe asnjëri prej tyre nuk ka dhënë akoma përgjegjësi penale", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot".  

PRETENI: TË SHANTAZHUAR JANË ELITA POLITIKE, TITULLARËT E INSTITUCIONEVE, POLICË, GJYQTARË DHE PROKURORË

Ekzistimin e këtij fenomeni kriminal e pohon edhe ish- kreu i Agjencisë Antikorrupsion Hasan Preteni. "Kosova që nga pas lufta udhëhiqet nga njerëz pa dinjitet, pa integritet dhe të shantazhuar. Informacionet që i kanë njëri për tjetrin përdoren vetëm për t'i shantazhuar ata në momentet kur u rrezikohet pozita dhe pasuria. Ata janë zyrtarët me shumë mangësi, e që bëjnë shumë kompromise, zyrtarët që e shitën fytyrën dhe nderin për të fituar pasurinë, e me atë pasuri nuk mund të blejnë kënaqësinë. Tani, ato pasuri dhe privilegje po i ruajnë me dhunë dhe shantazh. Të shantazhuar janë elita politike, titullarët e institucioneve, policë, gjyqtarë dhe prokurorë. Jemi dëshmitarë në baza ditore, që sidomos gjatë fushatës parazgjedhore i shpalosin të zezat e kundërshtarëve, por menjëherë pas zgjedhjeve hyjnë në koalicione me ta", theksoi ai për "Kosova Sot".

(Kosova Sot)