Monopolet e mafio-oligarkëve "përpijnë" bizneset e vogla e të mesme"

  • 19 March 2018 - 07:58
Monopolet e mafio-oligarkëve

Grapci: Prokuroria e Shtetit në asnjë mënyrë nuk duhet të heshtë kundër këtyre mafio-oligarkëve

Tash e një dekadë biznesi i vogël dhe i mesëm është goditur rëndë nga institucionet, pasi që nuk ka as një lloj mbështetje dhe as kushte zhvillimore. Korporatat e mafio-politikanëve kanë përpirë gjithçka që u del para dhe kanë bërë monopole e oligipole kriminale. Ndërkaq, kjo situatë e rëndë e bizneseve të vogla e të mesme po ndodh, ngase pa "ua larë fytin" pushtetarëve, qoftë nëpër komuna apo në qeveri, nuk ke asnjë shans që të licencohesh dhe as që të marrësh leje ndërtimi dhe as të bësh investime ligjore në Kosovë. Andaj analistët pyesin se deri kur prokuroria do të heshtë dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim për të sjellë para drejtësisë mafio-oligarkët e nëntokës dhe pushtetarët e lidhur me ta, të cilët kanë futur duart në çdo segment të jetës, përfshirë edhe komplet ekonominë dhe sektorët fitimprurës në ekonomi? Eksperti i ekonomisë dhe ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, për "Kosova Sot" theksoi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme problemin kryesor e kanë të politikat e pafavorshme tregtare dhe mbrojtja nga konkurrenca jolojale. Ai shton se këto problemet me politikat e taksës qenë korrigjuar me Pakon Fiskale 1 dhe Pakon Fiskale 2 dhe politikat që janë ndërmarrë. "Nevojitet ende të vazhdojnë që sistemi të funksionojë me inercion, sepse ende më shumë mbështete importi sesa prodhimi. Kjo duhet të ndërrohet urgjentisht dhe duhet të mbështesim politika fiskale dhe të mbështeten ndërmarrjet prodhuese, të cilat duhet të kenë një qëndrim më aktiv, kurse shteti duhet t'i mbrojë nga konkurrenca që vjen me kualitet", është shprehur Mustafa për gazetën "Kosova Sot". Sipas tij, shteti duhet që të ndikojë më shumë me masa reciprociteti, por edhe me masa të tjera, sepse kur ndërmarrjet e vogla e të mesme duan që të dalin në eksport, ato i kanë 100 mijë probleme dhe të njëjtat nuk e kanë mbështetjen e duhur të institucioneve shtetërore"

Shahini: Kompanitë e mëdha sillen pa mëshirë ndaj kompanive të vogla e të mesme 

Ndërsa, kreu i Aleancës Kosovare të Biznesit(AKB), Agim Shahini, theksoi për "Kosova Sot" se pozita e mikrondërmarrjeve të vogla e të mesme nuk është e barabartë me kompanitë e mëdha, sidomos në 10 vitet e fundit dhe kjo ka bërë që një numër i madh i këtyre kompanive të vogla të mbyllen si pasojë e një konkurrence të ashpër dhe të padurueshme të kompanive të mëdha që janë të pamëshirshme ndaj kompanive të mesme e të vogla dhe këto shumica sish janë detyruar të mbyllen. Ai thotë se në vitet 2015 dhe 2016 janë mbyllur më shumë se 4400 biznese, si pasojë e konkurrencës jo fer dhe informalitetit dhe politikave të tjera që janë zbatuar në Kosovë, ndërsa në vitin 2017 ka mbyllje më pak, por jo si pasojë e përmirësimit të gjendjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, por si pasojë e komplikimeve të procedurave të mbylljes së këtyre bizneseve."Kemi një numër të madh të këtyre bizneseve që janë shuar, por për shkak të këtyre procedurave ato evidentohen si aktive", është shprehur ai. Sipas Shahinit, në vendin tonë duhet të marrin modalitetin e fuqizimin e kompanive të vogla, sepse edhe në vendet e botës kompanitë e fuqishme po bëhen bashkë si pasojë e konkurrencës së ashpër. Edhe në Kosovë duhet që të kemi një strategji të tillë, sepse shtrohet pyetja se a kemi strategji që t'i mbyllim ndërmarrjet e vogla dhe t'i bëjmë të mëdha apo kemi një strategji që secila kompani e vogël të mbijetojë dhe të ketë subvencione dhe lehtësira shtesë për të cilën këto si titullarë të kompanive, por edhe qëndrueshmëria e tyre do të jetë më e madhe", është shprehur Shahini. Ai thotë se kompanitë e vogla do të mund të punësonin më shumë njerëz."Ne si AKB vlerësojmë se në Kosovë duhet që t'u jepet prioritet ndërmarrjeve të vogla dhe atyre të mesme, sepse kompanitë e mëdha nuk kanë nevojë për subvencione, atokanë arritur në një kulm apo stad të madhe dhe që nuk dihet se si e arritën këtë, por dihet se këtu vlen konkurrenca e ashpër e kompanive të mëdha ndaj kompanive të vogla", është shprehur Shahini për gazetën "Kosova Sot

Bizneset e vogla dhe të mesme përveçqë përballen me kushte jo të favorshme në tregun rajonal dhe më gjerë, njëherësh përballen me bizneset e afërta me pushtetin dhe partitë politike që iu bëjnë konkurrencë informate. Po ashtu, edhe në ofertat tenderuese pushteti bën favore dhe shkel procedurat me bizneset, duke u dhënë kontrata bizneseve që qëndrojnë partitë në pushtet mbrapa tyre dhe e gjitha kjo shkelje ndodh në sytë e drejtësisë, e cila hesht dhe po sillet sikur nuk po ndodh asgjë, pra si rezultat krimi më i madh po ndodh nga drejtësia që këtë shqetësim e ngrenë vazhdimisht edhe miqtë ndërkombëtarë, që njëherësh është si parakusht për avancimin e Republikës së Kosovës në Bashkësinë Evropiane", është shprehur eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj 

"Presioni po rritet gjithnjë e më shumë, duke e bërë të pamundur qasjen e të vegjëlve në treg. Andaj, kjo detyrimisht po çon në shuarjen e biznesit të vogël dhe në tkurrjen drastike të bizneseve të mesme ose futjen nën ombrellën e oligarkëve. Kjo nuk është e keqja më e madhe. Trendi i të bërit biznes është gjithnjë më i pafavorshëm për investime nga jashtë, pasi për të investuar në resurset tona të shumta duhet të kalohet nëpër shtegun e oligarkëve të ushqyer nga politika", është shprehur eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu, për gazetën "Kosova Sot

Sfidat serioze

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot" theksoi se biznesi i vogël dhe i mesëm ka mbetur pa mbështetje adekuate nga ana e institucioneve të shtetit. Me gjithë ndihmën nga BE-ja, prapëseprapë po ballafaqohet me sfida serioze. "Pas vitit 1999, me vendosjen e Administratës së Përkohshme Ndërkombëtare në Kosovë, u mundësua regjistrimi i përkohshëm i bizneseve, deri në mars të vitit 2003. Pas këtij viti regjistrimi i bizneseve mori një kah pozitiv dhe u shndërrua nga regjistrimi i përkohshëm në regjistrim të përhershëm". Ai theksoi se hapja e ndërmarrjeve dhe regjistrimi i tyre u zhvillua me një hov të madh, nga viti 1999 deri në fund të vitit 2017 janë regjistruar rreth 173.805 biznese sipas ARBK-së. "Sipas Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës, numri i bizneseve aktive të regjistruara në ATK deri në fund të vitit 2016 është 87. 979, ku prej tyre 63.753 janë biznese individuale, ndërsa 24. 226 janë biznese juridike, ndërkaq 42.654 janë numra fiskalë për persona fizikë. Ndërsa si pasojë e kushteve të vështira aktivitetin e tyre e kanë shuar 25. 250 biznese kosovare, ende edhe 19 vjet as përfundimit të luftës bizneset po ballafaqohen me mungesën e energjisë elektrike, qasjen në financa, probleme me sundim të ligjit, mosefikasitet të gjykatave", është shprehur ai. Sipas Beqirit, po mos të ishte ndihma ndërkombëtare NVM-të e kishin pasur edhe më të vështirë operimin e tyre, me miratimin e Pakos fiskale 1.0 dhe propozimin 2.0 ka mundësuar që këtë biznese të shohin ndihmën konkrete nga shteti, bizneset e vogla kanë nevojë edhe për mbështetje për të garantuar treg të lirë, konkurrencë të drejtë dhe mbështetje për biznese prodhuese. Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, për gazetën "Kosova Sot" thotë se heronjtë real të shtetndërtimit të Kosovës me plot kuptimin e fjalës janë bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat për kundër përballjes me konkurrencë informale dhe me kushte aspak të favorshme si ligjore dhe infrastrukturore kanë arritur të mbijetojnë dhe të krijojnë emër dhe markë të veten në nivel vendor, rajonal dhe me gjerë. "Këto biznese çdo ditë përballen me probleme infrastrukturore me reduktime të energjisë elektrike me ngarkesë komunikacioni aq sa të bezdisshme, por edhe të kushtueshme për nga kostoja dhe vonesa në realizimin e planeve operative ditore që u kushton edhe në produktin dhe shërbimin final, po ashtu përkrahja shtetërore si për nga kushtet e politikave fiskale siguria në punë dhe mbrojtja ligjore në raste konteste me borxhet e këqija", shprehet Kadriaj. 

Istogu: Bizneset e mëdha në shumicën e rasteve flenë në një shtrat me politikën

Eksperti i ekonomisë, Zekim Istogu, për "Kosova Sot" theksoi se fatkeqësisht është e vërtetë se bizneset e vogla dhe të mesme janë nën presioni e monopolit të bizneseve të mëdha, të cilat në të shumtën e rasteve flenë në një shtrat me politikën. "Meqë ky presion po rritet gjithnjë e më shumë, duke e bërë të pamundur qasjen e të vegjëlve në treg. Andaj, kjo detyrimisht po qon në shuarjen e biznesit të vogël dhe në tkurrjen drastike të bizneseve të mesme ose futjen nën ombrellën e oligarkëve", është shprehur ai. Istogu thekson se kjo nuk është e keqja më e madhe dhe shton se duke pasur këtë qasje, trendi i të bërit biznes është gjithnjë më i pafavorshëm për investime nga jashtë, pasi për të investuar në resurset tona të shumta, duhet të kalohet nëpër shtegun e oligarkëve të ushqyer nga politika. Ai shton se për të kuptuar këtë, mjafton të shikosh trendin e investimeve të huaja që është në rënie për çdo vit. "Kosova ka krijuar një bazë ligjore, e cila në shumë raste lë hapësirë të madhe interpretimi, kjo i mundëson zyrtarëve të shtetit që "nën mbështetjen e ligjit" krijojnë barriera që i sjellin bizneset para aktit ose paguaj ose prite afatet ligjore, të cilat afate në disa fusha mund të stërzgjaten deri në pafundësi", është shprehur ai. Istogu thotë se teknikisht vonesat e tilla për licenca e mbysin biznesin."Prokuroria dhe gjyqësia në përgjithësi duket se është e sinkronizuar me këtë rreth vicioz. Më e keqja është se ka përpjekje të ngritën standarde të tilla për të legjitimuar veprimet e të paprekshmëve -oligarkisë kosovare", është shprehur ai. 

"E keqja është se këtu në Kosovë nuk po lejohet as ky opsion që të ndodhë dhe të përparojnë ndërmarrjet e vogla e të mesme, duke e ditur e prapa këtyre Qendrave tregtare janë mafiopolitikanët në bashkëpunim me mafio-oligarkët, të cilët përmes mënyrave ilegale po mundohen t'i fusin produktet e tyre dhe njerëzit e tyre në këto qendra për të hapur dyqane të ndryshme, duke mos iu dhënë shans bizneseve të vogla e të mesme të qytetarëve, të cilët i kanë bizneset e tyre me dekada", është shprehur eksperti Dardan Grapci për gazetën "Kosova Sot"

Grapci: Politikat ekonomike, diskriminuese për bizneset e vogla e të mesme

Eksperti i ekonomisë, Dardan Grapci, për "Kosova Sot" theksoi se po u vazhdua me këto politika diskriminuese ka frikën se bizneset e vogla dhe të mesme deri në vitin 2020-2022 nuk do të ekzistojnë fare. "Arsyeja është për shkak se shumë biznese të vogla dhe të mesme, tani po hapen nëpër qendrat tregtare dhe kjo do jetë sikurse që veprohet në vendet e BE-së, që nëpër qendrat tregtare të futet çdo lloj biznesi, duke ia filluar nga marketet e deri tek dyqanet për teknikë dhe ujësjellës", është shprehur ai. Ai tutje ka shtuar: "E keqja është se këtu në Kosovë nuk po lejohet as ky opsion që të ndodhë dhe të përparojnë ndërmarrjet e vogla e të mesme, duke e ditur e prapa këtyre Qendrave tregtare janë mafio-politikanët në bashkëpunim me mafio-oligarkët, të cilët përmes mënyrave ilegale po mundohen t'i fusin produktet e tyre dhe njerëzit e tyre në këto qendra për të hapur dyqane të ndryshme duke mos iu dhënë shans bizneseve të vogla e të mesme të qytetarëve, të cilët i kanë bizneset e tyre me dekada". Sipas Grapcit, Qeveria e Kosovës, por edhe Kuvendet Komunale të çdo qyteti duhet që sa më shpejt të krijojnë politika të tilla të ndihmës financiare ndaj bizneseve të vogla e të mesme, por edhe ligje të tilla kundër mafiozëve dhe mos t'u lejohet që të diskrimonojnë bizneset e vogla që punësojnë familjarët e tyre, por duke ofruar kushte të barabarta të bërjes së biznesit pa monopole dhe oligopole që po e fundosin ekonominë. "Prokuroria e Shtetit në asnjë mënyrë nuk duhet të heshtë kundër këtyre mafio-oligarkëve, por duhet t'i luftojë me çdo kusht, në mënyrë që qytetarët të marrin frymë lirshëm nga aspekti i punës dhe ekonomisë", është shprehur ai. 

(Kosova Sot)