Askush nuk do të jetojë në Republikën e kapur

  • 20 March 2018 - 08:01
Askush nuk do të jetojë në Republikën e kapur

PUSHTETI I KORRUPTUAR DEKURAJON QYTETARËT

Salihu: Qytetarët po e presin me "hasret " liberalizimin, sepse po e shohin si shpëtim të tyre

"U bë liberalizimi i vizave e nuk u bë në këtë vit, duket se të rinjve tanë iu ka sosur durimi. Kosova gjithnjë e më shumë po mbetet vetëm me pleq e plaka. Na dëboi krimineli Milosheviq nga vatrat tona shekullore mbi 1 milion, e u kthyen pas luftës në mënyrë mahnitëse, duke menduar se do të kenë një jetë shumë më të mirë, por këto më shumë mbetën iluzione", tha analisti Skënder Mulliqi për "Kosova Sot" 

Qytetarët tanë po e presin me padurim që më në fund të bëhet liberalizimi i vizave dhe sa më shpejt të gjejnë mënyrën për të ikur nga shteti i krimit të organizuar, ku nëntoka po udhëheq me të gjitha institucionet në Kosovë, në të gjitha nivelet. Por, derisa nuk bëhet një liberalizim i tillë, qytetarët tanë, e në veçanti të rinjtë, po i japin deri në 2 mijë e 500 euro për t'u pajisur me vizë " Schengen", në mënyrë ilegale. Analistët e shfaqin brengën e tyre se si po zbrazet dhe do të vazhdojë të zbrazet Kosova nga një pjesë e madhe e popullatës, të cilët duke e parë se nuk ka asnjë pikë perspektive në këtë shtet dhe se krimi i organizuar dhe klanet kriminale e kanë në dorë çdo pore të jetës, ata po gjejnë mënyra çdo ditë për të lëshuar Kosovën,qoftë legalisht apo ilegalisht. Analisti Skënder Mulliqi, për ' Kosova Sot", tha se tema e migrimit nga vendet e Ballkanit gjithnjë e më shumë po bëhet temë qendrore edhe në shtetet perëndimore. "Largimet masovike nga vendet e rajonit edhe nga Kosova që neve na intereson po bëhen për shkak se të gjitha pushtetet e deritashme nuk punuam mirë. Ato punuan për t'i arritur objektivat e tyre përfituese", u shpreh ai.

Image

 

Rinisë po i humb durimi

Sipas Mulliqit, kjo paperspektivë e krijuar po rezulton me migrime masovike për në shtetet e ndryshme të Evropës. "Këta të rinj po detyrohen të huazojnë ose të marrin kredi, që t'i sigurojnë shumat e mëdha të parave të nevojshme që ilegalisht të largohen nga Kosova. Një i ri një ditë më thotë: 'Kam paguar 5000 euro për një vizë 'Shengen' të Polonisë, jam duke pritur ta marr dhe do të iki nga Kosova, që zor që do të kthehem ndonjëherë", u shpreh ai. "U bë liberalizimi i vizave e nuk u bë në këtë vit, duket se të rinjve tanë iu ka sosur durimi. Kosova gjithnjë e më shumë po mbetet vetëm me pleq e plaka. Na dëboi krimineli Milosheviq nga vatrat tona shekullore mbi 1 milion, e u kthyen pas luftës në mënyrë mahnitëse duke menduar se do të kenë një jetë shumë më të mirë, por këto më shumë mbeten iluzione", vijoi më tej analisti Skënder Mulliqi. "Pa u ndalur pasurimet ilegale, pa u ndalur korrupsioni e shumë keqpërdorime të tjera, sigurisht se problemi i migrimit të popullatës do të rritet. Temën e largimit nga vendi dhe temën e punësimit nuk po e shqyrton askush nga institucionet relevante që për mua janë tema urgjente", potencoi ai.

PDK-ja, fajtorja kryesore

Analisti Ilir Fetahu, për "Kosova Sot", tha se migrimi i të rinjve të Kosovës është tema më e dhimbshme që e shqetëson vendin. "Është e vërtetë se shoqëria kosovare gjithmonë kanë migruar qoftë për arsye politike apo edhe ekonomike, por migrimi i kohëve të fundit është shumë i dhimbshëm, ngase ata po qëndrojnë para ambasadave të huaja me shpresën se do të gjejnë punë dhe perspektivë", u shpreh ai.

"Do të ishte më mirë që, ndonëse me një kosto më të ulët, të rinjtë tanë të jetojnë në vendin tonë sesa që ata të shkojnë rrugëve të botës", tha Ilir Fetahu për "Kosova Sot"

Sipas tij, në një të ardhme të afërt Kosova do të ketë pasoja të mëdha nga ky migrim. "Ndaj, institucionet tona duhet që të jenë të kujdesshme ndaj këtij fenomeni dhe që ta zhvillojnë vendin, në mënyrë që çdo i ri të ardhmen e vet ta shohë në Kosovë e jo që të gjejnë forma të tjera nga më të rrezikshmet dhe shpeshherë edhe duke dhënë me mijëra euro para të thata edhe në të zezën, që ta lëshojnë vendin e të shkojnë diku tjetër", vlerësoi Fetahu.

 Ndërsa Arsim Haziri, analist politik, për gazetën "Kosova Sot", tha se faktori kyç në krijimin e gjendjes së paperspektivë në shoqërinë tonë është keqqeverisja e vazhdueshme, dhe kjo pikërisht është arsyeja pse qytetarët shfrytëzojnë mundësi nga më të ndryshmet për të ikur.

" Duke qenë shoqëria në këtë gjendje, qytetarët paguajnë edhe në shuma të mëdha, për të mos jetuar në një shtet ku antivlerat janë të jashtëzakonshme", tha Arsim Haziri për "Kosova Sot"

"Edhe tashmë kur po neglizhohet çështja e demaskimit, për shkak të mungesës së fuqisë parlamentare, tërë qytetarët po mendojnë se LVV-ja po e bllokon procesin e lirisë. Në këtë kontekste po përkufizojnë lëvizjen si stagnuese", vlerësoi ai. "Në kuptimin e mosekzistencës së perspektivës sociale dhe nxitjen e detyrueshme të qytetarëve ka ndikuar niveli ekzekutiv, më saktë- sisht qeverisja e PDK-së", potencoi Haziri. 

Image

 

Një klasë e tillë politike nuk meriton votë

Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Ali Lajçi (LVV), për "Kosova Sot", tha se e kemi këtë gjendje, ngase pushtetarët tanë veç demarkacionit e humbjes së territorit, për fatin tonë të keq, vepruan edhe më keq. "Edhe në shumë plane të tjera, veçanërisht kur është në pyetje punësimi, duke mos krijuar kushtet dhe perspektivën për të rinjtë tanë, andaj edhe e kemi këtë migrim të të rinjve", vlerësoi ai.

Ndërsa deputeti i opozitës nga Lëvizja "Vetëvendosje", Salih Salihu, për gazetën "Kosova sot", tha se liberalizimi i vizave është temë boshe. "Kosova po shkon mbrapsht për shkak të një klase politike të paaftë", u shpreh ai. "Këta pushtetarë nuk po janë në gjendje që tre vjet të zgjidhin problemin e sigurimeve shëndetësore, për shkak të pazareve në mes mjekëve dhe njerëzve të politikës, kurse edhe nuk kanë arritur që të reformojnë fare as sistemin pensional, ngase kanë krijuar skema mbi skema sociale zhvatëse, kanë krijuar punësim partiak dhe familjar", tha Salihu.

"Gjendja është mjaft e vështirë dhe shumë më mirë do të ishte sikur të ketë zgjedhje të reja sesa të mbetej kështu si është, pa asnjë zgjidhje të vetme dhe pa asnjë shpresë, sidomos për të rinjtë që po detyrohen t'i japin deri në 2 mijë e 500 euro për t'u pajisur me vizë 'Schengen', edhe në mënyrë ilegale", tha Salih Salihu për "Kosova Sot"

"Pushtetarët e tashëm i kanë bërë partitë e tyre si të ishin kompani përfituese, andaj qytetarët janë përgjegjës për shkak se votojnë një klasë të tillë politike", vijoi më tej ai. "Është krejt e kuptueshme përse qytetarët tanë po e presin me "hasret " liberalizimin, sepse po e shohin si shpëtim të tyre, përderisa shteti është katandisur në uzurpatorë të pushtetit dhe institucioneve dhe zhvatës dhe sundues", ka thënë deputeti opozitar Salih Salihu.

(Kosova Sot)