Qarri:Mafia përmbi ligjin

  • 14 March 2018 - 12:17
Qarri:Mafia përmbi ligjin
Analisti Gani Qarri po ashtu thotë se Kosova ka kohë që është kthyer në një vend ku mafia dhe nëntoka e organizuar kriminale kanë kapur shtetin dhe"de facto" sundojnë mbi ligjin. "Politikanët e inkriminuar dhe oligarkia mafioze vendos për çdo gjë dhe gjithçka në vend, madje edhe për rastet, si dhe kur duhet të veprojë ligji, e kur jo, shkak i cili ka imponuar, që pandëshkueshmëria të kthehet në rregull dhe normë të jetës në Kosovë. "Në shtetin tonë të brishtë e të kapur, ku më nuk funksionon drejtësia as gjyqtar e prokuror të pandikuar nga politika, kriminelët e lidhur me ta, mafio-oligarkët e bizneseve te pista, shpërdoruesit e tenderëve dhe të gjitha speciet e keqpërdoruesve në vend, nuk kanë më se pse t'i tremben drejtësisë as ligjit, kur që të dyja bashkë flenë mbi mijëra lëndë të vjetra e të reja dhe të pashqyrtuara kurrë", u shpreh ai. "Kasta aktuale e tejinkriminuar politike në pozitë dhe opozitë ka bërë që jo vetëm çdo gjë në këtë vend të zhvillohet sipas metodave të klani 'PRONTO', por të shuhen e bëhen të padukshëm edhe kufijtë minimalë ndërmjet segmenteve politike, si dhe të mos vërehen më kurrfarë dallimesh në veprimet e partive vendore, gjë që e bënë pothuajse të pamundur të kuptohet se në çfarë shteti vërtet është shndërruar Kosova, ku moto ekzistence është zhvatja dhe mashtrimi. Këtu sot e kësaj dite vazhdojnë të jepen qindra miliona euro për tenderë, licenca të dyshimta, si rasti i homologimit i gati para 10 vjetësh, dhënë vëllezërve Devolli, kontrata kontroverse ofertuar me paqartësitë më të mëdha të mundshme për 'ZMOBILE', që tash e sa vite zhvat në mënyrë të hapur mafioze buxhetin e shtetit, qytetarët dhe kompanitë më profitabile shtetërore, pa as një investim të vetëm dhe sado të vogël, si Postë- Telekomi i Kosovës, duke çuar para falimentimit edhe këtë ndërmarrje kryesore dhe më të rëndësishme të vendit me mijëra punëtorë", tha Qarri për "Kosova Sot".