Dialogu i të shantazhuarve RREZIKON KOSOVËN

  • 13 March 2018 - 07:55
Dialogu i të shantazhuarve RREZIKON KOSOVËN

PRAPASKENAT E BISEDIMEVE ME SERBINË

Me këta liderë, vendi mund ta pësojë sërish

"Këto parti tona 'mjerane" të Kosovës e bënë Vuçiqin si njeriun me fuqinë më të madhe në shtetin e Kosovës dhe kjo fuqi e tij në petkun diplomatik e ka sjellë edhe idenë për ndarjen e Kosovës, në një 'marrëveshje historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve' natyrisht duke pasur edhe mbështetjen edhe tek pushtetarët e Kosovës, të cilët për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale e japin çdo gjë, bile edhe duke hyrë pazareve të pista", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Derisa presioni ndërkombëtar po vazhdon ditë-ditës, që të mos zvarritet, por të vazhdohet me një intensitet më dinamik dhe më frytdhënës dialogu me palën serbe, analistët politikë në vend konsiderojnë se situata në të cilën gjendet vendi, shkuarja pothuajse huq e gjithë të kaluarës së deritanishme të bisedimeve, nga të cilat nuk përfitoi Kosova, por vetëm shteti serb, dhe dalja tani në sipërfaqe, në tavolinë e disa projeksioneve të reja për versionin e të ashtuquajturës marrëveshje historike e bënë ta pakuptimtë dhe të dëmshëm vazhdimin e dialogut me Serbinë, pa pasur konsensus mes partive në Qeveri dhe në Parlament. Mirëpo pengesë në përpjekjen e arritjes së konsensusit nacional, analistët politikë, tani e shohin faktin që në skenën politike dhe në qeverisjen e vendit kemi kryesisht liderë të shantazhuar e të kompromentuar skajshmërisht, për çka edhe tani po rrezikon të kthehet sërish në tryezat e ndërkombëtarëve tema e ndarjes së Kosovës. Sipas njohësve të zhvillimeve të deritanishme në këtë proces rreziku ekziston dhe është serioz që të ndahet Kosova, me fajin e tërë kësaj klase politike të korruptuar, si në pozite,ashtu edhe në opozitë, ngase këta nuk janë të gatshëm të ulen e të bisedojnë shtruar për interesat nacionale, por janë të çmendur në vrapin gjithnjë pas marrjes së pushtetit me çdo çmim dhe zhvatjes se milionave me dhe për mafio-oligarkët politikë dhe nëntokën kriminale, prandaj kjo klasë politike e ka sjellë shtetin e Kosovës para rrezikut të ndarjes e tkurrjes, duke e nxjerrë si gjithnjë si humbëse në raport me Serbinë. Analistët theksojnë se përderisa partitë politike kosovare, si në pozitë, ashtu edhe në opozitë, si në nivelin qendror, ashtu edhe në komuna, të vetmin preokupim e kanë vjedhjen dhe zhvatjen e qindra milionave eurove dhe që të punojnë ekskluzivisht për interesa të nëntokës dhe mafio-oligarkëve, Aleksandër Vuçiqi jo vetëm që arriti të bëhet lider i pakontestueshëm në Serbi,por tani me 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës, 10 kryetarë komunash dhe fuqinë brenda Qeverisë 'Haradinaj', do të synojë të kapitalizojë drejt planit të tij të ardhshëm - ndarjen definitive të Kosovës!

Liderët e shantazhuar

Sipas analistit Bislim Aliu, që nga fillimi i dialogut të Kosovës me Serbinë, nuk ka pasur fare kuptim të dialogohet, meqë ka munguar konsensusi mes partive në Qeveri dhe në Parlament."Edhe tani po vazhdon e njëjta 'këngë" e moskuptimit në mes partive me që mungon konsensusi në mes partive. Pra, nuk jemi unikë dhepër këtë po na mungon serioziteti partiak për bisedime. Në anën tjetër, është vështirë të arrihet konsensusi me liderë që janë të shantazhuar dhe të kompromentuar skajshmërisht. Dhe, mu për këtë, na paraqitet një rrezik i madh, meqë mund të kthehet sërish në tryezën e ndërkombëtarëve tema e ndarjes së Kosovës!", u shpreh ai."Ky rrezik i ndarjes së Kosovës na paraqitet me fajin e tërë kësaj klase politike të korruptuar, si në pozitë ashtu edhe në opozitë, të çmendur për ta marrë pushtetin me çdo kusht e me çdo çmim dhe të zhvatjes të miliona eurove, për mafio-oligarkët politikë dhe nëntokës tejet të kriminalizuar. Pra, është kjo klasë politike që e ka sjellë shtetin e Kosovë para një rreziku të madh të ndarjes së Kosovës dhe për këtë arsye Kosova në këtë proces përherë ka qenë humbëse karshi Serbisë. Përderisa partitë tona politike, si në nivelin qendror, po ashtu edhe në atë lokal, ata të gjithë e kanë qëllimin e njëjtë që sa më shumë të zhvatin dhe të vjedhin miliona euro dhe pandalshëm, të punojnë për interesa personale dhe të nëntokës kriminale", vijoi më tej Aliu."Në këtë situatë, Vuçiqi jo vetëm që u bë lider i pakontestueshëm në Serbi, e tani me 9 deputetë në Kuvendin e Kosovës dhe me 10 kryetarë komunash u bë fuqi brenda Qeverisë 'Haradinaj', e ata synojnë që me planin e tyre edhe ndarjen definitive të Kosovës! Tani është fakt që Lista Serbe, një pakicë, do të udhëheqë në katër vitet e ardhshme në 10 komuna të Kosovës dhe kjo vetëm sa e dëshmon kapitullimin më të madh të shtetit të Kosovës, meqë këto parti tona 'mjerane' të Kosovës e bënë Vuçiqin si njeriun me fuqinë më të madhe në shtetin e Kosovës dhe kjo fuqi e tij në petkun diplomatik e ka sjellë edhe idenë për ndarjen e Kosovës, në një "marrëveshje historike ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve" natyrisht duke pasur edhe mbështetjen edhe tek pushtetarët e Kosovës, të cilët për t'i shpëtuar Gjykatës Speciale e japin çdo gjë, bile edhe duke hyrë pazareve të pista", tha Aliu për "Kosova Sot".

Presidenti duhej shkarkuar

Të papërgatitur në interesin nacional dhe mbrojte të interesave vitale të shtetit të ri të Kosovës e sheh dialogun e deritanishëm me Serbinë dhe tendencën e vazhdimit të tij nga të njëjtit aktor edhe analisti Gani Qarri."Bisedimet e deritanishme me Serbinë ishin dhe mbetën aq të pabarabarta, të paqarta dhe nënç- muese për Kosovën, saqë jo vetëm e dëmtuan shumë perspektivën e shtetit tonë, por ngulfatën tërë jetën politike dhe shtetërore në vend. Dialogu i deritanishëm tërësisht jo-transparent dhe skajshmërisht i paqartë e konfuz, si për rezultatin ashtu edhe për fundin e paditur të tij, bllokoj plotësisht hapat edhe ashtu të vegjël të Kosovës dhe ndihmoi ecjen kolosale përpara, vetëm të Serbisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian", ka theksuar ai."Duke pasur parasysh faktin se në krye të palës kosovare për bisedimet me Serbinë ende qëndrojnë njerëz të shantazhuar si Hashim Thaçi, që në fillim këto negociatat nisën nga një pozicion tejet nënçmues për vendin dhe aspak premtues për Kosovën. Për aq më keq, Hashim Thaçi si politikani më i përfolur kosovar, përveç jotransparencës së skajshme, bëri edhe koncesione të dhembshme për vendin, duke zvetënuar keq e më keq edhe Pavarësinë shtetit tonë të brishtë", tha Gani Qarri për "Kosova Sot". Sipas tij, pasi që për popullin e Kosovës në krejt këtë histori të bisedimeve shumica e marrëveshjeve mbeten të panjohura dhe nuk janë realizuar plotësisht asnjëherë nga shteti serb, para të cilit Hashim Thaçi bëri koncesione të palejueshme, ai do duhej të ishte shkarkuar qëmoti." Për këto dhe veprime tjera të dyshimta, ai jo vetëm që do duhej shkarkuar me kohë nga të gjitha postet shtetërore e politike, por çfarëdo qoftë fuqia dhe pozita e tij ai do duhej të thirrej edhe para përgjegjë- sisë juridike e penale, për sqarimin ligjor të veprimeve të deritanishme të dyshimta", potencoi më tutje ai. Vazhdimi i pakuptimtë i dialogut dhe bisedimeve amorfe me Serbinë, sipas Qarrit, nuk mund të mbahen gjallë edhe më tej në mënyrë artificiale, vetëm për shpëtimin e liderëve të diskredituar të Kosovës, duke dëmtuar edhe interesat e shtetit.

Konsensusi i bandave politike

"Liderët e Kosovës qysh kur i uzurpuan majat e politikës dhe pushtetit vendor, jo vetëm se ngulfatën gjithë jetën në vend dhe shkaktuan aq dëme të pariparueshme perspektivës së qytetarëve, por për të shpëtuar veten, të njëjtit po kërcënojnë hapur dhe në mënyrën më serioze, shtetndërtimin, integritetin territorial të vendit, ndarjen e shtetit dhe pavarësinë e Kosovës", tha Gani Qarri për "Kosova Sot"

Analisti politik Reshat Badallaj tha për "Kosova Sot" se dialogu Kosovë-Serbi pa konsensuesin e "bandave politike" në Kosovë jo vetëm që nuk ka kurrfarë kuptimi, por kjo nuk është asgjë tjetër pos humbje kohe."Kjo nuk ka mundësi të arrihet assesi edhe pse këta banda nuk janë përfaqësues të popullit për të cilën ja kanë dhënë votën, secila bandë që vjen në pushtet marrin dhe e ndërrojnë ekipin si t´iu teket atyre dhe në bisedime shkojnë grup i madh që as vrasin mendjen se sa kushtojnë. Natyrisht se nuk vrasin mendjen, sepse kjo bandë nuk harxhon parat e xhepit, por paratë e taksapaguesve", u shpreh ai."Evropa dhe bota është duke parë jo seriozitetin e këtyre bandave politike në Kosovë dhe ka të ngjarë që serish me fajin e këtyre bandave të fusin në lojë ndarjen dhe prerjen me gërshërë hartash të territorit të Kosovës. Janë joseriozë, të korruptuar deri në fyt, jo të përgatitur. Poenta kryesore e këtyre bandave politike nuk është kjo, por marrja e pushtetit, frika e madhe në palcë, se mos po e humbnin pushtetin dhe pastaj nuk kanë mundësi këta bashkë me mafio-oligarkët të vjedhin Kosovën dhe të pasurohen me hajni", theksoi Badallaj.

"Kosovës tani më shumë se kurrë i nevojitet një platformë e qartë politike, e cila duhet të nxirret, të diskutohet dhe miratohet në Kuvend, të analizohet aty dhe prej Kuvendit të dalë vendimi përfundimtar, ku më pastaj do të krijohet edhe një grup punues ku do të marrin pjesë të gjithë përfaqësuesit e spektrit politik, pozita dhe opozita, Qeveria e Presidenca, pra të gjitha institucionet së bashku, dhe mbi bazën e këtij organizimi të fillohen edhe bisedimet e reja me palën serbe", tha Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Ndërsa profesor Muhamet Kelmendi tha se bisedimet me palën serbe tani, pasi që Kosova e ka shpallur pavarësinë e vet dhe është shtet i pavarur dhe sovran, nuk do të duhej të zhvilloheshin nëse parimisht nuk plotësohen disa nga kushtet bazike, që janë të domosdoshme dhe të njohura edhe në praktikën e marrëdhënieve ndërkombëtare."Rregulla më elementare e këtij raporti është ajo e reciprocitetit të ndërsjellët shtetëror. Me këtë nënkuptohet që çështjet të cilat Kosova i ka në interes të vetin vital, ato duhet të rregullohen brendapërbrenda Kosovës dhe të njëjtat vlejnë edhe për shtetin serb, që problemet e veta të brendshme t'i rregullojë brendapërbrenda shtetit të vet dhe kështu vetëm sa mund të bashkëveprojnë dhe bashkëndihmohen reciprokisht si dy shtete të pavarura dhe sovrane të njohura reciprokisht. Nëse Kosova nuk iu përmbahet këtyre parimeve, nëse nuk e respekton dhe njeh veten si shtet të pavarur dhe sovran, por pranon të vazhdojë dialogun, bisedimet si deri më tash pa kushte, e ku natyrisht që Kosova po bëhet si objekt kryesor i diskutimit dhe që pas humbjes së luftës së fundit nga ana e Serbisë po e shndërron atë në subjekt dhe në faktor dominues në të gjitha çështjet ndërkombëtare edhe për çështjen e Kosovës, edhe tek pranimi apo mospranimi në organizmat ndërkombëtarë, të ruajtjes së tërësisë territoriale dhe të sovranitetit të brendshëm dhe kjo për mendimin tim është e dëmshme dhe nuk shkon për Kosovën", potencoi Kelmendi për "Kosova Sot". 

Duhet një platformë nacionale

"Është momenti kritik dhe historik kur Kosovës dhe klasës politike u duhet shumë vëmendje në këtë proces të ri bisedimesh, të jenë të kujdesshëm dhe të veprojnë me mençuri e përkushtim të vetëm për shtetin dhe qytetarin", tha Ali Hertica për "Kosova Sot" 

Analisti politik Ali Hertica ka pohuar se kushtet e tanishme dhe rrethanat që gjendet sot shteti i Republikës së Kosovës është duke përjetuar humbjen serioze në planin nacional e ndërkombëtar, për fajin e papërgjegjësisë politike, të koalicioneve joparimore dhe të subjekteve politike dhe liderëve të tyre autoritarë e lakmitarë. Në këtë rrafsh, sipas Herticës, po manovron rrezikshëm në dëm të Kosovës edhe një pjesë e theksuar e vetë faktorit ndërkombëtar që gabimet e palës kosovare po shfrytëzon për politikën e kahershme antishqiptare. "Kosova tani më po rrezikohet sa nga ana e liderëve politikë, sa edhe nga vetë faji i projekteve të fshehta ndërkombëtare për deshqiptarizimin e Kosovës, por edhe për fajin e klasës politike pa asnjë dallim, pra edhe të opozitës. Tani më shumë se kurrë mendoj që duhet të këndellet kjo klasë politike që të rreshtohet në një platformë të fuqishme nacionale, të debatuar e miratuar në Kuvendin e Kosovës nga të gjitha subjektet politike", theksoi ai për "Kosova Sot".

"Hashimi për të shpëtuar veten nga Gjykata Speciale besoj se mund të bëjë ndonjë marrëveshje në dëm të vendit. Kosova po rrezikon shumë, ndërsa veriu i vendit është më i rrezikuar, si vend që edhe ka pasurinë më të madhe nëntokësore të Kosovës. Jo kot Serbia e kërkon atë pjesë, të cilën Hashimi me Ramushin nuk e kanë problem t"ia falin Serbisë, vetëm që ta shpëtojnë veten", tha Faton Mehmeti për "Kosova Sot"

Kurse analisti Faton Mehmeti konsideron se fatkeqësisht, qysh në fillim është pretenduar që dialogu me Serbinë të privatizohet për interesa personale të udhëheqësve të vendit, prandaj ka filluar pakonsensus nacional dhe pa platformë."Uria për të qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes iu kanë verbuar edhe arsyen, duke bërë që pala shqiptare e Kosovës të dalë shumë e papërgatitur dhe qesharake në këto bisedime. Për më keq edhe ka dalë e humbur, me dështime të cilat po bien mbi kurrizin e qytetarëve të ndershëm të këtij vendi. Kjo ka bërë që të fuqizohet Lista Serbe, e cila tashme po udhëheq me 10 komuna në vend dhe rrjedhimisht është shndërruar në faktorin kryesor në qeverinë 'Haradinaj'. Kjo gjë do t'i mundësojë që Serbia të realizojë synimet e saja ekspansioniste për të ndarë vendin, fillimisht me komuna të vogla e të cilat në mënyrë zinxhirore do të lidhen me Beogradin. Kompetencat e këtyre komunave pritet të shtohen si favore ndaj Listës Serbe, për të votuar demarkacionin e që rrjedhimisht Kosova humb në të dyja anët, si në territor si në shtim të kompetencave të serbëve në enklavat e tyre", u shpreh ai. "Ndërsa ndarja e Kosovës besoj se është shtruar edhe në bisedimet në Bruksel, për çka dyshoj se Hashimi ka bërë ndonjë marrëveshje të fshehtë, e cila rrezikon Kosovën që të ndahet", vlerëson Mehmeti për "Kosova Sot". Sipas tij, presidenti dhe kjo klasë politike për interesa të veta është në gjendje të bëjë çdo gjë. 

(Kosova Sot)