Thellohet skandali i mishit 12- vjeçar belg, asnjë i shkarkuar

  • 20 March 2018 - 08:12
Thellohet skandali i mishit 12- vjeçar belg, asnjë i shkarkuar

Përsëritet rasti i ngjashëm me aferën e grurit nga Serbia

Produkti ishte për kafshët, analistët japin alarmin

 

Image
Kompania belge e mishit "Vanlommel", mishi i së cilës ishte asgjësuar në muajin shtator të vitit 2016 nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka thënë se mishi me afat të skaduar ishte dërguar gabimisht në Kosovë, pasi ishte destinuar vetëm për ushqim të kafshëve. Kjo nuk është hera e parë që një ushqim i tillë mbërrin në tregun kosovar. Kështu ka ndodhur edhe me grurin për kafshë, që importohej nga oligarkët Devolli prej Serbisë. Njohësit e kësaj fushe pyesin se pse institucionet përgjegjëse po lejojnë që të importohen mallra, siç ishte rasti i mishit, por edhe për shumë produkte të tjera, për të cilat gazeta "Kosova Sot" ka raportuar në vazhdimësi për vite të tëra. Këto importe të produkteve të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve dhe që dyshohet të jenë kancerogjene po bëhen nga kompanitë mafio-oligarkike, siç është rasti me vëllezërit Devolli, të cilët deri pas luftës kanë rregulluar biçikleta,e sot janë miliarderë në kurriz të popullit si dhe duke rrezikuar shëndetin publik e duke iu shitur ushqim të kafshëve nga Serbia në vend të grurit, apo qumësht pluhur nga Ukraina, si dhe shumë produkte të tjera që dyshohet të jenë kancerogjene.

Analistët thonë se të gjitha këto produkte po futen pa problem në Doganë, pikërisht se mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe pronarë të këtyre biznese ua "lagin fytin mirë" pushtetarëve si dhe zyrtarëve në Dogana e agjenci të tjera, ngase mafio-oligarkët e kësaj nëntoke janë mbi ligjin. Me gjithë pyetjet e gazetës të dërguara në adresën elektronike të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës (AUVK-u ) dhe në adresë të vëllezërve Devolli (Shkëlqimi për krundet dhe Blerimi për qumështin pluhur), gazeta nuk ka marrë përgjigje për akuzat ndaj tyre. Ndërsa zëdhënësi i Doganave të Kosovës Adriatik Stavileci, në një përgjigje për temën që po e trajton gazeta " Kosova Sot", tha se për cilësinë është përgjegjës Agjencia Ushqimore e Veterinës. 

"Dogana e Kosovës kontrollon produktet ushqimore në kuadër të tarifimit dhe vlerësimit të saktë, kurse për cilësinë e importeve të ushqimit (edhe mishit, qumështit etj. ) përgjegjës është AUVK (Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës së Kosovës), ngase para se të fillojë zhdoganimi i mallrave nga Dogana, Agjencia e Ushqimeve lëshon certifikatë për secilin import të produkteve ushqimore, dhe pa këtë certifikatë nuk kryhet importi", potencoi Adriatik Stavileci për "Kosova Sot" 

Dyshime për pasoja shëndetësore

Analisti Florim Zeqa, për "Kosova Sot", tha se pa dyshim, shumica e sëmundjeve të rënda dhe kancerogjene të qytetarëve të Kosovës janë të shkaktuara nga produktet ushqimore me afat të skaduar. "Ky fenomen fatal për jetën e qytetarëve kosovarë ka filluar menjëherë pas lufte, i zgjeruar në përmasat alarmante në këtë 10 vjetshin e fundit. Edhe përkundër faktit se numri i vdekjeve të qytetarëve kosovarë nga sëmundjet kancerogjene është gjithnjë në rritje e sipër, asnjëherë deri më sot nuk ka ndodhur që dikush nga bartësit e institucioneve shtetërore të japë përgjegjësi", u shpreh ai."Në secilin vend të botës demokratike, sikur të ngordhnin kafshë sikurse që po vdesin njerëzit në Kosovë nga pasojat e ushqimit, shqetësimi do të ngrihej në nivel nacional dhe përgjegjësit do të dilnin para drejtësisë.

"Qeveria, Kuvendi, si dhe të gjitha agjencitë përgjegjëse për import dhe kontroll të cilësisë heshtin, ani pse populli vazhdon të helmohet me mish, me krunde të kafshëve e qumësht pluhur, por edhe nga të gjitha produktet e tjera të importuara nga Serbia, Ukraina, etj.", tha Florim Zeqa për "Kosova Sot"

Mirëpo, në Kosovë, edhe pse dihet prejardhja e produkteve me afat të skaduar dhe importuesit e tyre, askush nga institucionet nuk e ka guximin t'ua prishë qetësinë kompanive të inkriminuara, të cilat çdo ditë në Kosovë sjellin ushqime me afat të skaduar, që sjellin miellin kancerogjen nga Serbia, qumësht pluhur kancerogjen nga Ukraina, e shumë produkte të tjera të rrezikshme, dhe kurrë askush nuk u dënua, asnjë fabrikë nuk u mbyll, e asnjë shef nuk doli para gjyqit për helmim e vrasje në masë të madhe dhe qëllimshëm të popullatës kosovare", u shpreh ai. "Në Kosovë hyn lirshëm mishi i kalbur nga të gjitha pikat doganore, futet gjithçka nga produktet e skaduara në Doganë, pikërisht pasi mafio-oligarkët e nëntokës kriminale dhe pronarë të bizneseve kriminale ua 'lagin fytin mirë' pushtetarëve si dhe zyrtarëve në Dogana e agjenci të tjera, sepse mafio-oligarkët e kësaj nëntoke janë mbi ligjin", vijoi më tutje Zeqa. Sipas tij, nga pas lufta shqiptarët e Kosovës ushqehen më mish të kalbur, me mish të lopëve të çmendura dhe pulave të sëmura dhe askush ende nuk ka guxim të marrin masa për ndalimin e hyrjes së mishit të kalbur në Kosovë.

Image

 

Mosbesim i thellë në radhët e konsumatorëve

Eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot", tha se Republika e Kosovës, edhe 19 vjet pas përfundimit të luftës është e varur nga importet e vendeve të BE-së, CEFTA-s dhe vendeve të tjera. "Edhe produktet e mishit, që Kosova importon, kanë ngritur shqetësimin e qytetarëve, ndaj ata pyesin se si ka mundësi të futet mish me afat skadence 12- vjeçare, ku janë institucionet, si ka mundësi që përmes Doganës të hyjë ky virus që po i vret kosovarët ditaditës"?- u shpreh ai.

"Thjesht, nuk ka siguri nga produktet serbe. Këtu lind pyetja sa nacionalistë jemi ne, sa shumë e duam produktin vendor, sa shumë që proklamojmë në rrjetet sociale "Duaje tënden", e në realitet konsumojmë prapë shumë produkte serbe", theksoi Lulzim Beqiri për "Kosova Sot"

Sipas tij, në vendet normale demokratike, më e pakta që do të duhej të ndodhte, është rënia e Qeverisë. "Është vërtet shqetësues për mua pushtimi i tregut kosovar nga produktet serbe, duke marrë parasysh që shumë herë ka rezultuar që disa nga ato produkte janë edhe kancerogjene, produkte me afat të skaduar", vlerësoi Beqiri.

Ndërkohë, analisti Mustafë Kadriaj për " Kosova Sot" tha se në këtë rast vlen shprehja popullore "ujku do mjegull". Sipas tij, mafio-oligarkia në Kosovë po e shfrytëzon këtë katrahurë legjislative dhe qeverisëse që përderisa kuvendarët merren me tema dytësore e tretësore dhe me ofendime dhe me një Qeveri që i ka humbur rruga në oborr, këto biznese po kalojnë mallra me afat skadence, jocilësore dhe të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve.

"Qeveritë e Kosovës në bashkëpunim me bizneset e zgjatura të tyre, sipas këtyre aferave, qytetarin po e trajtojnë si kafshë", u shpreh Mustafë Kadriaj për "Kosova Sot"

"Afera e fundit me mishin e vjetër 12 vjet, aq sa ka krijuar mosbesim tek popullata, njëherësh ka nënçmuar organet kompetente për mosprofesionalizëm, sepse të deklarohet vendi eksportues që mishi ka qenë i vjetër 12 vjet tani deklarohet që ka qenë i destinuar për kafshë dhe nuk kemi pasur si treg final Kosovën, kështu që organet e drejtësisë duhet të interesohen dhe të ndjekin vijën deleguese dhe dikush të japë përgjegjësi para drejtë- sisë", potencoi ai. "Këso lloj aferash kanë ndodhur edhe më herët me rastin e importimit të grurit nga Serbia, që mbas një kohe del që ka qenë i destinuar për kafshë", potencoi Kadriaj. 

Shumica e ushqimeve, të pakontrolluara

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Xhevdet Neziraj, tha për "Kosova Sot", se në Kosovë ende nuk është e rregulluar qartë mënyra e ofrimit të shërbimeve në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit. "Po ashtu, na mungojnë kuadro të edukuara dhe profesionistë që do të ofrojnë shërbime të nevojshme për ngritjen e cilësisë dhe kontrollit të ushqimit në Kosovë. Prandaj, në vendin tonë ushqimi shumë pak kontrollohet dhe nuk është për t'u habitur se çka jemi duke konsumuar ne qytetarët ", vlerësoi ai. "Ne kemi ushqimin më të dobët dhe pa asnjë kontroll adekuat, kemi barnat,derivatet e naftës dhe të gjitha produktet që importohen janë nivelit më të dobët në rajon dhe për këtë kemi shumë sëmundje në rritje, e sidomos kanceri që ka rritje enorme pas lufte. Këto produkte të kualitetit të dobët në vendin tonë vijnë nga firmat tona që importojnë mallra të ndryshme dhe që nuk u intereson shëndeti i qytetarit, por u intereson vetëm profiti i tyre", ka thënë Neziraj. "Nuk habit rasti i fundit me mish nga Belgjika, ngase ne që nga pas lufta jemi duke e konsumuar këto produkte me afate të skaduar, jo rrallë kemi marketing në supermarket tonë ku shitet kg i suxhukut 1 euro, ndërsa kg i mishit në tregun normal është mbi 6 euro, kjo tregon se ai produkt gjithçka ka, po mish normal jo", vijoi më tutje ai.

Image

 

Shteti në duart e banditëve

Ndërsa analisti Reshat BadallajZhuriani tha për "Kosova Sot" se shteti që nga pas lufta e deri me sot është në duart e banditëve, mafiooligarkëve dhe hajnave. "Po vërtetohet se gazeta juaj e kishte shumë të drejtë që luftonte këtë dukuri negative. Shikoni, tani se banditët shkuar banditëve se si pa fije turpi mashtrojnë popullin duke thënë se ky mish është dërguar gabimisht në Kosovë", u shpreh ai. "Banditët dhe mafio- oligarkët e bandës serbiane Devolli, u kapën me mallra kancerogjene, duke u ikur tatimeve dhe dëmtojnë buxhetin e shtetit në qindra miliona euro dhe më thoni se cili u dënua. Ndaj e them se shteti është i kapur në duart e banditëve, kriminelëve, hajnave, vagabondëve, mafio- oligarkëve të pushtetarëve që interesat e tyre personale i kanë vënë mbi interesat shtetërore dhe shëndetin e qytetarëve", tha Badallaj. 

Ndërsa eksperti i ekonomisë Dardan Grapci, për " Kosova Sot", tha se Kosova, si çdo shtet që ka dalë nga lufta, gjithmonë ka qenë cak i ushqimeve dhe produkteve jocilësore nga kompanitë që po operojnë në Evropë. "Nëse këto afera skandaloze të korporatës 'Devolli' nuk ndërpriten, nesër mund të pësojnë fëmijët tanë nga produktet që po importojnë dhe prodhojnë vëllezërit Devolli", ka potencuar ai. 

(Kosova Sot)