"Sheikët" e politikës kosovare, NË SITËN E VETTING-ut (Video)

  • 20 March 2018 - 07:50

PARA DREJTËSISË, REFORMËS T'I NËNSHTROHEN POLITIKANËT

Kelmendi:Pa pastrimin e skenës politike me një ligj VETTING kurrë nuk do të mund të kemi shtet të mirëfilltë

"Aq kanë përfituar pasuri të mëdha milionëshe politikanët tanë, duke e zhvatur pa u frikuar fare këtë popull të mjerë, saqë shumica prej tyre as që mund ta arsyetojnë këtë pasuri marramendëse dhe të zhvatur rregullisht. Kurse Prokurorisë Speciale as që i bie ndërmend që t'i hetojë këto fakte tejet serioze për korrupsion dhe krim të organizuar. Kosovës gjithsesi i duhet një VETTING dhe të parët që duhet të jenë pjesë e këtij VETTING-u duhet të jenë politikanët, sepse ata janë njerëzit më të korruptuar dhe më të pasur jo vetëm në Kosovë, por besa edhe në Evropë", potencoi analisti Bislim Aliu për "Kosova Sot" 

Analistët politikë konsiderojnë se për të pastruar politikën kosovare dhe për të pasur një qeverisje më të mirë të në të ardhmen, me duar të pastra, duhet të bëhet me urgjencë një VETTING i posaçëm edhe për politikanët e inkriminuar kosovarë, sepse aktualisht janë shumica absolute e politikanëve që me angazhimin e tyre në jetën publike institucionale nuk mund ta arsyetojnë kurrë pasurinë e tyre. Duke u pasuruar shpejt, ata tani po jetojnë në luks, si grup i veçantë i avancuar social, familjarët e pushtetarëve të Kosovës dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale, derisa akoma nuk po ndodh që të ketë ndonjë rast të hetimit 'ex officio' nga prokuroria - Prokuroria Speciale, akoma askush nuk i heton këto fakte serioze për korrupsion dhe inkriminim në krim të organizuar. Kjo është vetëm një arsye që sipas analistëve, por edhe qytetarëve e bën të nevojshëm aplikimin e një VETTINGu për ta zgjeruar atë përtej sistemit të drejtësisë, njëkohshëm edhe për politikanet, madje duke qenë pikërisht politikanët të parët që të jenë pjesë e VETTING-ut . Sipas analistëve politikë dhe qytetarëve, njerëzit më të korruptuar dhe më të pasur janë pjesa e politikës që po bën një jetë prej "sheiku" në Kosovë, që kanë krijuar pasuri të jashtëzakonshme mafio-oligarkët e politikës përmes zhvatjes së madhe të fondeve publike dhe atë pasuri po e fshehin në parajsat fiskale nëpër botë, ndërsa drejtësia - Prokuroria Speciale e kapur tani askund, së paku deri më tash, nuk ka dhënë informacione për ndonjë rast.

Image

 

Pushtet për interesa të ngushta

Prof. Muhamet Kelmendi thotë se është tepër i bindur që pa pastrimin e skenës politike me një ligj VETTING kurrë nuk do të mund të kemi shtet të mirëfilltë, qeverisje me duar të pastra dhe perspektivë reale evropiane."Pushteti shtetëror kurrë dhe në asnjë vend nuk ka mundësi të ndërtohet pa pastërtinë e politikës. Bazë e ndërtimit të një shteti demokratik është pushteti, subjektet që garojnë për pushtet dhe vetë organet që dalin në zgjedhjet e lira, sikundër është Presidenti, Kuvendi dhe Qeveria duhet të ndërtohen me njerëz të pastër. Shtetit demokratik i duhen subjektet politike demokratike, të mbështetura në një demokraci të brendshme, kuptohet me një hierarki dhe mundësi të diskutimit, respektivisht të shprehjes së mendimit të lirë dhe të diskutimit, në mënyrë që organet vendimmarrëse të kenë bazë për të vendosur", u shpreh ai."Mungesa e demokracisë së brendshme, sikundër është rasti me Kosovën, i subjekteve politike, krijon grupe të rrezikshme dhe të cilat nuk lejojnë diskutimet dhe që vendimet në subjekte të merren lirshëm.

"Sistemi i të drejtës, korrupsioni dhe krimi, nuk shërohen me njerëz të njëjtë, me ata që e kanë dëmtuar ekonominë, shëndetësinë, drejtësinë, prokurorinë dhe gjyqësorin. Ne ato organe edhe në politikë duhet domosdo VETTING. Po kjo pa VETTING të politikës po shihet se nuk bëhet", tha profesori Muhamet Kelmendi për "Kosova Sot"

Ky fakt doli dhe u pa qartë edhe në zgjedhjet e fundit në Kosovë. Subjektet politike, të mbështetura në qëllimet e përfitimeve të veta, jashtë interesave të popullit, krijuan koalicione që askush nuk ka menduar se mund të bashkohen dhe të lënë tërë- sisht çështjen anash, në drejtim të kapjes së pushtetit me zgjedhje që u zhvilluan. Kështu u krijua PAN, koalicioni LDK, AKR dhe Alternativa, të cilat jo vetëm që kishin konflikte personale, por ishin edhe politikisht larg njëra-tjetrës. E tërë kjo u bë për pushtet. Tash po shihet se ku kemi shkuar", vijoi më tej Kelmendi. "Pushteti i ndërtuar në Kosovë, si në koalicionin PDK-LDK, edhe tash në koalicionin PDK- AAK-NISMA dhe AKR, ka për qëllim një fushë tjetër të ndërtimit të pushtetit. Nuk them se të gjithë e kanë këtë, sepse ka forca që e duan dhe angazhohen për pushtet juridik, por shumica janë të tilla. Këtë e tregon numri i ministrive, i zëvendësministrave, i këshilltarëve etj. Po këndej flasin edhe vendimet, sikundër gjendja në arsim, në shëndetësi, në prokurori dhe nëpër gjykata", potencoi ai për "Kosova Sot". 

Shteti duhet të pastrohet

Pro hartimit dhe zbatimit urgjent të një VETTING-u në politikë është edhe analisti Ali Hertica."Tani ose kurrë më tepër i duhet Kosovës një VETTING i posaçëm për politikën, dekriminalizimi dhe pastrimi i thellë i politikës nga të inkriminuarit e të korruptuarit për gjithë këto vite të qeverisjes së pas luftës në institucionet e reja të shtetit, pa lënë anash edhe një pjesë të së kaluarës së mëhershme. Është i domosdoshëm veprimi më efikas në sistemin e drejtësisë për ta shpëtuar shtetin e Kosovës nga politikëbërësit e posaçërisht për politikanët e inkriminuar të bandave, të cilat e tjetërsuan shtetin dhe pasurinë e Kosovës", u shpreh ai."Natyrisht që Kosova si një shtet i ri ka nevojë për miratimin e Ligjit VETTING për një dekriminalizim gjeneral, sepse lirisht mund të themi që Kosova si një shtet i ri është me institucione, të cilat janë të bllokuara nga politikanët dhe oligarkët inkriminuar e të korruptuar, prandaj jemi akoma një demokraci e brishtë. Demokracia e fuqishme qytetare ka nevojë për një ligj të tillë për pastrimin e të gjitha instancave politike dhe institucionale me qëllim të ngritjes së nivelit të demokracisë dhe shtetit të ligjor", tha Hertica për 'Kosova Sot'. 

Ndërsa analisti Bislim Aliu thotë se gjithsesi në Kosovë duhet dhe është i domosdoshëm një VETTING i posaçëm për politikanët tejet të inkriminuar, të cilët krijuan pasuri aq të madh saqë as vetë nuk e dinë se sa kanë. "Pra, aq kanë përfituar pasuri të mëdha milionëshe politikanët tanë duke e zhvatur pa u frikuar fare këtë popull të mjerë, saqë shumica prej tyre as që mund ta arsyetojnë këtë pasuri marramendëse dhe të zhvatur rregullisht.

"Ata aq shumë janë bërë të pasur saqë janë bërë njerëz të paprekshëm, duke jetuar si 'sheikët" në Kosovë. Këtë pasuri marramendëse nuk e kanë krijuar nga paga që ata e marrin, por gjithsesi duke e zhvatur vazhdimisht këtë shtet dhe këtë popull, përmes zhvatjes së madhe të fondeve publike", tha Bislim Aliu për "Kosova Sot"

Kurse Prokurorisë Speciale as që i bie ndërmend që t'i hetojë këto fakte tejet serioze për korrupsion dhe krim të organizuar", theksoi ai. "Kosovës gjithsesi i duhet një VETTING dhe të parët që duhet të jenë pjesë e këtij VETING-u, duhet të jenë politikanët, sepse ata jenë njerëzit më të korruptuar dhe më të pasur jo vetëm në Kosovë, por besa edhe në Evropë", potencoi Aliu për "Kosova Sot".

Image

 

Pasuritë kriminale po fshihen

Sipas analistit Gani Qarri, involvimi i pushtetarëve kryesorë të vendit në korrupsion dhe krim të organizuar, ka bërë që i gjithë sistemi i drejtësisë vendore të mbetet peng i politikës, ndaj dhe përderisa të mos ketë gjyqësi të pavarur, nuk mund as të pritet sjellja e të inkriminuarve para drejtësisë. Sipas Qarrit, është koha e fundit që edhe në vendin tonë, t'i jepet fund epokës së një drejtësie kur vetë gjyqtari dhe prokurori i shtetit mbron krimin dhe politikanët e korruptuar."Ndaj, kjo e bën të domosdoshme që pa humbur kohë të aplikohet një reformë e përgjithshme në drejtësi me një VETTING të posaçëm, veçanërisht për politikanët e inkriminuar në Kosovë. Sot shumicës absolute të politikanëve jo që nuk u shkon ndërmend të sqarojnë vetë, por atyre as nuk u kërkohet kurrë, nga askush, që ta arsyetojnë pasurinë e fituara në mënyrë të dyshimtë, megjithëse familjarët e pushtetarëve dhe mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale jetojnë në luks të pazakontë për kushtet e vendit, përderisa as Prokuroria (e kapur) Speciale nuk heton prejardhjen e pasurisë dhe faktet serioze për involvimin e tyre në korrupsion dhe krim të organizuar", theksoi ai.

"Drejtësia dhe Prokuroria Speciale nuk po dëshmojnë se e kanë ndërmend ta prishin gjumin as për veprime të tilla kundërligjore, gjë që e bën jo vetëm të nevojshëm, por edhe të domosdoshëm një VETTING të mirëfilltë, për shërimin një herë e mirë dhe të njëmendtë të të gjithë sistemit të kapur të drejtësisë në vendin tonë", tha Gani Qarri për "Kosova Sot" 

"Kosovës i duhet jo vetëm ta aplikojë VETTING-un, por ta zgjerojë dhe shtrijë atë njëkohshëm edhe përtej sistemit prokurorial e gjyqësor, duke vënë pikësëpari nën llupën e drejtësisë, vetë politikanët e dyshimtë, si pjesa më e korruptuar e shoqërisë dhe shtetit tonë, jeta prej sheiku e të cilëve as që mund të arsyetohet me një pagë shtetërore që marrin në Kosovë", vijoi më tej Qarri."Pasuritë e jashtëzakonshme prej qindra miliona eurove të mafiooligarkëve dhe politikanëve të inkriminuar vendorë, të përfituara paligjshëm, përmes zhvatjes së pafund të fondeve publike, jo vetëm se fshihen pa asnjë problem në Kosovë, por ato edhe po transferohen lirshëm dhe pa asnjë pengesë edhe jashtë Kosovës, kudo në parajsat fiskale nëpër botë", tha ai për "Kosova Sot". Pa një vetting fillestar në politikë nuk mund të ketë VETING dhe pastrim të drejtësisë edhe sipas analistit Ragip Guraziu. "Edhe në Kosovë duhet VETTING-u, bile duhet që pikërisht politikanët të jenë të parët që do të jenë pjesë e VETTING-ut. Arsyeja e kësaj kërkese është se njerëzit më të korruptuar dhe më të pasur janë pjesa e politikës. Por VETTING-u në Kosovë dhe në Shqipëri do të dështojë derisa janë të njëjta politika që kanë kap shtetin dhe nëse nga të njëjti do të kërkohet të kenë rol në zbatimin e ligjit VETTING", potencoi ai për "Kosova Sot". 

Qytetarët, të zemëruar me qeveritarët e inkriminuar

Ligjin për VETING-un në politikë e kërkojnë me urgjencë edhe qytetarët e anketuar, të cilët mendojnë se pa e pastruar këtë skenë politike me një VETTING të posaçëm Kosova do ta ketë të bllokuar edhe perspektivën evropiane. 

 Qytetari Hajrullah Tërnava thotë se nuk ka perspektivë e as shpresë reale për të ardhmen e zhvillimit të vendit dhe perspektivën evropiane derisa edhe në Kosovë nuk zbatohet një model i ligjit VETTING, edhe në politikë sikur që po zbatohet tani në fqinjësi, në Shqipëri, për dekriminalizimin e plotë të politikës dhe të institucioneve të tjera publike."E vetmja shpresë dhe e fundit është Ligji VETTING, sikur në Shqipëri, bile jo vetëm ligji, por edhe njerëzit prej Amerikës të vijnë këtu, sepse kjo garniturë e politikanëve tanë e ka fundosur edhe shpresën e qytetarëve të rëndomtë, sepse nuk kanë zgjedhur mjete dhe mënyra për t'u pasuruar skajshmërisht dhe prej skamnorëve tash janë bërë multimilionerë, por jo vetëm atë, e kanë kapur edhe shtetin për fyti, duke i punësuar vetëm familjarët e vet", u shpreh ai. "Shtresa më e madhe e popullatës, që është mesatare, nën mesatare, që është tërësia e popullit, e kanë humbur shpresën e jetës këtu dhe nuk zgjedhin mënyrë, janë në gjendje ta shesin edhe nëse kanë një shtazë shtëpiake, lopën si ushqyese të familjes, për ta shitur si shpresë të fundit edhe veç me migrua jashtë, pavarë- sisht asaj se çka e pret atje", tha Tërnava për 'Kosova Sot'.

 Rishikimin dhe zbardhjen e së kaluarës së të gjithë funksionarëve të tanishëm publikë e politikë, rolit të tyre të deritanishëm dhe mënyrës së pasurimit me një ligj VETTING, e sheh tepër të nevojshëm edhe profesori Isak Shema. Prof. Isak Shema thotë se Kosovës i duhet një vlerësim më i gjithanshëm, më i saktë për krejt atë që është veprimtari jo vetëm e funksionarëve politikë, por e të gjitha personaliteteve që realizojnë funksione publike dhe jo vetëm funksione publike, por edhe veprimtari të ndryshme njerëzore, të cilat shtrihen jo vetëm në kohë e hapësirë, por edhe në përgjithësi sa i përket realizimit të krijimtarisë në përgjithësi."Prandaj një rishqyrtim i gjithanshëm i veprimtarisë së kaluar dhe të sotme do të ishte në funksion të asaj që është ardhmëria", theksoi Shema.

Një mendim të tillë e ndan edhe qytetari Hakif Hamiti."Mendimi im është se moti është dashur ta bëjë atë dhe kështu edhe në biseda e sipër unë shpeshherë kam thënë që le të largohen vetë ata të cilët deri më tash i kanë mbushur xhepat, le të vijnë të tjerët dhe le ta provojnë, jo gjithnjë këta që ta hanë këtë shtet, sepse popullit një ditë do t'i vijnë deri te hunda dhe nuk dihet tani se si do të ndahen këta", vlerësoi ai. Sipas tij, kjo duhet të bëhet me ligj të ri, sepse edhe ai ligj që është tani është ligj i korruptuar.

(Kosova Sot)