Politika i përzgjedh, gjyqtarët E PROKURORËT I SHËRBEJNË

  • 20 March 2018 - 08:26
Politika i përzgjedh, gjyqtarët E PROKURORËT I SHËRBEJNË

DEGRADIMI I SISTEMIT TË DREJTËSISË

Preteni: Pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve dëshmon se ata jo vetëm që nuk e luftojnë të keqen, por janë pjesë e saj

"Politika injorante dhe e korruptuar përzgjedh gjyqtarët e prokurorët individët e paaftë profesionalisht dhe pa moral e pa personalitet, duke bërë që gjyqtarët dhe prokurorët si të tillë të jenë servilë dhe shërbëtorë të verbër të politikës", tha analisti Skënder Kapiti për "Kosova Sot' 

Duke u bazuar në raportet e shpeshta kritike ndaj drejtësisë kosovare, si ato që vijnë nga organizata vendore, por edhe ato ndërkombëtare, që po e shohin të tejpolitizuar drejtësinë kosovare, analistët dhe ekspertët e fushës së drejtë- sisë vazhdojnë ta shohin me sy kritik dhe t'i japin notë të dobët tërë sistemit të drejtësisë në Kosovë. Ata theksojnë se tanimë janë bërë shumica nga gjyqtarët dhe prokurorët shërbëtorë të politikanëve të cilët nuk u shërbejnë publikut dhe qytetarëve, por vetëm përfitimit dhe interesave personale dhe politikanëve, të cilët abuzojnë rëndë me fuqinë e pushtetit të tyre. Një çështje që do analizuar sipas analistëve, mbetet ajo se pse është politizuar kaq shumë sistemi i drejtësisë në Kosovë dhe a e kanë shndërruar politikanët dhe njerëzit e drejtësisë Kosovën de fakto në një shtet të korrupsionit dhe të krimit të organizuar? "Jo vetëm që po thuhet, por mund të konstatohet me plot argument se kjo drejtësi është e kapur nga politika dhe kontrollohet nga politika, e krejt çka kanë të bëjë me drejtësinë kanë të bëjnë me sistemin e kapur, pra të kontrollueshëm.

"Gjyqësori i tillë është i paaftë, sepse nuk është i pavarur, nuk është neutral ndaj politikës dhe nuk korrespondon me mbrojtjen e rendit dhe të ligjit për të gjithë qytetarët që duhet të jenë të barabartë para ligjit", tha Blerim Burjani për "Kosova Sot" 

Gjyqësori nuk është i pavarur, andaj në këtë mes nuk mund të flitet për gjyqësor funksional dhe efikas", tha eksperti i së drejtës, Blerim Burjani, për 'Kosova Sot'."Në këtë gjendje që është drejtësia s'ka efikasitet dhe asnjëherë s'ka rezultat meritor, pothuajse asnjë gjykim normal me një procedurë normale", potencoi ai. 

Image

 

Njerëzit e drejtësisë, me disa vende pune njëherësh

Ish-kreu i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, thotë se derisa nuk futet edhe në drejtësi Ligji i VETTING-ut, nuk mund të pritet vendosja në binarë të duhur e këtij sistemi të kapur nga politika."Sistemi i Drejtësisë është i kapur nga politika. Politika është "përkujdesur" që zyrtarët e këtij komponenti t'i kenë pagat e mira dhe shumë privilegje të tjera. Prokurorët dhe gjyqtarët mund të punojnë në arsim, sidomos atë privat, mund të angazhohen në komisione të ndryshme, mund të jenë edhe pjesë e projekteve që kanë të bëjnë me punimin e komentarëve të ndryshëm. Punët sekondare në fakt janë kryesoret për ta, derisa për punën në gjyqësor askush nuk u kërkon llogari e as transparencë në angazhimet e tjera, e ajo është e domosdoshme", u shpreh ai. "E pajustifikueshme është që një gjyqtar ose prokuror t'i ketë 4-5 vende të punës. Pasuria e tyre gjithashtu dëshmon se ata jo vetëm që nuk e luftojnë të keqen, por janë pjesë e saj. Titullarët e gjyqësorit dhe prokurorisë janë të privilegjuar nga politika edhe nga fakti se politika atyre u ka siguruar privilegje të përjetshme. Pensione superiore, zyra, automjete zyrtare, asistente dhe truproje, për çfarë...për mospunë! Ata janë të shantazhuar nga privilegjet që i kanë. Po të mos punonin sipas dirigjimeve politike, politika do t'i sanksiononte me ndryshime ligjore, kështu të dy palët janë të 'lumtura'", tha Preteni për "Kosova Sot". 

Image

 

Mungon patriotizmi institucional

Analisti Nexhmedin Spahiu konsideron se nuk është edhe aq fajtore politika për sistemin e dobët që kemi në drejtësi dhe ndikimin që e ushtron në këtë sistem, por faji është te vetë individët në sistem, që thirren në profesionalizëm dhe bëhen vegla të politikës, që shiten për interesin e politikës."Nuk është faji i politikanëve pse gjykatësit dhe prokurorët kosovarë shiten. Është faji i këtyre që shiten. Problemi është tek opinioni publik që nuk ka pritshmëri nga gjykatësit dhe prokurorët. Problem është mentaliteti i shoqërisë sonë që akoma jeton në sundimin e Serbisë, edhe pse ajo është tërhequr turpshëm që para 20 viteve.

"Gjykatësit dhe prokurorët, policia, ushtria, arsimtarët e zyrtarët e administratës duhet të jenë pjesa më patriotike e Kosovës dhe se patriotizmi tregohet me profesionalizëm në punën e tyre, e jo duke vërë shqiponjën dykrenore në gjoks apo në tavolinë", tha Nexhmedin Spahiu për "Kosova Sot"

Por në kokat e shoqërisë kosovare është akoma prezent", potencoi ai. Sipas tij, gjykatësit e prokurorët veten e tyre nuk e shohin në funksion të atdheut."Nuk e shohin të rrugës të tregohen patriotë përmes profesionalizmit të tyre në punë, sepse publiku ynë nuk pret që ata të jenë patriotë, se me vetë faktin që janë gjykatës e prokurorë i sheh në shërbim të okupatorit. Të okupatorit që nuk ekziston", vlerësoi Spahiu për "Kosova Sot". 

Politizimi i gjykatave dhe prokurorive

Analisti Skënder Kapiti vlerëson se drejtësia në Kosovë është drejtësi politike dhe pa ndarjen e saj nga politika nuk mundë të jetë funksionale dhe profesionale, e aq më pak efikase. "Drejtësia në Kosovë është drejtësi politike, sepse ligji dhe drejtësia nuk kanë guximin dhe as "të drejtën" për të bërë akuza dhe për të vënë para bankës së të akuzuarve individët e profilit të lartë politik, ata që tashmë etiketohen si "peshqit e mëdhenj" të krimit, korrupsionit dhe të hajnisë, pra as edhe kur ata shkelin dhe abuzojnë rëndë me detyrat, postet dhe kur pra keqpërdorin dhe spekulojnë rëndë me to", u shpreh ai. "Kjo ndodh kështu pasi si shtetin ashtu edhe drejtësinë i ka kapur, pronësuar dhe përvetësuar politika dhe kjo vjen pasi është po politika ajo e cila i ka zgjedhur dhe i ka emëruar gjyqtarët e prokurorët në sistemin e drejtësisë sipas preferencës dhe meritokracisë e përkatësisë partiake, pavarësisht se në dukje e në deklarime verbale pretendohet se drejtësia në Kosovë është e depolitizuar.

"Dyshja politikë- drejtësi ka bërë batërdinë me drejtësinë, aq sa shqiptarët nuk kanë më pikën e besimit as te politika dhe as te drejtësia vendore, por kanë shpresë dhe besim te institucionet euroatlantike dhe te SHBA-të, sidomos dhe te presioni i tyre mbi politikën dhe drejtësinë, si në atë të Shqipërisë ashtu edhe në atë të Kosovës", potencoi Skënder Kapiti për "Kosova Sot" 

Kjo si dhe fakti se politika injorante dhe e korruptuar edhe përzgjedh gjyqtarët e prokurorët individët e paaftë profesionalisht dhe pa moral e pa personalitet, duke bërë që gjyqtarët dhe prokurorët si të tillë të jenë servilë dhe shërbëtorë të verbër të politikës", tha Skënder Kapiti për "Kosova Sot". Sipas tij, në këmbim të kësaj edhe vetë gjyqtarët e prokurorët më pastaj kanë fituar të drejtën që të bëjnë çfarë të duan me ligjin dhe drejtësinë, të spekulojnë dhe të matrapazojne me ligjin, ta nxjerrin të drejtën në ankand, ta trajtojnë qytetarin si klient të tyre dhe ta nxjerrin në pazar ligjin duke e fituar të drejtën ai i cili paguan më shumë.