Falë VV-së, Shpendi po luan 'bixhoz' duke goditur interesat vitale të Prishtinës (Video)

  • 19 March 2018 - 07:32
Falë VV-së, Shpendi po luan 'bixhoz' duke goditur interesat vitale të Prishtinës (Video)

VV-JA, PASI MASHTROI QYTETARËT ME SHPEND AHMETIN, TANI E QUAJNË QEVERISJEN E TIJ TË DOBËT 

Hertica: Është mbushur kupa me skandalet e Shpend Ahmetit

Tani janë të pamjaftueshme kritikat dhe akuzat e cilitdo nga krerët e VV-së ndaj Shpend Ahmetit. Vetëm iniciativa për largimin e tij nga posti i kryetarit të Prishtinës do t'ua lehtësonte barrën e përgjegjësisë morale drejtuesve të VV-së, në veçanti Albin Kurtit, në raport me qytetarët e mashtruar nga VV-ja, pasi falë autoritetit të tij Shpendi Ahmeti vazhdon të luajë 'bixhoz' me interesat e qytetarëve dhe pronën komunale në veçanti", theksoi analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Derisa po vazhdojnë debatet rreth zhvillimeve të fundit në 'VETËVENDOSJE', ndarjes së madhe që ndodhi në këtë subjekt politik, duke ia kthyer shpinën edhe nga kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, së fundi ka dalë me kritika ndaj këtij të fundit edhe Liburn Aliu, ish-drejtor në qeverisjen e tij, duke e kritikuar Shpend Ahmetin për plogështi në qeverisje."Sidomos në vitin e fundit të mandatit të parë në krye të Prishtinës kam ndryshuar qëndrim për Shpend Ahmetin. Kjo, ngase në vitin e fundit Shpendi ka pasur plogështi në qeverisje", ka thënë Liburn Aliu. Analistët politikë, por edhe qytetarët, i japin të drejtë z. Aliu, por tani nga ana e tyre shtrohet pyetja se si u bë që, edhe pse e kanë vërejtur, siç po e pranon edhe publikisht Liburn Aliu, ish-drejtor i urbanizmit, se Shpend Ahmeti ka pasur plogështi në qeverisje, ata sërish ia kanë prezantuar qytetarëve si njeriun e duhur për të marrë edhe një mandat në qeverisjen e Prishtinës, edhe atë për të vazhduar punën e tij për interesa ekskluzivisht të mafio-oligarkëve dhe duke mashtruar e gënjyer qytetarët. Analistët politikë, por edhe qytetarë të anketuar theksojnë së tani po del ashiqare fakti se të dy palët së bashku e kanë mashtruar popullin, edhe Shpend Ahmeti, por edhe vetë VV-ja, duke e prezantuar Shpend Jahtin për diçka që nuk është, vetëm e vetëm për të marrë pushtetin së bashku. Tani të gjithë ndajnë mendimin se qytetari është mashtruar dhe nuk ka se çka i duhet qytetarit të Prishtinës një kryetar i kryeqytetit që po pritet ta formojë një parti, siç është Shpend Ahmeti, i cili çfarëdo që flet dhe thotë gënjen e mashtron, pa pikë turpi. Analistët theksojnë se tani për realizimin e qëllimeve të veta profitabile, Shpend Ahmeti është bërë një me mafinë e nëntokës dhe komunën e Prishtinës realisht e udhëheq vetëm "mafia ndërtimore", për fitoren e të cilit kontribuuan, përveç nëntokës, edhe VV-ja, duke gënjyer, ndonëse me vetëdije, se Shpendi nuk është njeriu i duhur për kryetar te Prishtinës, gjë që tanimë edhe vetë njerëzit e këtyre strukturave po e pranojnë edhe publikisht. Edhe përkundër pyetjeve të dërguara nga gazetari, kryetari Shpend Ahmeti nuk ka kthyer përgjigje. Përgjigje nuk kanë kthyer as vëllezërit Devolli.

Kelmendi: Ky kryetar bën pazarllëqe me mafiozët Devolli 

KELMENDI: SHPEND AHMETI BËN PAZARLLËQE ME MAFIOZËT DEVOLLI, E KJO BËN QË KOMUNA TË VARET NGA KRIMI

Sipas profesorit Muhamet Kelmendi, qytetit të Prishtinës, si çdo qyteti a komune tjetër, sikundër edhe pushtetit qendror, i duhen kuadro të aftë dhe të padjallëzuar. Madje ai thotë se udhëheqësi i komunës është figurë reprezentative e komunës dhe ai do të duhej të ishte prijatar i pakompromis në luftimin e dukuritë negative dhe kriminale në komunë dhe të kryejë detyrat vetëm për qytetarë, e që në fakt nuk po ndodh tani edhe me rastin e Prishtinës - Shpend Ahmetin, i lidhur personalisht me grupet kriminale të interesit."Nëse kryetari lidhet me nëntokën kriminale, qyteti dhe qytetarët e pësojnë. Një dukuri e tillë është në Prishtinë. Ka vite që pothuajse nuk ka asnjë lëvizje pozitive në komunën e Prishtinës, asgjë nuk është bërë. Infrastruktura është dëmtuar dhe nuk intervenohet. Gjendja sociale e njerëzve të papunë është keqësuar, ndërsa papunësia është rritur. Komuna nuk ka bërë asnjë plan zhvillimor dhe të njëjtin ta futë në punë. Shkollat dhe çerdhet e fëmijëve po dëmtohen dhe kushtet kanë shkuar duke u përkeqësuar. Kudo para shkollave shiten edhe lëndë të ndaluara narkotike. Nuk kemi asnjë ndërtim për të pastrehët dhe për familjet në gjendje të rëndë. Dhe po ky kryetar bën pazarllëqe me mafiozët Devolli, që edhe më shumë të varet Komuna nga krimi. Kryetari e ka bërë komunën pothuajse sikur ta ketë kompani udhëheqëse në Prishtinë dhe natyrisht kështu edhe kompani të forcave të errëta. Por rrugëdalje ka çdoherë. Edhe kryetari mund të shkarkohet. Prova ka dhe duhet vetëm nënshkrime të 20% të votueseve për të dalë te çështja e shkarkimit në Ansamble. I dëshiroj VV-së që vetë ta marrë këtë rrugë. Prishtina e meriton një udhëheqje tjetër, të aftë dhe profesionale, të padjallëzuar dhe të moralshme, antikriminale. E kjo arrihet me shkarkim të këtij kryetari", theksoi Kelmendi për "Kosova Sot". Sipas Kelmendit, të gjitha planet e kryetarit Ahmeti janë që e tërë pasuria e komunës të privatizohet dhe qytetari të zhvishet krejtësisht nga pasuria publike. 

GURAZIU:VV-JA MASHTROI POPULLIN,DUKE E PREZANTUAR SHPEND JAHTIN PËR DIÇKA QË NUK ËSHTË

Prishtina do të duhej liruar sa më shpejt nga një kryetar i tillë edhe sipas analistit Ragip Guraziu. "Me të vërtetë tani janë me vend kritikat dhe konstatimet e anëtarit të VV-së, Liburn Aliu. Përfundimisht po shihet që nuk ka se çfarë i duhet qytetarëve prishtinas një kryetar i kryeqytetit, apo kryetar i partisë së nëntokës kriminale, siç është Shpend Ahmeti. Kritikat ndaj tij edhe tani po vazhdojnë dhe Shpend Ahmeti edhe ashtu dorëheqjen e ka edhe si detyrim, pasi veç gati e formoi partinë FER -2. Së fundi edhe Liburn Aliu ka kritikuar Shpend Ahmetin për plogështi në qeverisje, duke deklaruar për media se sidomos në vitin e fundit të mandatit të parë në krye të Prishtinës ka ndryshuar qëndrim për Shpend Ahmetin, ngase sipas Aliut veçmas në vitin e fundit Shpendi ka pasur plogështi në qeverisje. Tani po shihet ashiqare që ka qenë një gabim i madh, i papërmirësueshëm tash për tash për VV-në që e rikandidoi Shpend Ahemtin për një mandat të dytë. Dihej mirëfilli kaherë se si ishte bërë Shpend Ahmeti një me mafinë e nëntokës kriminale dhe Komunën e Prishtinës realisht e udhëheq vetëm 'mafia ndërtimore' e mafio-oligarkëve të inkriminuar përmes 'nëntokës kriminale', për fitoren e të cilit kontribuuan, përveç nëntokës kriminale, edhe VV-ja, duke gënjyer me vetëdije se Shpendi nuk është njeriu i duhur për kryetar të Prishtinës, gjë që tanimë po e pranojnë publikisht edhe në VV se çfarë dëmi u solli ne këto vite si një kryetar dështak sa i përket Komunës së Prishtinës dhe vetë qytetarëve të saj", theksoi Guraziu. Ai shton se duhet ta pranojnë e ta thonë vetë zyrtarët e VV-së se si u bë që edhe pse e kanë vërejtur, siç po e pranon edhe publikisht Liburn Aliu, ishdrejtor i urbanizmit, se Shpend Ahmeti ka pasur plogështi në qeverisje, ata serish ua kanë prezantuar qytetarëve si njeriun e duhur për të marrë edhe një mandat në qeverisjen e Prishtinës, edhe atë për të vazhduar punën e tij për interesa ekskluzivisht të mafiooligarkëve, duke mashtruar popullin, duke e prezantuar Shpend Jahtin për diçka që nuk është, vetëm e vetëm për të marrë pushtetin së bashku

Analisti politik Florim Zeqa thotë se kritikat e vartësve të deridjeshëm të Shpend Ahmetit për plogështi në qeverisje, siç ishte rasti i deklarimit publik në një televizion i Liburn Aliut, ish-drejtor i urbanizmit, sidomos në vitin e fundit të mandatit të parë qeverisës në komunën e Prishtinës, është e bazuar, mirëpo ai thotë se edhe përkundër faktit se i kanë ditur të gjitha mangësitë e tij, është e pafalshme pse ia kanë prezantuar qytetarëve sërish Shpendin si njeriun e duhur për të marrë edhe një mandat në qeverisjen e Prishtinës, edhe atë për të vazhduar punën e tij për interesa ekskluzivisht të mafio-oligarkëve!"Edhe pse tani drejtuesit e VV-së i pranojnë publikisht dështimet në qeverisje dhe keq menaxhimin e buxhetit të komunës për interesa të mafio-oligarkëve, mbetet i papranueshëm fakti i prezantimit të personalitetit të rrejshëm Shpend Ahmetit para qytetarëve nga ana e ishdrejtuesve të VV-së, vetëm e vetëm sa për të marrë pushtetin së bashku në kryeqytet. Për këtë mashtrim që VV-ja ua bëri qytetarëve, për aq kohë sa Shpend Ahmeti të qëndrojë në krye të Prishtinës, përgjegjësia e rëndë politike do të bie mbi ndërgjegjen e atyre që rizgjodhën Shpend Jahtin kryetar të kryeqytetit. Tani janë të pamjaftueshme kritikat dhe akuzat e cilitdo nga krerët e VV-së ndaj Shpend Ahmetit. Vetëm iniciativa për largimin e tij nga posti i kryetarit të Prishtinës do t'ua lehtësonte barrën e përgjegjësisë morale drejtuesve të VV-së, në veçanti Albin Kurtit, në raport me qytetarët e mashtruar, pasi falë autoritetit të tij Shpend Ahmeti vazhdon të luajë 'bixhoz' me interesat e qytetarëve dhe pronën komunale në veçanti", theksoi analisti Florim Zeqa për "Kosova Sot". 

Shpendi, një mashtrues ordiner

Ndryshe, analisti Ali Hertica është i bindur që te shumë ish-zyrtarë të VV-së është mbushur kupa me skandalet e Shpend Ahmetit, por që për hir të ruajtjes së stabilitetit brendapartiak u është dashur disi t'i heshtin ato, e në mesin e tyre Hertica thotë se është rasti tragjik i humbjes së jetës së dy fëmijëve në lagjen e Kolovicës. "Ish-drejtori i Urbanizmit nga VV-ja ka ndryshuar qëndrim rreth qeverisjes së Shpend Ahmetit, kur kjo dihet botërisht se ishte qeverisje me shumë dështime e skandale, që ka pasur në atë kohën e qeverisjes së mandatit të parë, ku si skandali më tragjik ishte humbja e dy fëmije nga moskujdesi i Shpendit si i pari i qytetit, kur ai aso kohe, sikur të kishe moral politik, që atëherë ishte dashur të japë dorëheqje dhe mos të kandidohet më fare për mandatin e dytë, që të mos vije fare deri tek kjo pafytyrësi e tij, duke nxirë imazhin dhe besimin edhe për subjektin që e ngriti duke ditur se cilat ishin aftësitë e tij në FER. Tani besoj se edhe partia e VV-së e ka vërejtur se jo vetëm Shpendi, por i gjithë ai ekip, i cili ishe në krye të qeverisjes komunale, ishte e orkestruar nga mafio-oligarkët, ku Shpendi pothuajse nuk kishte asnjë kontroll as ndikim nga qendra për ta menaxhuar Komunën, por ishte i dhënë vetëm me përfitime të majme nga lidhja e tij me kastën e oligarkëve, e ku u kap ashiqare me ta, si një mashtrues ordiner, duke pozuar në atë jahtin luksoz, me kënaqësitë e tija egoiste me taksën e qytetarit", theksoi Hertica për "Kosova Sot". 

Aliu: Mëkat i madh që e mori Prishtinën për të qenë edhe herën e dytë kryetar i saj

Analisti Bislim Aliu thotë se bërthama e dështimeve të Shpendit zbulohet thuhet tani pa asnjë kufizim, sidomos kur ai kritikohet edhe nga Liburn Aliu, bashkëpartiaku i tij dhe krahu i djathtë i Shpend Ahmetit në qeverisjen e Prishtinës në mandatin e parë, që doli haptas duke e kritikuar atë për plogështi në vitin e fundit të qeverisjes. "Atëherë, pra, kur edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kritikojnë për qeverisje të plogështe dhe jo të mirë, sheshazi po del se Shpend Ahmeti është mëkat i madh që e mori Prishtinën për të qenë edhe herën e dytë kryetar i saj! Atëherë pyetemi pse VV-ja duke e vërejtur këtë plogështi të Shpend Ahmetit, siç po deklarohet publikisht edhe Liburn Aliu, ish-drejtor i urbanizmit, sërish ia prezantuan qytetarëve si njeriun e duhur që edhe në mandatin e dytë ta qeverisë Prishtinën dhe ta vazhdojë punën e tij për interesa ekskluzivisht të mafio-oligarkëve? Pra, VV-ja dhe Shpend Ahmeti me gjithë plogështinë e tij ta udhëheqë sërish Prishtinën është një fiasko e vërtetë e realitetit. Dhe me të vërtetë nuk ka çka iu duhet qytetarëve një kryetar i kryeqytetit, apo kryetar i partisë së nëntokës kriminale, siç është Shpend Ahmeti, i cili vazhdimisht çka flet e thotë gënjen e mashtron, pa fije turpi! Ky duke e shndërruar Prishtinën si pronë private dhe bëri atë që deshi, nuk është dashur që ta propozojë VV-ja me gjithë ato plogështi dhe dallaveret nga më të ndryshmet të jetë njeriu i parë i Prishtinës. Ky është një fiasko i madh dhe një turp i llojit të vetë që ai edhe më tej të jetë i pari, me gjithë ato plogështi të shumëllojta, për të cilat edhe bashkëpunëtorët e tij po e kritikojnë. Ai asnjëherë nuk do ta zhvillojë Prishtinën dhe as që do t'i realizojë të drejtat e qytetarëve të saj", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot

Qytetarët: Po abuzohet me votën e qytetarëve

Duke u nisur nga ky fakt, duke analizuar punën e Shpend Ahmetit në mandatin e parë, kryesisht të dështuar, por edhe fillimin pa ndonjë sinjal premtues në këtë mandat të dytë, qytetarët e anketuar theksojnë se janë plotësisht me vend edhe kritikat që tash po dalin brenda për brenda nga vetë zyrtarët e VV-së, të cilët mbase edhe janë mashtruar kur e kanë rikandiduar Shpend Ahmetin përtë dytën herë. Një vlerësim të tillë kritik e jep edhe qytetari Nazmi Rexhepi."Jemi mësuar ne gjithnjë me mashtrime dhe me rrena, që 18 vjet ne jemi kështu, cili e ka treguar të vërtetën ose realitetin deri sot këtu, veç me rrena kanë ardhur në pushtet, me rrena derisa e kanë fituar karrigen, si i kanë fituar karriget tani i kanë larguar edhe partitë. Shpendi që dy mandate i fitoi me 'VETËVENDOSJEN' e tash ia ktheu shkelmat edhe Albin Kurtit edhe 'VETËVENDOSJES', tradhti është kjo. Ai nuk ka karakter se për zotin të nesërmen është dashur të japë dorëheqje, por nuk e ka kokrrën e ndërgjegjes", theksoi qytetari Nazmi Rexhepi.

Po aq kritik është edhe qytetari tjetër, Hafiz Abazi. "Shpendi në mandatin e parë ka punuar pak, edhe jemi mashtruar dhe në mandatin e dytë ia dhamë votën, por që prej fillimit të mandatit të dytë po shihet që nuk po i intereson për të punuar asgjë, edhe s'ka bërë asgjë, dhe krejt ato projekte, që i ka nisë e i ka përfunduar më herët Shpendi, duke filluar nga Ujësjellësi, me autobusët e të tjerat. Po e them ashtu edhe pse nuk jam i pozicionuar politikisht, ato kanë qenë të filluara si projekte të Isa Mustafës. Shumë pak është duke punuar, nuk po i intereson asgjë. Prishtinës i vyen një kryetar tjetër që punon për qytetarin e jo për vete, por po më duket që nuk kemi njëherë përnjëherë të tillë kryetar", tha me shpresa ta thyera në të gjitha partitë politike qytetari Hafiz Abazi. Elmi Sopi theksoi se një nga pasqyrat më besnike të keqqeverisjes së Prishtinës është edhe situata në Zonën Industriale, e vërshuar nga uji tash e gati 8 muaj, për të cilën thotë se është një tokë pa zot derisa komuna dhe Shpend Ahmeti e kanë lënë në harresë. "Unë jam pensionist dhe shumë rrallë dal, mirëpo sot është dashur t'i marr çizmet që të dal dhe të kaloj. Ka qenë mirë të dalë edhe kryetari dhe ta shohë se qysh është gjendja, sipas premtimeve të cilat i japin dhe ku i kanë punët, fjalë kanë shumë, por punë shumë pak. Unë sot dola në tregun e veturave në Prishtinë dhe m'u kanë bërë këmbët tërë ujë, sepse tej për tej asfaltit ka vërshuar uji, a është nga ujësjellësi apo nga shiu unë nuk e di, por kjo është mjerim çka po shihet. Unë kam qenë përkrahës i Albin Kurtit dhe i kryetarit të sotshëm (Shpend Ahmetit), që premtimet na i kanë dhënë shumë të mëdha, por punët nuk i kanë sikur që i kanë dhënë premtimet. Nuk di çka të them tjetër, por ka qenë mirë me dalë vetë kryetari që ta shohë", tha Elmi Sopi. Ai thotë se një kryetar si Shpend Ahmeti kurrsesi nuk i duhet tutje qytetit të Prishtinës."I duhet një kryetar me qenë shumë guximshëm, shumë i fortë, ato që i premton edhe për t'i realizojë e jo vetëm premtime", theksoi Sopi për "Kosova Sot".

 

(Kosova Sot)